Që prej ardhjes në jetë, Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj nuk kanë postuar asnjë foto të portretit të vogëlushes dhe duket se nuk e kanë në plan ta bëjnë. Në një intërvistë për “Thumb”, Besi u shpreh se kanë vendosur të mos publikojnë foto “jo për çështje syri”.
“Nuk e kemi mbajtur larg për çështje syri. Unë nuk mund ta bëj të famshëm fëmijën tim, sepse është fëmija i Besit dhe i Xhensilës. Për ne është marrëdhënie familjare brenda shtëpisë tonë. Fëmija im ka kohë të rritet dhe të vendosë vetë për veten.”
Nuk kanë qenë të paktë rastet kur fëmijët e personazheve të njohur s'kanë qenë komod me famën që u është ofruar, pa dëshirën e tyre. Në mars të këtij viti, vajza e aktores Gwyneth Paltrow nxiti një debat të ashpër në internet fill sapo e ëma postoi një foto me 14-vjeçaren, pa dijeninë e saj. Apple Martin, vajza që Paltrow ka me këngëtarin e grupit Coldplay, Chris Martin, komentoi: “Mami, e kemi diskutuar këtë. S’mund të postosh pa aprovimin tim.” Paltrow u përgjigj: “Ty as që të duket fytyra!”.
Komenti i Apple, i cili u fshi më pas, shkaktoi debat te shumë prindër, ku një pjesë e përkrahu vajzën duke theksuar se asnjë prind nuk mund të postojë online pa pëlqimin e fëmijëve, ndërkohë që pjesa tjetër e kritikoi adoleshenten për faktin që “debatoi” publikisht me të ëmën.
Sipas ekspertëve, ky është një reagim që do të bëhet gjithnjë e më i përhapur tek brezat e rinj, fotot e të cilëve shpërndahen në internet qysh kur janë ende fetus.
“Është e kuptueshme një gjë e tillë, sidomos te fëmijët, jeta e të cilëve është dokumentuar online për vite me radhë,” tha Joanne Orlando, studiese e teknologjisë në Universitetin e Sydney-t. Orlando e cilësoi reagimin e Apple si “jo të pazakontë”.
“Për këta fëmijë, shpesh, hera e parë që janë prezantuar me publikun ka qenë fotoja me ultratinguj,” theksoi ajo. “Ata nuk kanë asnjë kontroll për jetën e tyre dhe kjo është e rrezikshme.”
Ekspertja shtoi se nuk do të jetë e largët dita kur fëmijët do të ndërmarrin veprime ligjore kundër prindërve që postojnë foto pa leje në rrjete sociale. Për shembull, Franca aplikoi ligje të rrepta, duke filluar me gjoba të larta dhe dënim me burg, në rast se prindërit postojnë foto online të fëmijëve duke shkelur privatësinë e tyre.