Ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri dhe bashkëshortja e tij Fatlinda Berisha janë bërë prindër për herë të dytë!
Çifti ka sjellë në jetë një djalë dhe ishte Tahiri ai që e bëri publik lajmin përmes një postimi në Facebook.
“Im bir, Goliku!”- shkruan Tahiri në foton ku teksa e mban në krahëror, zbulon portretin e plotë të vogëlushit.
Ndonëse është ende herët për të folur për ngjashmëritë apo tiparet, i porsalinduri duket se ka trashëguar sytë me ngjyrë të prindërve dhe vëllait të madh.
Përpos kësaj, emri i zgjedhur për djalin, “Golik” është sa i veçantë aq edhe 100% shqiptar. Emrin “Golik” e mban një urë që ndodhet 40 kilometra larg nga qyteti i Pogradecit, mbi lumin Shkumbin dhe fshatin po me të njëjtin emër, Golik.
Ura e Golikut, e ndërtuar e gjitha me gurë të gdhendur, është konsideruar si vepër arti e rrugës së vjetër “Via Egnatia”. Ndoshta, historia që qëndron pas kësaj, ka frymëzuar çiftin për ta pagëzuar të birin me këtë emër.
Kujtojmë se ish-ministri dhe bashkëshortja janë prindër të një djali 8-vjeçar, të quajtur Drini.