Cover Story

Amarda Toska - Jeta e bukur e Amit

8 Mars 2012

Amarda Toska - Jeta e bukur e Amit

Seç ka kjo Ami që gjithmonë na bën kuriozë! Nuk i refuzon kopertinat, as intervistat në gazeta (madje ne gati menduam se e kishim pasur më parë në “Anabel”), e sheh në publicitet dhe e ftuar edhe në emisione pasditeje. Por sërish do të lexosh për të e të vjen keq që të ndërrosh stacionin kur ajo nis të flasë. Ami ka një aftësi të jashtëzakonshme për të mos t’u mërzitur. Ka ndodhur shpesh që të kem shkruar një profil për një personazh publik dhe pas disa kohësh, çfarë kanë thënë aty, ta kenë kundërshtuar pjesërisht apo plotësisht. Kam bërë shkrime për martesa të lumtura dhe personazhi është ndarë, për projekte çudibërëse që s’u realizuan kurrë, për familje e fëmijë në plan… 4 vjet më parë. Dikur, kur punoja si kryeredaktore e një reviste tjetër femërore, bëra një shkrim të gjatë për Amin të titulluar “Shtatë arsyet përse e duam kaq shumë Amin”. E kisha harruar si fakt, derisa takova sërish Amin dhe me mendje iu ktheva atyre që kisha shkruar në 2009-ën.

U befasova! Asgjë nuk kishte ndryshuar! Çfarë ëndrrash thurte atëherë prezantuesja e “Dancing with the Stars”, u realizuan ndër vite. Biznesi që kishte nisur dikur, ka arritur të vjelë frytet e tij dhe tashmë ka shtrirje edhe në qytete të tjera të Shqipërisë; me Ermalin organizuan dasmën që ëndërronin me qindra të ftuar; vijuan me një muaj mjalti në Karaibe dhe blenë shtëpinë e tyre të ëndrrave, ku do të krijojnë familjen në një nga lagjet më të bukura të reja të kryeqytetit. Në karrierë, lëvizja e saj nga “Portokallia” tek “Dancing with the Stars”, ishte lajmi mediatik i vitit. E pritur me skepticizëm fillimisht, shumë shpejt ajo u shkri me formulën dhe nisi të identifikohej me spektaklin. E ndërkohë, flokët, linjat e trupit dhe lëkura mbetën po ato që e kanë bërë një nga prezantueset më tërheqëse të ekranit. E pandryshueshme ka ngelur edhe qetësia e saj karakteristike dhe një modesti prej mikeshe të afërt. Sekreti i kësaj jete të mirë? E vërteta është se Ami nuk ka menduar ndonjë sekret, as është përpjekur të kërkojë ndonjë rregullore shpirtërore “How to” për këtë ekuilibër që ka. Mjafton pak “bon sense”, pak fat dhe voilá! Kemi jetën e mrekullueshme të bukuroshes që vetëm në fillim të Marsit mbushi 30 vjeçe. Ju duket jeta e saj shumë e bukur për të qenë e vërtetë? Kam një lajm të keq për ju: Në fakt, e tillë është!
Ami, si t’u duk vetja në këtë set? Ishe dakord me ndryshimin?
Nuk e mendova dy herë, por e lashë tërësisht veten në duart e stafit të revistës “Anabel”. Hera e parë që s’kisha kontroll mbi grimin, sepse zakonisht jam shumë zevzeke në këtë aspekt. E kisha pak të vështirë, të them të drejtën, sepse ky grim ishte krejtësisht i ndryshëm nga ai që bëj, por besova tek ju. Fakti që “Anabel” është promotor i rrymave të reja në modë, më frymëzoi të bëhesha pjesë e ideve të saj.

Veshjet të rrisnin në moshë. Pamë Amin si një zonjë perfekte e viteve ‘60, me vetëbesim, elegante, perfeksioniste… Sa je “zonjë” në jetë?
Nuk jam fare “zonjë”. Jam shumë më e çlirët. Gjithmonë mendoj se do të vijë koha kur të jem “zonjë”, por tani është ende herët. Edhe kur gjej apo më sugjerojnë ndonjë veshje që më tregon më të rritur, e lë mënjanë sepse them: “Ka kohë”.

Gëzuar ditëlindjen meqë ra fjala, sepse mbushe 30 vjeçe përpara pak ditësh. Tridhjetë vjeçe! Ndihesh më e pjekur?
Nuk besoj se pjekuria vjen sapo bën të 30-at, them se maturimi lidhet me përgjegjësinë, me mënyrën se si e sheh jetën. Dikur, kur isha në gjimnaz apo në fakultet, e përmendja shpesh “Ai është burrë 30 vjeç” apo “Ajo është grua 30 vjeçe”. Më dukej sikur në atë moshë dije gjithçka dhe kishe arritur pjekurinë e duhur. Tani jam 30 dhe nuk besoj se kam ndryshuar shumë nga të 20-at.

Pra, “teta Ami” nuk funksionon për ty…
Më duket shumë e çuditshme. Mendoj se vetëm ardhja e fëmijës mund të më ndryshojë. Tridhjetë vjeçe dhe unë sapo kam filluar. Por kam përshtypjen se kështu flasin edhe ata që janë 40, 50…

E lëmë tek 50-at, se pastaj do quhej delirim…
(Qesh). Lum ata që nuk e vuajnë ikjen e moshës, sepse do të ishte torturë e madhe.

Gratë që e kanë vuajtur në fakt më shumë, i përkisnin njërës prej tre kategorive. Ishin ose: 1. Gra të famshme; 2. Balerina; 3. Të bukura. Ti i ke të tria. Mendon se një ditë do të zgjohesh e tronditur se të ka ikur mosha, se nuk ke më fytyrën e freskët, nuk je më aq e bukur dhe s’ke elasticitetin e një balerine të dikurshme?
Nuk e vuaj fare, të jem e sinqertë, as tani dhe as do ta vuaj në të ardhmen. Kam bërë në jetë çdo gjë që kam dashur ta bëj. Nuk e mendoj, sepse as që kam kohë! Përpiqem që ditët t’i mbush me ndjesi të mira, me qeshje, të mos jenë monotone. Partneri është një frymëzim tjetër për mua, ajo çfarë kemi ndërtuar më pëlqen dhe s’më lë hapësirë të fiksohem pas detajeve të tilla të parëndësishme.

Meqë përmende partnerin, d.m.th. bashkëshortin tënd Ermalin, isha kurioz të dija: Është e vështirë që ai të bëhet serioz me ty? Sepse më ka ndodhur të kemi qëlluar në një kafe dhe, ndërsa Ermali kërkonte një qeskë sheqeri, kamerieri qeshte, se i dukej si shaka.
Arrij ta kuptoj se si e shohin të tjerët dhe në këtë pjesë jam spektator, pasi në marrëdhënie me mua, e shoh që e merr jetën shumë seriozisht. Ermali është shumë i përgjegjshëm, ndryshe nga ç’e mendoja unë në fillim fare. Nëse më dukej si humorist karagjoz, si djali plëngprishës, gradualisht njoha një Ermal shumë të ndjeshëm, familjar dhe shumë të aftë për të menaxhuar situata të ndryshme, edhe ato më të vështirat. Por sensin e humorit e ka dhe bën shumë mirë që e ka, sepse kështu zhdramatizon çdo lloj situate jo të këndshme.

Në fakt, po të marrësh parasysh që ai ka nisur biznesin dhe ka pasur pavarësi financiare që 20 vjeç, atëherë është e dukshme që ai është i përgjegjshëm.

Dhe sa mirë të kesh një partner të tillë, që ka arritur të ngrejë një biznes të suksesshëm pa mbushur të 30-at!
Është fat i madh të kesh partnerin me të tilla dhunti dhe aftësi. Jeta të bëhet më e bukur kur ke pranë një njeri kaq energjik dhe pasionant. Unë jam më e qetë dhe më flegmatike se ai dhe më pëlqen kur më përfshin në vorbullën e tij.

Çfarë ka ndryshuar ai tek ty?
Nuk mund të them se ka ndryshuar diçka tek unë. Jam po aq e qetë sa më parë. Ne kemi gjetur ekuilibrin tek njëri-tjetri, na ka funksionuar si çift edhe dashuria edhe partneriteti në punë. Jam kundër atyre që thonë se një çift nuk mund të ndajë një biznes. Të qenit çift na ka bërë më të fortë ndaj çdo lloj situate këto 7 vjet që jemi bashkë.

Ami, po mendoja që edhe puna jote duhet të të ndihmojë në qetësinë qe ke. Sa qejf, ti merresh vetëm me momentet më të lumtura të njerëzve. Nuk vijnë aty të ankohen, të qajnë, por duan të gëzojnë.
Është e vërtetë. Çdo klient ka ciklin e tij të përgatitjes 6-8 mujor deri në realizimin e eventit. Ne merremi me organizime festash dhe duhet të jemi kreativë çdo ditë e kjo më ndihmon në pasurimin e përditshmërisë sime. Unë ndihem shumë e plotësuar, shumë e mbushur me punën që bëj. Këtë biznes e dua shumë. Çdo gjë tjetër është aksesor. Edhe prezantimi është një pasion i imi, nuk është se me atë jetoj, nuk e shoh si profesion të mirëfilltë ku do të bazoj të ardhmen.

Kjo që thua ti, në një mënyrë simbolike, “çmend” shumë prezantuese apo kandidate për prezantuese, të cilat i kanë kushtuar gjithë kohën këtij profesioni dhe prapë nuk kanë arritur të kenë famën apo mundësinë për të qenë primetime në dy spektakle me shikueshmëri tepër të lartë…
Ndoshta prandaj më ka funksionuar, sepse nuk kam qenë kurrë karrieriste, nuk kam menduar se do të jetoj nga ky profesion, nuk kam kërkuar të jem “o e para, o s’ka” në këtë biznes. Kam një fat që jam e lirë të puno në televizion apo të jetoj dhe pa të dhe nuk e di… them se Zoti më ka bekuar.

Po bisedoja njëherë me disa mikeshat që punojnë në media në lidhje me raportin që ti ke me famën. Në një gazetë, një vit më parë, kishe folur për pushimet që kishe bërë në Paris me Ermalin. Nëse dikush tjetër do të kishte folur për Parisin, do të ishte konsideruar si mendjemadhësi nga shumë lexues me mundësi të pakta ekonomike. Por tek ty, seç ndodh që askush nuk të gjykon…!
Jo vetëm kaq, por as mërziten, edhe pse nuk para u thua jo intervistave apo kopertinave! Në fakt unë s’e kam kërkuar kurrë famën dhe as që përpiqem ta ruaj këtë famë që kam. Sa më pak të tërheq vëmendje në publik, aq më e lumtur jam. Por unë besoj tek shijet dhe opinioni i përgjithshëm i publikut, ndaj them se ai më do për faktin që unë nuk shtirem. E di se ku jetoj, e di për kë prezantoj... unë nuk dua të bëhem dikush tjetër dhe as të pretendoj se jam një yll i pakapshëm. Nuk mundohem të tregoj se çfarë kam mundësi të vesh, të flas me fjalë të mëdha për të treguar sa e shkolluar jam etj. Besoj se publiku e ka kuptuar këtë gjë tek unë.

Pra, ti mendon se të jesh e vërtetë, është çelësi i suksesit…
Po, dhe sa më afër atij që të sheh në ekran. Nuk mund t’u flasësh sikur i sheh nga lart, sepse ashtu e ke të humbur luftën.

Nuk mund ta përjashtosh faktin që ke pasur edhe fat në karrierën tënde. Ke qenë prezantuese e “Portokallisë” në pikun e saj, kur njerëzit izoloheshin në shtëpi e rrugët boshatiseshin, dhe tani je prezantuese e një tjetër hit-show si “Dancing with the Stars”.
Ka ardhur shumë lehtë, në të dyja rastet kam pasur oferta kur as nuk i prisja. Por, sapo marr në dorë projektin, më pas mundohem të jap më të mirën. Nuk e nënvlerësoj faktin që një rast kaq i mirë më erdhi kaq lehtë në dorë. Shtoji këtu edhe këtë afeksion që kanë njerëzit ndaj meje dhe kjo më ka ndihmuar shumë, është një fitore e madhe. Ka njerëz që punojnë shumë më tepër se unë, janë më të aftë se mua, por s’e di se ç’ndodh me ta…

Mendoj se është ngjizja me ekranin Ami, për aq sa të njoh, nuk të kam dëgjuar ndonjëherë të përmendësh ndonjë figurë televizive që e ke pasur si shembull. S’ke pasur asnjë referencë gjatë karrierës tënde?
Jo, nuk kam pasur referenca. Dikur, kur nisi “Portokallia”, shihja “Zelig” për të krijuar më shumë një ide se për çfarë bëhej fjalë. Por aty vendosa që nuk do të bëhesha si prezantuesja italiane, sepse ajo ishte aktore, kishte formim aktoreje dhe unë nuk jam e do të bëhesha shumë e mërzitshme nëse do të përpiqesha të bëja sikur, vetëm sepse e pashë tek Zelig.

Kalojmë pak tek 30-vjetori yt. Çfarë është një këshillë që e ke kuptuar se nuk funksionon?
Jam rritur duke dëgjuar shpesh: “Bëhu e mirë e nëse dikush të lëndon, ktheji faqen tjetër”. Me kalimin e kohës kam kuptuar se kjo këshillë nuk ka vlerë për çdo njeri, pasi janë pikërisht këta “të mirët” që vuajnë më tepër. Mendoj se njeriu duhet të reagojë sipas personit që ka përballë.

Kështu do t’u thoshe edhe fëmijëve të tu?
Të njëjtën gjë. Fëmija im do lindet dhe do të rritet në këtë vend dhe s’mund ta shkëpus nga realiteti shoqëror shqiptar. Nëse e gjuajnë apo ia shkulin flokët, s’mund t’i them: “S’ka gjë, lëri të të gjuajnë”. Mendoj se duhet të mësojë përballjen me ata që e meritojnë.

Ke vuajtur vetë nga mirësia e tepërt, që e ke kaq shqetësim këtë gjë?
Jo, të them të drejtën, nuk kam pasur ndonjë humbje apo zhgënjim në miqësi, për faktin që unë nuk hapem shumë. Kam miq, kam kolegë, kaloj kohë me ta, por jam e mbyllur. Nuk besoj aq shumë tek ndonjë person. Ata që japin shumë, duan që të marrin shumë në kthim, por ja që s’ndodh gjithmonë dhe, si rrjedhim, zhgënjehen.

Mirënjohja, sa e rëndësishme është për ty?
Mendoj se kush nuk ka mirënjohje, është i vogël në shpirt dhe në mendje. Por mirënjohja është e lindur, nuk kultivohet, është një virtyt që e kanë ca njerëz me virtyte. Mirënjohja për mendimin tim nuk ka afat, nuk lahet si një borxh, nuk barazohet. Ajo zgjat gjithë jetën. Një shprehje e mençur thotë: “Mos bëj mirë nëse pret mirënjohje”.
Ti je dakord?
Për t’iu rikthyer asaj që thashë pak më parë, mendoj se duhet të bëhemi më racionalë. Nuk jam me të mirën e pakushtëzuar biblike.

Meqë përmende Biblën, ç’lidhje ke ti me Librin e Shenjtë? Të pyes, sepse Ermali vazhdimisht e përmend lidhjen e tij me fenë.
Unë nuk është se kam pasur ndonjë besim të madh në fe, por nga Ermali nisi të më tërheqë më shumë. Besoj më tepër në Jezus dhe shkoj në Kishë kur kam mundësi. Rituali më i bukur është ai i të dielave, me këngët dhe lutjet që i kushtohen Jezusit, predikimet e pastorit. Është mirë t’i rrisësh fëmijët me këtë lloj fryme…
Meqë përmende fëmijët, shtatzënia jote është bërë çështje kombëtare…
Dhe, sipas mediave, unë tani do të isha shtatzënë me fëmijën e dytë. Por jo, nuk jam shtatzënë. Mendoj që thashethemet nisën kur fillova tek “Dancing with the Stars”. Në ekran ngjaja më e shëndoshë dhe njerëzit nisën të mendonin se kisha ngelur vërtet shtatzënë.

Ia ke lënë fatit edhe shtatzëninë?
Jo, në këtë rast kemi bërë një miniplan. Nuk mund ta lëmë kaq evazive (qesh), nuk mund të ndodhë nëse nuk do.

Më ke thënë që do të donit vajzë. Pse?
Po, sepse vajzat të bëjnë për vete, pastaj dua ta kem si shoqe dhe mendoj se vajza do të jetë ndihmë e madhe për familjen.

Shumë psikologë do të ta kundërshtonin këtë që sapo the: “Do lind fëmijë, që fëmija të më shërbejë mua”.
Është e vërtetë që, si unë, dhe të tjerë, projektojmë tek fëmijët tanë atë që duam ne të bëhen. Çfarëdo teorie kam kundërshtuar në këtë moment, e vërteta është, edhe sipas statistikave, që familjet me vajza janë më të lumtura. Im atë ka dy vajza. Jam e sigurt që ai do të donte të isha çun kur linda, por tani, po ta pyesësh, nuk do të na ndërronte me asgjë. Mbase do të ishte perfekte të bëja dy vajza dhe një djalë.

Do të kishe frikë për vajzën tënde që të rritej këtu?
Mendoj se deri atëherë kohët do të kenë ndryshuar më shumë. Do të jemi më të sigurt dhe më të zhvilluar ekonomikisht.

Ti ke ndier pengesë nga burrat?
Falë Zotit jo. Nuk kam ndier pengesë as në punë, por as nga im atë në familje. Përkundrazi, ai më ka lënë të lirë të zgjidhja shkollën dhe profesionin.

Po me gratë si i ke marrëdhëniet? Beson në solidaritetin femëror?
Mendoj se me gratë bashkëpunohet shumë mirë për aq kohë sa nuk ka konflikt interesi. Unë aktualisht jam duke bashkëpunuar me një ekip shumë femëror tek “Dancing with the Stars”, por të gjitha komunikojmë shumë mirë, sepse secila e di rolin që ka. Gjithsesi, kam ditur të bashkëpunoj edhe kur kam ndarë të njëjtin rol, siç ndodhi me Xhemin tek “Portokallia”.

Ami, dje realizuam një kopertinë fantastike, që do të pushtojë gjithë kioskat e libraritë e Shqipërisë dhe Kosovës, kurse sot jemi ulur në këtë qoshe të errët të kësaj kafeje pranë Kinemasë Imperial, ku shfaqet Apartamenti 2XL. Duke e parë këtë vendin këtu, që mezi sheh një kamerier të kalojë (qesh), them: “Çfarë kontrasti me fantazinë e kopertinës”. Mendon që fama është një ide?
Mendoj që televizioni është një gënjeshtër e madhe që shitet bukur, televizionin e bën për show. Përse janë bërë aq interesantë programet reality TV? Sepse edhe aty serviret një copës e ilustruar e realitetit. Unë, nëse nuk do të isha e njohur, sërish do të bëja të njëjtat gjëra, do të ulesha sërish këtu. Ndoshta s’do të jepja intervistë për kopertinë, por do të isha me një shoqe duke biseduar për gjëra private. Televizioni për mua është një punë, siç ka juristi apo mjeku punën e tij. Sapo ndizen dritat në studio, televizioni bëhet tërheqës dhe krijon një fantazi, një botë krejt të ndryshme.

A mendon se edhe fama në Shqipëri tregtohet keq nga mediat? I bashkohemi delirit të disa personazheve publikë që krijojnë jetë jashtë realitetit?
Mendoj se gazetat dhe revistat bëjnë mirë të shesin një gënjeshtër: Le të dalin në foto në jahte të marra me qira! Njerëzit do ta besojnë fillimisht, por pastaj nuk mund ta hanë dy herë sapunin për djathë. Ata dinë të vlerësojnë, dinë të bëjnë diferencën dhe të dallojnë se çfarë shet ti.

Pastaj, si mund të shesësh një realitet tjetër kur ti je fqinj me lexuesin tënd, shkoni në të njëjtën bulmeteri, parukieri, frekuentoni të njëjtat restorante e kafe…
E vërtetë. Ne këtu jemi shumë të prekshëm, jemi vend i vogël dhe magjia e famës na zbehet shumë shpejt. Por ama, për një gjë e shfrytëzon famën: për policët rrugorë! (Qesh). Në fakt, përveç rasteve kur s’kam qenë e pranishme, policët m’i falin gjobat. Edhe pse nuk bëj aq shumë gabime. Në fakt jam më gjakftohtë seç duhet në timon.

Të flasim për “Dancing with the Stars” që nis pas pak ditësh. Ma përshkruaj pak momentin e parë kur dole në ekranin e Vizion Plus-it. Kishe emocione? E përjetove ankthin e ndryshimit?
Në fakt, unë kisha kohë që e mendoja shkëputjen. Kishte ardhur momenti që të bëja diçka tjetër pas 7 viteve si prezantuese e “Portokallisë”. Kjo jetëgjatësi ka të mirat e veta, por, nga ana tjetër, të konsumon dhe të zbraz dita-ditës dhe unë e ndieja nevojën për një rifreskim. Oferta nga “Dancing with the Stars” më erdhi si me porosi. Më pëlqente shumë si program, ishte goxha profesional në realizim, një patentë e suksesshme ndërkombëtare. Plus që kishte lidhje me kërcimin, ku unë e ndiej veten komode. I peshova të dyja, “Portokallinë” dhe “DWTS-në”, dhe vendosa që të paktën këtë herë të bëhesha e guximshme dhe të provoja diçka të re.

Në fillim njerëzit komentuan pamjen tënde dhe kujtoj që komentet s’kanë qenë aq të mira…
Po, sepse njerëzve nuk u pëlqen ndryshimi, e kanë të vështirë të pranojnë diçka të re. E kisha marrë parasysh çfarë do të thoshin, por unë e kisha ndarë mendjen dhe s’mund të veproja më ndryshe. “Dancing...” për mua është një shkollë e re, që më nevojitet në këtë fazë të karrierës sime dhe unë e falënderoj shumë producenten Holta Dulaku, që besoi tek unë.

Ti zakonisht ke frikë nga ndryshimi?
Unë kam frikë nga rehatia. Siç mësohemi me një shtëpi të vjetër që duam ta ndryshojmë apo me një partner nga i cili duam të ndahemi, por prapë e shtyjmë edhe një vit, ashtu kisha frikë se mos bija në gjumë letargjik edhe në karrierë. Por këtë radhë ia vura qëllim vetes, një lloj sfide për të dalë jashtë natyrës sime, për ta provuar këtë eksperiencë të re.

Je e lumtur me jetën tënde aktualisht?
Ndihem shumë mirë me të. Jam shumë e qetësuar madje edhe Ermali ma vë në dukje shpesh. Më thotë që më lexohet qetësia në fytyrë. Po bëj ato që dua të bëj; kemi ngritur me sukses një biznes të cilin e duam shumë dhe sa herë më merr malli për televizionin, rikthehem me sezone, si në rastin e “Dancing with the Stars”. Tre muaj në vit, për aq kam nevojë…