Besoni se dashuria ideale nuk ekziston? Atëherë duhet të lexoni një histori ideale, atë të dashurisë së Val Krasniqit dhe Adelina Ismajlit, të shoqëruar me një shërbim fotografik, ku fotot janë huazuar nga pjesë filmash hollivudianë. E në fund me siguri keni për ta kuptuar përse personazhet e kopertinës së revistës “Anabel” në foto përcjellin shumë më tepër gjendje se më të bukurit e Hollivudit. Gstaad-i është një vend të cilit një shqiptari me pak imagjinatë mund t’i krijojë ndjesinë e déjà vu-së, një vendi të parë në sa e sa kartolina që mbijnë nëpër kioskat ku shiten gazeta e revista gjatë festave të Vitit të Ri. Ndërtesat e banimit dhe të gjitha të tjerat, si hotele, dyqane, kinema, shkolla etj., janë shtëpi alpine dimri me pak kate, prej druri dhe me çati me tjegulla. Gjatë mëngjeseve dimërore, Gstaad-i ka qetësinë mistike të vendeve të mbuluara me borë (bora ka vetinë t’i mbysë zhurmat). Qetësia prishet, por çuditërisht qetësisht, me një rregull të pazakontë e të panjohur për veshët e një shqiptari, gjë që i shton një tjetër kënaqësi orëve të drekës, ku vendasit dalin për të psonisur apo për të mbaruar punët e përditshme. Njerëzit, ashtu si edhe pamja e përgjithshme e këtij vendi, duken si të dalë nga ndonjë kartolinë apo nga një copëz filmi vizatimor. Janë të qeshur, të përshëndesin plot mirësi. Familjet ngjajnë gati surreale kur shëtisin butësisht në rrugicat e mbuluara me borë; prindër të rinj tërheqin në slitat prej druri fëmijë të vegjël e çamarrokë e pas u vjen edhe një qen, që luan pranë të zotëve duke tundur bishtin i kënaqur. Këtu edhe kafshët duken sikur e ndiejnë paqen, rregullin, ligjin, shtetin, bollëkun dhe pasurinë e krijuar prej shekujsh në një vend si Zvicra. Ky është Gstaad-i, një vend i bukur, me familje ideale, njerëz të dashur dhe mikpritës. Por nuk është fort mikpritës, të paktën jo për shumë shqiptarë, ndryshe do ta kishim zbuluar me kohë dhe do ta kishim zgjedhur për të kaluar ca ditë pushimesh dimërore, siç bëjmë gjatë verës me Turqinë.
Në të vërtetë, banorët e përkohshëm apo të përhershëm të Gstaad-it kanë qenë dhe janë yje të kinemasë, couturist-ë me nam, filantropë, princa dhe mbretër. Sepse vetëm siç thuhet në disa raste, crème de la crème e botës munden financiarisht, por edhe kanë kulturën e duhur për të shijuar një vend të tillë. Për këtë arsye, në informacionet e thata, por të sakta të Wikipedia-s, kupton përse mes rezidentëve të Gstaad-it përmenden emra të famshmish, si aktorët Roger Moore, George Soros, Steve Wynn, aktorja Elizabeth Taylor, regjisori Roman Polanski, princ Rainieri, aktorja dhe princesha Grace Kelly, filantropët Philipp Braunwalder dhe Filip Peters, këngëtari Michael Jackson, princi Charles dhe princesha Diana, ish-sekretari i shtetit amerikan Kofi Annan, stilisti Valentino etj. Bashkë me fotografin, ndodhemi aty jo për t’iu bashkuar grupit të sipërpërmendur të njerëzve, por për të realizuar një shërbim fotografik të këngëtares shqiptare Adelina Ismajli. Ajo është e ftuar të këndojë në Hotel Gstaad Palace, në eventin Gala të organizuar nga A Smallworld, në prag të çeljes të sezonit dimëror turistik në Gstaad. Bashkë me Adelinën, në këtë event, në hotelin luksoz janë të ftuar edhe shumë personazhe të tjerë VIP, mes të cilëve aktori amerikan, fitues i çmimit “Oscar”, Adrien Brody, si dhe përfaqësues nga media, ku, krahas “Anabelit”, ka edhe disa përfaqësues nga “Vogue Italia”. Shkurt, ndodhemi në një event po aq të shkëlqyer dhe fashionist sa ato që shohim në faqet e revistave të huaja.
Adelina Ismaili përfaqëson atë pjesë të vogël, po fare të vogël, të këngëtareve shqiptare që kanë arritur të depërtojnë në një përzierje kaq komplekse mes famës, shkëlqimit, luksit dhe parave. Jam në barin e hotelit, duke pritur Adelinën të zbresë nga dhoma e saj. Bari nuk ka asgjë më shumë nga shumë bare të ndërtuar së fundmi në Shqipëri (megjithëse për ta bërë gjumin në këtë hotel, duhet të paguash 800 euro çdo natë). Pak përshtypje më bëjnë edhe njerëzit, edhe pse bëhet fjalë për modele, miss-e dhe mister-ë bukurie, aktorë e këngëtarë të njohur në botë. Femrat janë veshur jo më glam se në një mbrëmje apo event të këtij lloji të organizuar në Tiranë; duket që nuk i kanë kushtuar rëndësi as make up-it dhe as krehjes. Te asnjëra prej tyre nuk sheh nga ato shpërthimet dhe lulëzimet e modës dhe ekstravagancës që ndesh në Shqipëri. Si në çdo vend të varfër, shqiptarët kanë investuar shumë në dukjen, e cila nuk është veçse një formë për të fshehur komplekset e inferioritetit dhe mungesën e gjatë të mospasjes. Mes asaj vale njerëzish, ja ku duket edhe Adelina. Ndryshe nga femrat e tjera aty, të cilat në ecejaket gazmore e flirtuese me meshkujt, përsëri duken më të vetmuara se kurrë, Adelina, e mbështetur pranë menaxherit të saj, rrezaton qetësinë e një femre të plotësuar, që ka gjetur ekuilibrin në këtë univers. Pjesa më e madhe e femrave nuk luftojnë as për famë e as për para, por për të gjetur pikërisht atë që ka Adelina sot: gjysmën që i bën të ndihen të plota, që u jep siguri dhe u heq ankthin e të qenit të padobishëm e të kotë, që u heq frikën për të ardhmen. Është ajo që ia ka futur krahun, ndryshe nga femrat e tjera aty, të cilat në sorollatjet e kota nga holli në bar e anasjelltas, mezi presin të kapen prej beli nga çdo mashkull, të cilin e kanë njohur 10 minuta më parë. Vali ka një pamje krenare dhe indiferente, tipike të një mashkulli të suksesshëm e të realizuar, por është edhe tepër i butë dhe i vëmendshëm ndaj Adelinës, të cilën e mban sikur është gati ta mbrojë në çdo çast. Ka një lloj kimie mes tyre, një nga ato marrëdhëniet femër-mashkull, të cilat një i tretë nuk i shpjegon dot, nuk ia zbulon dot misterin, por ka bindjen, ndoshta edhe pak zilinë, se ka ndeshur me një dashuri ideale në një kohë kolere për dashurinë, ku të gjithë flasin se idealja nuk ekziston.
Prej disa vitesh dihet që Vali është menaxheri yt, por shumë pak njerëz e dinë që është edhe shoku yt në jetë. Më trego pak, si u njohët?
Me Valin jam njohur gjatë promovimit të albumit tim “Fenix”, në vitin 2008. Ishte një punë shumë e madhe që po bëja për albumin. Ndaj po merresha vetë me skenën, balerinët e punët teknike, që janë të nevojshme në të tilla evente. Vali ishte pronari i një zinxhiri nightclub-esh, edhe i këtij ku po promovoja albumin. Mesa duket, kishte harruar telefonin e tij celular në vendin ku më vonë do të luante D. J. Unë e pashë që larg dhe e pëlqeva menjëherë. Iu afrova dhe, për të zënë miqësi, fillova t’i jap urdhra duke menduar se ishte një punonjës i thjeshtë i klubit ku do të këndoja (qesh). Në fakt, ai ishte pronari i të gjithë objektit dhe, duke më dëgjuar, për të mos më ofenduar, vazhdoi punën dhe më bindej verbërisht. Nisi të merrej me kabllo, tela… Nuk kisha parë kurrë ndonjë mashkull të sillej në të tillë mënyrë, jo shqiptar të paktën. Atëherë thashë me vete: “Adelina, hidhu!”. Në fakt, pasi mësova kush ishte, isha unë e para që i propozova të bëhej menaxheri im. Vali qeshte gjithë kohës kur unë e urdhëroja në atë mënyrë. Kushedi ç’thoshte me vete: “Po kjo, mendon se ka pushtuar gjithë botën?!”. Por pastaj, kur ia shpjegova këtë keqkuptim, edhe atë e intrigoi ideja. Më pas çfarë nuk bëja që t’i thoshte po propozimit tim për t’u bërë menaxheri im. Kur pranoi, thashë me vete: “Kaq më duhet”.
Paska qenë dashuri me shikim të parë?
Patjetër që po.
Në fakt, ka disa psikologë që mbrojnë teorinë e treminutëshit. Sipas kësaj teorie, një njeri bie në dashuri që në tre minutat e para.
Unë mund ta vërtetoj këtë teori, sepse jam pikërisht një nga ata persona. Me Valin nuk m’u deshën as tre minuta, por vetëm tre sekonda që të bija në dashuri. Mua më pëlqeu që larg, më pëlqeu qëndrimi i tij. Nga unë, ishte dashuri në shikimin e parë dhe ishte hera e parë në jetë që po e shikoja dikë si e paralizuar. Ishte hera e parë që nuk arrija të kontrolloja asnjë gjest timin, ashtu siç isha mësuar. E dija që më pengonte mënyra si po sillesha, sepse ishte ndjenjë tërësisht e panjohur për mua. Por nuk më bëhej vonë aspak ta ndryshoja (qesh).
Çfarë të tërhoqi në fillim tek ai?
Gjëja e parë që më tërhoqi ishte komplet Vali. Që nga shikimi, tek toni i të folurit, qetësia dhe buzëqeshja e tij e deri tek duart, që lëviznin plot vetëbesim, të një njeriu që e di çfarë do sa herë që lëviz. Isha si e hipnotizuar para tij. Analizoja çdo gjë dhe më tmerronte ideja që gjithçka dukej perfekte. Ai nuk bënte as mundin më të vogël të sforcohej; ishte spontan; isha e sigurt që nuk e kishte vënë re këtë magjepsjen time. Nuk kishte mundësi ta kishte vënë re, sepse unë isha bërë një mumje që ia kishte ngulitur sytë. Patjetër që, e pakta, ky shikim i çuditur do ta kishte befasuar çdo njeri, por jo, ai vazhdonte punën e vet. Më tërhoqi ai shikimi i tij, që tregonte që asnjë situatë nuk është fatale sa duket.
Po më vonë, e pate të thjeshtë për t’u lidhur?
Në fakt, jo. Sa të thjeshta dhe të bukura duken gjërat, aq më shumë ndërlikohen kur fillon të rreh zemra për dikë. Nga ana ime, e kisha bindjen që edhe ai më pëlqente, por ai tregohej shumë i rezervuar dhe korrekt. Nuk më puthte asnjëherë. Rrinim shumë kohë bashkë, bënim të gjitha muhabetet e botës bashkë dhe ai nuk tentoi kurrë të më puthte. Mirëpo unë e dija që po i pëlqeja. Ndodhën shumë gjëra e shumë provokime, që ta kuptoja se po i pëlqeja. Por Vali kishte frikën se, nëse do të guxonte shumë, ndoshta i prishte fare punët mes nesh. Ndaj m’u desh që edhe këtë punë ta mbaroja vetë (qesh). Një nga ato ditët kur ishim duke ndenjur e duke biseduar bashkë, bëra gjoja sikur i pashë një puçërr në faqe dhe iu afrova aq shumë sa e putha.
E puthe ti e para?
Po. E beson dot?! (Qesh). Unë isha duke përjetuar adoleshencën e humbur. Ndihesha si një 14-vjeçare që ka rënë për herë të parë në dashuri.
Po më vonë çfarë filloi të të pëlqejë më shumë tek ai?
Gjithçka. Por sidomos fakti që më njihte sikur të kishte një jetë që më kishte takuar. Unë për të kam qenë si një libër i hapur. Ndonjëherë çuditesha sesi është e mundur që një njeri të të njohë kaq mirë. Ndaj e provokoja, për ta kuptuar nëse vërtet kishte arritur të më kuptonte.
E provokoje? Ç’do të thuash me këtë?
(Qesh). Sepse edhe provokimet arrinte të m’i kuptonte.
Në ç’mënyrë? Ma shpjego me një shembull.
Po ja, shkoja në pishinë e veshur dhe i thosha: “Më vjen keq, unë nuk zhvishem me bikini”. - “O Adelinë, lëri numrat, – më thoshte, – se unë të kam parë me bikini që në ’97-ën, kur ke dalë në televizor”. Ishte e pamundur t’i shpëtonte gjë.
Adelina, nuk e di për ty, por femrat në përgjithësi, kur e nisin një lidhje me kaq shumë pasion, gjithmonë kanë frikë se çfarë i pret në të ardhmen. Ti e pate këtë frikë me Valin? Pate frikë se ndoshta, pas pasionit të kohëve të para të lidhjes suaj, mund t’i vinte fundi?
Në fakt, e kam menduar këtë gjë. Ç’kujton ti, se unë nuk i lexoj ato shkrimet që bëni ju tek “Anabel-i”: “A ju do seriozisht apo ju do për një natë?”. (Qesh). Por jo, me Valin nuk e pata këtë frikë. Vali duket shumë i thjeshtë, por është kaq i thellë! Unë e kuptoj frikën që kanë femrat pasi kalon pasioni i parë. Mund ta kisha kaluar edhe unë këtë situatë, si çdo femër tjetër, por është plotësisht aftësia e Valit, siguria e tij, që më bëri të ndihem gjithmonë e sigurt për këtë lidhje. Vali nuk më ka lënë kurrë të mendoj për të tilla gjëra.
Vali është njëkohësisht edhe menaxheri yt. Po në punë, funksiononi si çift?
Do të gënjeja nëse do të thosha që dashuria nuk ka ndikuar në punë. Fundja, puna e përbashkët është një plotësim i asaj që ne po jetojmë. Ato rregullat e pashkruara që ndjenjat nuk duhet të përzihen në punë, i kemi flakur tutje qysh në fillim. Çdo sukses në këtë botë është fryt i një dashurie, në çfarëdolloj forme. Kemi fat që të dy jemi të shkolluar në profesionet tona dhe kjo është një plus më shumë, besoj. Se si funksionojmë, ka kohë që reflekton (qesh).
Çfarë tipari të personalitetit vlerëson më shumë tek ai? Më ke thënë që ai e njeh shumë mirë botën femërore. A mund të ma shpjegosh pak më mirë këtë gjë?
Nuk mund të ndaj një, dy apo tre tipare që më pëlqejnë më shumë dhe të tjerat t’i lë anash. E kam menduar për 24 orë dhe kam dalë në përfundimin që e dua dhe kur fle. Ajo që më vjen në mend tani, është ajo magjia që është një njeri, i cili zgjohet duke buzëqeshur çdo ditë. Vali njeh çdo formë të brishtësisë femërore dhe respekti i tij real për qenien femërore është diçka që e admiroj. Nuk kam për ta zbuluar a është çështje eksperience apo edukate, por është njeriu i parë në botë që, sado trille mund të shpik apo aktroj unë për të fshehur një hall, ai gjithmonë do ta dijë dhe do të lërë gjithçka anash për ta diskutuar në mënyrën më të dashur me mua. Ndjenja që ke afër dikë me të cilin mund të diskutosh absolutisht çdo gjë, është e pashpjegueshme. Është një liri që nuk paguhet me asnjë çmim.
Më ke thënë që të ka bërë të ndihesh femër. Në ç’mënyrë?
Gjatë kam fshehur fuqinë time nën petkun e seksualitetit. Pastaj u zbulua që fuqia ime vinte nga mësimet jetësore që kam marrë në skenë për t’u mbrojtur. Në një moment të hershëm të jetës, unë isha një njeri që mbrohesha pafund dhe kjo gjë kuptohej si fuqi. Kjo mbrojtje po zbehte feminitetin tim, ku loti në sytë e Adelinës shihej si dobësi. Në momentin që ia kam ndaluar vetes të drejtën e qeshjes së shfrenuar apo të qarët për një film, unë e ndieja që po shndërrohesha në një makinë heroike, ku publiku, shoqëria, madje edhe njerëzit e mi shihnin “të pamposhturën”. Unë isha aty për të gjithë aq gjatë, saqë gati kisha mbytur vajzën në mua, e cila është jashtëzakonisht e brishtë. Ai e zbuloi këtë gjë që në bisedën e parë dhe kjo gjë më nevrikosi. Nuk kishte mundësi që ai njihte gjëra që dhe vetë i kisha harruar (qesh). Ia lejova vetes të jem e brishtë, e pafuqishme, e ndrojtur. Vali gjeti ato frikërat e vogla që aq gjatë më kishin dhuruar gëzim e dhimbje të pavetëdijshme. Me spontanitetin më të madh, zbuloi femrën, e cila guxoi të tregojë që ka qarë tinëz me këngën “Nothing Else Matters”. Bëri të kundërtën që do të bënte ndoshta tjetërkush. Vali nuk çliroi bishën, ajo ishte aty. Vali çliroi ndjenjat e mia.
Çdo njeri në jetë, më së shumti, vuan për të gjetur ekuilibrin. A ka qenë Vali një faktor që ti ta gjesh këtë ekuilibër?
Ekuilibri im ka ardhur nga rehatia që ndiej pranë tij. Është ndër njerëzit e paktë që ndihet shkëlqyer në lëkurën e tij në çdo moment. Kjo u reflektua edhe tek mua dhe unë gjeja veten. Nuk di se a e dinte ky që do të ishte e kotë të më impononte të bëja këtë apo atë. Unë e shikoj, e shijoj çdo sekondë me të dhe gjej veten.
Ti ke pasur një jetë të pasur artistike, të mbushur plot me ngjarje, evente, ke shëtitur botën e ke takuar shumë njerëz. A të ka vlejtur kjo eksperiencë për të kuptuar më mirë meshkujt dhe ndoshta për këtë arsye ke gjetur ndoshta mashkullin ideal apo mendon se dashuria nuk bën pjesë në ato fenomene për të cilat eksperiencat kanë vlerë?
Tani e di që eksperiencat e mia profesionale ishin një censurë gjigante për pjekurinë time emotive apo jetësore. Nga mosha 6-vjeçare, kam jetuar e vëzhguar nga qindra sy dhe ka qenë e pamundur të kaloja rrjedhat e rritjes, adoleshencës, simpative e dashuriçkavesi moshataret e mia. Unë shikoja jetën e zakonshme që kalonte afër meje dhe e admiroja. Të tjerët donin atë që e jetoja unë. Tani e di sa e vetmuar isha. Në fakt, unë kisha teori nga librat, nga ato që dëgjoja dhe shihja. Pavarësisht asaj që unë tani e di, eksperiencat e mia nukkanë ekzistuar kurrë, përveç si tituj për të rritur shitjet egazetave. Mendoj që një dashuri që do ta jetosh deri në fund të kësaj jete tokësore, nuk mund të jetë e ndikuar nga ajo që ke jetuar, përveç rastit kur do komunikim të mirë me njeriun që ndan jetën dhe i tregon që di ta ndërrosh gomën në makinë apo ta dallosh Messi-n nga Ronaldo-ja (qesh).
Po për martesë keni folur ndonjëherë me Valin? Do të kemi fatin të të shohim të veshur si nuse apo mendon se martesa është thjesht një konvencion?
Martesa është një konvencion i shenjtë dhe ashtu e kam imagjinuar gjithmonë. Se çfarë kemi folur apo a do jem nuse, le të mbetet një sekret i rrallë i yni, të cilin marr lirinë ta fsheh në këtë moment nga të tjerët. Megjithatë, çdo gjë e kam ndarë me të gjithë. Tani duam diçka që ndoshta nuk e kemi jetuar maksimalisht: Jetën tonë!(Qesh).
VAL KRASNIQI: “LIDHJA ME ADELINËN? NJË BINOM I PËRSOSUR
Jam shumë kurioze të di kush është njeriu që dashuron kaq fort Adelina Ismajli, ndaj më duhet të të pyes si në një intervistë pune, si për shembull: ku ke lindur, ku je rritur, çfarë edukimi ke marrë?
Jam i lindur në Prishtinë, por shumë i vogël, në moshën dyvjeçare, familja ime u zhvendos për të jetuar në Francë e pastaj në Zvicër, ku jam shkolluar dhe jam diplomuar në Shkollën e Biznesit, drejtimi Ekonomik.
Si nise të bëhesh menaxher artistik i këngëtareve?
Kam punuar dhjetë vite në lëmin e showbiznes-it si organizator evenimentesh dhe menaxher i diskove. Ishte një lloj hobi për mua, nuk më dukej vetja i prerë vetëm për punë në zyrë. Në menaxhimin e një këngëtareje jam orientuar pas takimit me Adelinën, më saktë pas takimit në disco club-in e fundit që kam menaxhuar në vitin 2008.
Kur Adelina u ofrua për të qenë nën menaxhimin tënd, çfarë mendove?
Ishte një nder i madh për mua, duke pasur parasysh që Adelina është një ikonë e muzikës moderne shqipe,por njëkohësisht dhe një përgjegjësi jo e vogël mbi supet e mia…
Besoj, famën ia njihje Adelinës para se ta njihje personalisht. A ke qenë fans i saj, si pjesa më e madhe e shqiptarëve?
Ka qenë e pashmangshme kjo gjë, qëkur Adelina ka filluar të këndojë në fëmijëri (qesh). Edhe unë, si të gjithë fëmijët e Kosovës, në atë kohë, jam rritur me këngët e Adelinës. Nuk ishte thjesht të qenit fans i Adelinës. Adelina ishte një mburrje për të gjithë shqiptarët e Kosovës kur ajo fitonte festivalet ish-jugosllave në Sarajevë apo rasti kur ajo, qëkur ishte fëmijë, në një emision të Radiotelevizionit të Prishtinës, iu drejtua diktaturës ish-jugosllave, duke kërkuar të ndalojë dhunën ndaj kosovarëve.
Po në marrëdhënie pune, si funksiononi bashkë, si i keni ndarë rolet?
Vendimet gjithmonë i marrim bashkë dhe këshillohemi me njërin-tjetrin. Adelina është më e prirur nga ana artistike, ndërsa unë përqendrohem më shumë në anën administrative dhe atë organizative. Gjithsesi, ndihmojmë njëri-tjetrin në të gjitha këto që përmenda më lart.
Është e vërtetë që në takimin e parë me Adelinën, ajo të ka marrë për një punonjës kur në të vërtetë ju ishit pronari i diskos ku do të organizohej promovimi i albumit të saj?
Po, është e vërtetë (qesh)… Gjatë gjithë kohës po qeshja në vete, duke e imagjinuar se çfarë shprehjeje në fytyrë do të kishte Adelina kur të kuptonte të vërtetën.
Përse pranuat të vazhdonit të luanit rolin e një punonjësi të thjeshtë?
Sepse ajo, pa u ndalur, po fliste kundër pronarit (qesh).
Adelina ka thënë që ju keni arritur ta njihni më mirë se askush tjetër, madje që në sekondat e para të njohjes. Si është e mundur?
Ishte e çuditshme, sepse takimi ynë ngjante si një takim mes dy miqve që nuk ishin parë për një kohë shumë të gjatë dhe kishim shumë për të ndarë me njëri-tjetrin. Ishte një ndjenjë që nuk e kisha përjetuar kurrë më parë.
Çfarë të pëlqeu më shumë te Adelina?
Thënë shkurt, një sensibilitet gati fëminor në trupin e një seks-bombe.
Po si menaxher i saj, ku besoni se e ka forcën Adelina, si personazh?
Ajo e dashuron këngën, nuk e përjeton si profesion. Ndjenjat që ajo dhuron janë gjithnjë të sinqerta, çfarëdo qofshin ato. Ka një energji të pashtershme. Adelina ka guximin që shumë pak personazhe e kanë. Ndoshta shumë këngëtare të tjera mund të kenë idesi të Adelinës, por vetëm Adelina ka guximin që këto ide t’i çojë deri në fund.
Adelina thotë se te ju ka gjetur gjysmën e vetes. Po një mashkulli, sa herë në jetë i ndodh të gjejë gjysmën e tij?
Tani e besoj si të vërtetë këtë gjë. Edhe pse mendoj që është jashtëzakonisht e vështirë të gjendet, ekziston.
Ti e ke gjetur me Adelinën?
Absolutisht po. Lidhja jonë është një binom i përsosur.
Si mashkull që jeni, jepini një këshillë femrave si ta kuptojnë kur një mashkull i do vërtet?
Kur i telefonon në orën katër të mëngjesit i bërë tapë nga alkooli dhe mundohet të këndojë diçka që i ngjan një serenate në celular (qesh).
Adelina Ismajli & Val Krasniqi - Jemi të dashuruar
7 Janar 2010