Cover Story

U martua edhe Xhemi!

Shkruar nga Dalina Buzi

8 Shtator 2010

U martua edhe Xhemi!

Dasma e Xhemit bëri aq shumë njerëz kuriozë, sikur të ishte një takim i fshehtë Berisha-Rama. Mediat vlonin ato tri ditë të ceremonisë: “Ku do ta bëjë darkën e saj? Po të të shoqit? Ku do lyhet? Ku e ka shtëpinë? Do dalë nuse nga shtëpia? Kë ka ftuar? Ku ta gjejmë një ftesë?”. Xhemi u kishte thënë “jo” gazetave që i kishin kërkuar një foto nga ceremonia. Edhe pse dasma zgjati nga e premtja e 3 shtatorit deri të dielën dhe e gjitha u organizua brenda qendrës së Tiranës, ajo arriti ta mbante të blinduar nga paparacët. Kush e pa, ishte i ftuar dhe mik i saj. Dy ditë pas ceremonisë, u takuam për photoshoot-in e kopertinës. Ideja do të ishte një “bachelor party”, një traditë që përdoret nga shumë vende perëndimore, që simbolizon fundin e ditëve të beqarisë dhe të pavarësisë. Nusja dhe dhëndri disa ditë përpara dasmës dalin veç e veç me miqtë e tyre. Për shaka, shpesh mikeshat e vajzës (ose miqtë e djalit) i dhurojnë shoqes/shokut së tyre një kërcim striptease nga një kërcimtar mashkull (në rastin e vajzës) ose femër (në rastin e djalit), si për të thënë “Provoje për herë të fundit shijen e harbimit dhe lirisë, sepse pas martese do të jesh e/i detyruar të shohësh vetëm një mashkull/femër në jetë”. Ideja i pëlqeu Xhemit, sepse e para ajo nuk kishte organizuar një party të tillë (shumë pak kanë nisur ta sjellin këtë traditë në Shqipëri) dhe e dyta do të mund të interpretonte një personazh krejtësisht të kundërt me atë që është në realitet. “Jam argëtuar aq shumë në atë photoshoot, sepse më kujtonte filmat amerikanë, duke nisur që nga limuzina luksoze.

Unë e shoh këtë traditë më shumë si një mbrëmje për t’u mbledhur me shoqet, për t’u çlodhur nga përgatitjet e dasmës, sesa një darkë me një simbolikë të veçantë.
“Xhemi asnjëherë nuk e ka parë martesën si fundin e jetës, por si një fazë që duhet të ndodhte në një moment të caktuar kur ajo të ishte gati. Ndaj nuk kishte “cold feet” si nëpër filma, ku personazhet fillojnë të shqetësohen: “Mos bëj gabim që po martohem?”. Nuk ka debatuar me veten as nëse ishte gati, as nëse Visi ishte njeriu i duhur, as nëse duhet të bënte dasmë e të vishte fustan të bardhë. Asgjë nga këto! Po ta njohësh Xhemin nga afër, e beson që ajo ka ditur gjithmonë të kërkojë atë çfarë do. Donte dasmë të madhe tradicionale, donte një fustan prej princeshash, donte të martohej prej kohësh me njeriun me të cilin ka 3 vjet e lidhur, donte të niste bashkëjetesën pas ceremonisë zyrtare dhe donte që martesa t’i përkiste vetëm asaj dhe miqve e familjarëve të saj, pa qenë nevoja ta dokumentonte vizualisht në publik. Të gjitha ndodhën ashtu siç ajo i kishte menduar. “Këto dilemat para martese më duken pak qesharake. Nëse ke dilema, atëherë ndoshta s’duhet t’i thuash ‘po’ një propozimi për martesë. Unë s’kisha pse të mendohesha dy herë, sepse Visi ishte ai me të cilin doja të kaloja jetën. Ndërsa dasmën e organizova siç e kisha ëndërruar gjithmonë.” Madje edhe muajin e mjaltit e bëri ashtu siç duhej, sipas traditës. U nis për në ishullin e Arubës disa ditë pas dasmës, edhe pse kjo e detyroi të mungonte në javën premierë të sezonit të ri të “E diell”. “Martesa është diçka shumë e shenjtë dhe e dashur për mua, ndaj nuk doja të sakrifikoja asnjë moment të ceremonisë së saj. Dua që një ditë, kur të kthej kokën pas, ta kujtoj me shumë shije të mirë të gjithë atmosferën e atyre ditëve, pa u penduar se lashë diçka pa provuar.”

Si je tani, pas gjithë asaj dasme?
Akoma e lodhur jam, por më duket si një ëndërr. Aq shumë përgatitje, aq shumë punë dhe gjithçka mbaroi kaq shpejt!

U lodhe ti, por i lodhe edhe mediat, që u munduan të shkrepnin një foto nga dasma jote, pa ia arritur.
Siç thanë gazetat, dasmën e kishe blinduar tërësisht. Sepse kjo dasmë nuk ishte e Xhemit që njohin të gjithë në ekran. Dasma është pjesë e jetës sime private, nuk ka lidhje me botën e jashtme. Dëshira ime për të ruajtur lidhjen time nuk ka nisur me këtë dasmë. Unë asnjëherë nuk kam dashur të flas për gjëra që nuk kishin të bënin me punën time. Nuk ka pse të tjerët të dinë se çfarë bëj unë në jetën private, me kë rri, ku shkoj.

Por nuk u prit mirë kjo dëshirë e jotja për privatësi, madje disa gazeta e ironizuan, duke thënë se ti po përpiqeshe t’u ngjaje hollivudianëve.
Këtu çdo gjë ka standard të dyfishtë. Kur pranon t’iu nisësh foto pas martese, të komentojnë: “Ja, e bën dasmën e saj show”, ndërsa kur nuk pranon, shkruajnë gjëra të tilla. Ç’lidhje ka Hollivudi në këtë mes? Kaq e vështirë është të kuptohet që dikush do të ruajë private jetën e saj?! Më vjen të qesh nga ky krahasim kur kujtoj se si m’u desh të pastroja pjesën përpara hyrjes tek pallati im, në mënyrë që njerëzit që vinin për vizitë të mos shkelnin në ndonjë pellg apo kanal. Ky është Hollivudi që njoh unë (qesh).

Të kuptoj ty, por kuptoj edhe pjesën tjetër: kuriozitetin që njerëzit kanë për të ditur më shumë rreth teje. Ndaj nuk u vë faj kolegëve të mi për interesin e treguar mbi dasmën tënde. Gjithsesi kam përshtypjen se gjatë këtyre dy viteve të fundit ke qenë shumë e tërhequr nga vëmendja, përveç kopertinës që ke realizuar 1 vit më parë me “Anabel-in”.
Jam munduar të reduktoj daljet, nuk dua të shkoj aty ku ka fotografë, nuk dua të ketë foto të miat, sepse komentet që bëjnë shpesh nuk kanë asnjë lidhje me foton. I kam evituar të gjitha intervistat e mundshme nëpër gazeta apo revista, por përgjigjem vetëm për ndonjë pyetje të veçantë. Jam dakord që shtypi kërkon të gjejë lajmin sensacional. Ka njerëz që e tolerojnë që jeta e tyre private të lakohet në media, ka të tjerë që duan vetë, por ka edhe si unë, që nuk kanë interes për një gjë të tillë. As që arrij ta logjikoj që të tregoj jetën time private për të mbushur faqe gazete.

Le ta lëmë këtë shqetësim mënjanë dhe le të flasim pak për gjëra të bukura, siç ishte dasma jote. Disa detaje për organizimin mund të na i thuash…
Dasma ime ishte frymëzuar nga dasmat e stilit amerikan. Doja një dekor të bardhë dhe kam kërkuar me muaj të tërë në internet për arredimin perfekt. “Ami Event” e realizoi ashtu siç ia kërkova. E bëra një dasmë tradicionale, ashtu siç i njohim ne dasmat: me darkën e nuses, darkën e dhëndrit, vizita shtëpie dhe më pas, të dielën, me largimin tradicional nga shtëpia.

Të them të drejtën, kur mësova për këtë detaj të fundit, thashë me vete: “Xhemi e paska marrë me të vërtetë seriozisht traditën”.
Po, po, e doja tërësisht tradicionale. Unë nuk kam bashkëjetuar asnjëherë me Visin (shën. red. Elvis Sula, bashkëshorti i saj), ndaj pjesa e të dielës kishte logjikë. Ai realisht erdhi më mori nga shtëpia.

Si t’u duk dasma, dole ashtu siç e ëndërroje?
Përveç faktit që rashë 2 kg nga stresi i përgatitjeve, e shijova shumë, sidomos dasmën e Visit, pasi tek e imja isha më në kontroll të gjërave dhe meqë ishte e para, isha pak e hutuar. Por ishte një eksperiencë vërtet shumë e bukur; nuk besoj se edhe po të bëja të njëjtën festë për përvjetor, do të kishte të njëjtin efekt.

Pse ishe nervoze?
Sepse kisha programuar shumë gjëra dhe nuk doja që dikush apo diçka të harrohej. Gjithë kohës e kisha mendjen tek orkestra dhe tek njerëzit. Doja që ata të kënaqeshin sa më shumë.

Ti je nga ato vajzat që e kanë ëndërruar që në vegjëli fustanin e bardhë?
Gjithmonë më është dukur si pjesa më e bukur e jetës sime. Gjithmonë më kanë pëlqyer dasmat. Sa herë që ndonjë shoqe pallati bëhej nuse, unë përlotesha. Mendoj se gjëja më e bukur dhe e paharrueshme e dasmës sime ishte momenti kur të gjithë njerëzit që ftova erdhën. Kur kërcenin me mua, më uronin me gjithë zemër. Atëherë i thashë vetes: “Xhemi, shiko, ke njerëz që të duan! Nëse këta vijnë e të respektojnë, ke bërë diçka në jetë”.

E bukur kjo që sapo the, sepse kur e mendon, ti ke kaq shumë popullaritet, sa s’duhet ta vije në dyshim këtë gjë.
Është ndryshe popullariteti që krijon me publikun përtej ekranit. Në skenë njerëzit krijojnë një imazh për ty bazuar në atë çfarë ti thua, çfarë ke veshur dhe jo në atë çfarë ti je në të vërtetë. Mund të kesh miliona adhurues dhe asnjë mik të ngushtë, por ky për mua është dëshpërimi më i madh. Të fitosh respektin e miqve e të dish ta ruash këtë respekt është një punë e madhe. Me ta nuk mund të hiqesh, mënyrën e sjelljes nuk e ke të shkruar në skenar. Prandaj ardhja e tyre kishte shumë domethënie dhe vlerë për mua.

Pate problem me listat se kë të mbaje e kë të hiqje?
Jo, unë i kisha idetë e qarta dhe e dija se kë do të ftoja. Kam ftuar njerëz të ndryshëm, qoftë të njohur, sepse kanë mbi 7 vjet që punojnë në të njëjtin televizion me mua, qoftë edhe miq të mi të shkollës apo të fëmijërisë.

Tradicionalja mbeti edhe në muzikë?
Patjetër, doja një dasmë me muzikë popullore kryesisht, sepse ajo është muzika jonë, në fund të fundit. Sado të mundohesh ta bësh moderne, ajo muzikë ta ndez gjakun dhe unë doja që aty të gjithë të ndizeshin (qesh). Kush ka kërcyer, është kënaqur më shumë.

Aq shumë i qëndrove traditës, saqë nuk e hoqe nga lista edhe ardhjen me ceremoni të krushqve. Çfarë mendove në atë moment kur salla u ngrit në këmbë për të përshëndetur hyrjen e familjes së Visit?
Po Visi ku është? (Qesh). Në fakt, Visi hyri i fundit dhe po mendoja me vete me shaka: “Imagjino të ketë ndërruar mendje!”.

Ditën e fundit në shtëpinë tënde, kishe ndonjë emocion apo the “ja, sa të mbaroj edhe këtë, edhe prapë do vij te mami”.
Në të vërtetë, atë ditë më ka kaluar përpara syve e gjithë jeta ime në atë shtëpi: qeni, gjyshja ime, që sa herë hyja në shtëpi më thoshte “Vishi shapkat! Ke ngrënë?” (qesh). M’u kujtua çdo gjë që kam bërë në atë shtëpi, e gjithë fëmijëria ime.

Cili ka qenë momenti më emocionues?
Do të thosha ajo me babanë tim. Im atë nuk para i shpreh ndjenjat e tij me fjalë, por ato ditë dasme më tha: “Jam krenar për vajzën që kam, për atë që je bërë”. Ishte shumë prekëse.

Xhemi, ti je klasifikuar në publik tek vajzat e bukura e të famshme. Por historia e ekranit ka treguar se jo shpesh vajzat e bukura dhe të famshme kanë fatin të gjejnë e të martohen me njeriun që duan...
Është e vështirë për njerëzit e spektaklit e sidomos për vajzat që të gjejnë njeriun me të cilin duan ta kalojnë jetën. Por varet se çfarë do. Unë asnjëherë nuk kam menduar të sakrifikoja familjen për punën. Unë e dua punën në shërbim të familjes, puna duhet të më japë atë çfarë kërkoj, por rëndësi ka familja.

Ti e di që martesa nuk vazhdon gjithmonë si përralla e bukur e natës së dasmës?
Normale. Nuk është se pres që martesa të jetë një fushë me lule dhe e marr jetën ashtu siç është. Nuk ëndërroj për një jetë pa probleme, por jam gati të kaloj të gjithë fazat që shoqërojnë dy të martuar dhe dua ta shijoj këtë lloj progresi.

Nuk të frikëson fare martesa? Nga vajza e vetme e përkëdhelur, tani duhet të nisësh një bashkëjetesë ku të duhet të ndash përgjegjësitë; do të jesh zonja e shtëpisë, me një fjalë.
Unë vërtet jam vajzë e vetme, por kam mësuar të përballoj vetë financat e mia. Jam mësuar të punoj që 20 vjeçe, kam 7 vjet që kam rrogën time, jam gati të ndaj përgjegjësitë, sepse ashtu kam qenë gjithë jetën time. Preferoj një rrugë të sigurt, dua që gjumin ta bëj rehat në darkë.

Mendon se të gjitha femrat duhet të martohen?
Nëse e gjejnë veten mirë ashtu si unë, pse jo? Gjithsesi mendoj se për çdo femër është një zgjedhje personale.

Po fëmijë duhet të ketë një femër?
Edhe këtu është zgjedhje personale. Unë vetë do të doja shumë; jam fëmijë i vetëm dhe mezi pres të kem fëmijët e mi. Dy fëmijë do të ishte shumë mirë. I dua shumë fëmijët, por po të ma bëje këtë pyetje më përpara, do të thosha: “Ndoshta edhe s’duhet të ketë”, sepse unë as që iu afrohesha fëmijëve më përpara.

Xhemi, ti je nuse në një epoke moderne ku ka bashkëjetesa, ku ka shumë divorce, ka tradhti, ka marrëveshje “prenup” dhe ku njerëzit po thonë çdo ditë e më shumë se nuk besojnë tek martesa. Çfarë të bën ty të besosh?
Unë nuk e shoh shumë këtë pjesë që sapo përmende. Unë shoh të martuarit që kanë mbi 20 vjet bashkë; shoh prindërit tanë, të cilët kanë kaluar çdo gjë së bashku dhe sado ulje-ngritje mund të ketë pasur marrëdhënia, ata nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin. Shoh dy të moshuar që i gëzohen një familjeje të madhe që kanë krijuar; shoh çifte që më shumë se burrë e grua, ata janë miq të ngushtë me njëri-tjetrin. Këto imazhe më bëjnë të besoj të martesa.

Këto imazhe që ti sheh i përkasin një brezi tjetër, ku divorci ishte fjalë e huaj dhe paragjykimet ishin të mëdha. Po në këtë brez, martesa zgjidhet më me lehtësi, njerëzit janë më të lirë për të vendosur se ajo gjë nuk bën për ta, se lidhja ka marrë fund...
Kam përshtypjen se shumë vetë që martohen, nuk em kuptojnë siç duhet martesën. Ka shumë vajza e gra që janë të bindura se nëse nuk u shkon muhabeti, duhet të ndahen menjëherë. Nuk duan të përpiqen të rregullojnë problemin, por duan ta evitojnë atë. Por nëse ndahesh pa provuar të paktën të marrësh përgjegjësi, atëherë edhe në një marrëdhënie tjetër do të mbartësh të njëjtat probleme, ndoshta në forma të tjera. Unë mendoj se më mirë se sa të ndahesh, duhet të përpiqesh të rregullosh atë marrëdhënie që ke. Sa keq kur hedh disa vite jetë në kosh, aq më tepër kur ka edhe fëmijë në mes!

Po ka edhe lidhje ku ndarja është më e shëndetshme sesa të ndenjurit bashkë?
Ka raste ekstreme, si p.sh. burri ushtron dhunë ndaj gruas. Në këtë rast unë do të isha pro divorcit. Por këtu po flas për marrëdhënie normale dhe për ata çifte që vazhdojnë të jetojnë ende sikur po kalojnë një dashuri gjimnazi.

Cila është martesa ideale për ty?
Ajo lidhje që të lejon të bësh gjërat që ke bërë më përpara. Ky është çelësi i një martese të lumtur, për mendimin tim. Në lidhje nuk mund të ndrydhesh dhe të heqësh dorë nga disa kënaqësi të mëparshme.

Gjithsesi, për hir të së vërtetës, nga disa kënaqësi edhe duhet të heqësh dorë. Nuk besoj se pjesa më e mirë e grave të martuara dalin ende me shoqet e tyre deri në orët e para të mëngjesit, siç mund të ketë ndodhur kur ato ishin të pamartuara. Edhe meshkujt e privojnë veten nga disa kënaqësi. Madje kot nuk thonë: “Të mblodhi martesa”.
Po kjo nuk duhet keqkuptuar. Kur thonë “ta mblodhi”, kujtojnë se disa ndryshime i ke bërë i/e detyruar, por në fakt unë mendoj se është çështje prioritetesh. Nëse dikur për dikë ishte prioritet të dilte deri në orët e para të mëngjesit e të flirtonte, tani pëlqen që të rrijë në shtëpi me partnerin e saj ose të dalë për darkë të qetë mes miqsh. Mos harrojmë se njeriu ndryshon nga momenti kur kërkon diçka (e në këtë rast njeriun e duhur) në momentin kur e gjen atë që kërkon (pra, njeriun me të cilin do të kalojë jetën). Është një dinamikë krejtësisht tjetër. Vendimet për disa ndryshime në stilin e jetës merren nga të dy dhe në koshiencë të plotë. Por nga një “i tretë” kjo mund të interpretohet edhe si kufizim lirie, pa e ditur as vetë ai konceptin e lirisë.

Ti mendon se je e lirë brenda lidhjes tënde?
Jam e lirë për të bërë ato që dua. Jam e lirë të punoj aty ku dua të punoj, të kem të njëjtët miq që kam pasur gjithmonë. Siç thashë edhe pak më parë, duhet të kuptohet edhe koncepti i lirisë. Sepse nëse do që të dalësh çdo natë deri vonë, të kesh një marrëdhënie të hapur, të vishesh në mënyrë shumë joshëse e të tërheqësh vëmendjen e meshkujve të tjerë, të krijosh një jetë me shumë shërbëtorë e babysitter-a dhe pa asnjë obligim moral për të kontribuar, qoftë edhe me një rregullim krevati në mëngjes, atëherë mendoj se ke bërë gabim që je martuar. Në këtë rast, ti nuk po kërkon liri, ti po kërkon divorc.

Çfarë s’do të bëje kurrë në martesën tënde?
Të isha parazite dhe të lija veten time në dorë të bashkëshortit. Kjo nuk është marrëdhënie. Duhet të punosh e të kesh pavarësinë tënde ekonomike dhe të mos
e ndërtosh marrëdhënien sikur je 100 % e varur nga bashkëshorti. Mund të ndodhë që një ditë në një moment krize ai të të marrë gjithçka: makinën, veshjet, shtëpinë. Çfarë të mbetet? Kjo nuk është lidhje e mirë, për mendimin tim.

Pak më parë the se është e rëndësishme që burri dhe gruaja të jenë miq. Në ç’kuptim?
Të mos kenë sekrete mes tyre, të ndajnë bashkë ndodhitë e ditës dhe të kërkojnë këshillimin e njëri-tjetrit. Nuk dua të jem ajo gruaja gërricëse që ta pyes tim shoq sa të hyjë në derë: “Ku ishe? Me kë ishe? Kush të telefonoi?”. Në këtë formë, ai nuk do të ketë një shoqe pranë dhe rrjedhimisht aty nuk ka bisedë. Thonë që femrat marrin shumë nga mashkulli që kanë pranë.

Ti sa ngjan me Visin?
S’kemi marrë aq shumë. Unë vazhdoj të jem e përpiktë në orar dhe ai vazhdon të vonohet (qesh).

E di çfarë po mendoj në këtë momente interviste? Që do të ketë shumë njerëz që realisht do të habiten se sa tradicionale je. Do të thonë me vete “S’bëka shaka me martesën kjo!”.
(Qesh) Po, sepse nuk është shaka, edhe pse nuk dua të bëhem nga ato që e marrin më seriozisht seç duhet. Më shumë se tradicionale, unë them se mbroj konceptin e martesës. Ka pasur njerëz që kur morën vesh që do të martoheshim, kanë reaguar sikur u thamë se do të vdisnim. Për disa njerëz, ai që martohet, vdes. Dhe kjo më çmend. Jemi vetë ne që e paragjykojmë martesën dhe e bëjmë atë kuçedër kur ajo duhet të jetë thjesht një fazë e re në jetë, një cikël si gjithë të tjerët.

Por ndoshta këta që “të kanë ngushëlluar”, thellë-thellë mund të duan të njëjtën gjë si ty?
Mund të jetë edhe kjo arsye, por në çdo rast nuk duhet luftuar martesa, nuk duhet parë si frikë. Unë mendoj se duhen përkrahur të gjithë ata që duan të krijojnë një familje të shëndetshme dhe të sjellin në këtë jetë fëmijë të rritur me dashuri. Pyetja ime është kjo: “Kjo botë ka nevojë për më shumë cinikë vetmitarë apo për njerëz që vazhdojnë të besojnë tek dashuria dhe tek harmonia familjare?”.

Martesa ka edhe “NE”-në e pashmangshme. Po citoj një pjesë nga “Seksi dhe Qyteti”: “Ne mendojmë kështu, ne do të bëjmë këtë, ne do të shkojmë aty… ne, ne, ne...”
Në atë film ato bëjnë shaka me “ne”, që për shumë konsiderohet si humbje identiteti, por në fakt në familje vendimet merren së bashku dhe prandaj lind përemri “ne”.
Madje përpara disa ditësh plotësova një kartolinë urimi dhe fillimisht e shkrova gabim: “Të uroj”, por e korrigjova shpejt e shpejt (qesh). Të them të drejtën mua më pëlqen kjo fjala “ne”. Madje u kënaqa kur tek dasma e Amit në listë mua ma kishin shënuar emrin Xhemi Sula.

S’të duket pak e çuditshme të të thërrasin Xhemi Sula?
Jo, fare. Është vetëm një ndryshim mbiemri dhe fatmirësisht nuk duket keq (qesh). Edhe pse të kam shoqe prej vitesh, këtë bisedë kaq të kthjellët mbi martesën nuk e kishim bërë asnjëherë. Vetëm se dua të më premtosh diçka: të lutem, mos bjer (siç është një shprehje) asnjëherë “rehat”, që do të thotë qëndro kështu e bukur dhe e këndshme gjithmonë. Ah, tani që u martova vështirë e kam! Aq më shumë që do gatuaj vetë (qesh). Në fakt, po u shëndosha, uroj që arsyeja të mos jenë çokollatat e tepërta, por një fëmijë.

MOS I HUMBISNI