“Produkt 28” nuk u shkri kurrë si grup, pra nuk pati një ndarje të bujshme, megjithëse tre anëtarët ndoqën projekte të reja në mënyrë të mëvetësishme duke mos prodhuar më muzikë bashkë. Sot, nuk janë të pakta shanset që këngëtaret të rikthehen. I ftuar në emisionin “Ditë e re” në Ora News, Fabian Basha, i njohur si Fabi, foli ndër të tjera për planet e ardhshme të “Produkt 28”.
“Nuk është se ka ndodhur ndarja. Erdhi si ide për një pauzë, jo si ide për t’u shkrirë si grup. Që kur u krijuam si grup ishim shumë aktivë. Lançonim këngë pothuajse çdo muaj. Nga 2005-a deri në vitin 2007 ne kishim dy albume në treg dhe nuk janë pak. Ndërkohë ishim prezent në çdo festival të mundshëm. Menduam të shihnim projekte të reja, të eksperimentonim. Pastaj të mos harrojmë që në atë kohë me muzikën nuk mund të jetoje.” – u shpreh ai fillimisht.
Më pas shtoi:
“Muzika ka ndryshuar shumë. Edhe në botë nuk ka shumë grupe, përveç koreanëve që po bëjnë namin duke u mbledhur nga 7-8 vetë. Por një gjë që më jep shpresë ishte rikthimi i ‘West Side Family’, që u prit shumë mirë. Njerëzit kanë nostalgji për ato nota që krijoheshin në atë kohë. Nuk i dihet kurrë. Marrëdhënia jonë mbetet ende miqësore.”
Në fillim të viteve 2000, Fabian Basha, Turjan Hyska dhe Alban Kondi krijuan grupin e njohur, i cili ndërthurte ritmet RnB me Hip-Hop. “Produkt 28” u bë akoma më i popullarizuar tek brezi i ri pas lançimit të këngës “Shqipe”, që do të ndiqej nga të tjera hite si “Një kat më lart”, “Si pemë”, Tre shokët”, “Trokas”, “Inati” etj.