Afrimi i sezonit veror na rikujton makthin e zaptimit të bregdetit shqiptar nga subjektet private. Për çdo herë ndodh një konfliktim mes pushuesve që kërkojnë shfrytëzimin e plazheve publike dhe bizneseve që kanë marrë me qira zona të caktuara dhe vështirë se lejojnë banjo dielli falas.
Si një mënyrë për t’u njohur saktësisht me të drejtat tuaja apo detyrimet (në rast se keni në plan të nënshkruani një kontratë qiraje me njësitë e vetëqeverisjes vendore), në këtë artikull do t’ju njohim me një vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, përsa i përket çështjes së hapësirave publike- private në plazh.
Sipas “Monitor. al”, rregullorja përcakton kushtet minimale që duhet të plotësojë një stacion plazhi sipas kategorisë ku klasifikohet.
Për plazhet e tipit A që janë plazhe kryesisht me përbërje ranore dhe gjerësi të konsiderueshme të brezit të plazhit, rregullorja parashikon që për çadrat dhe ndenjëset e pushuesve të respektohet një distancë prej të paktën 7.5 metra nga vija e bregut të detit, liqenit, lumit.
Po kështu hapësira prej 2.5 metra përpara brezit të parë të çadrave të jetë e lirë për t’u shfrytëzuar nga publiku.
Së treti, hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) nuk duhet të jetë më e vogël se 3 metra në linjë horizontale me vijën e ujit, si dhe jo më e vogël se 2.5 metra në linjë vertikale me vijën e ujit.
Stacioni i plazhit duhet të ketë në dispozicion të peshuesve një dush me ujë të ëmbël për çdo 100 çadra si dhe të jetë i pajisur me shërbimet higjienike, kabinat e zhveshjes, zonën e ndihmës së shpejtë për pushuesit.
Si përfundim, në asnjë rast nuk mund të ndalohet apo të kufizohet, në asnjë formë dhe në asnjë kohë, kalimi i publikut në rrugët që lidhin rrugën publike me plazhin publik.