Për çfarë po flasim?! Sigurisht që për kremin e diellit. Ndonjëherë mendojmë se i dimë të gjitha kur vjen puna tek kujdesi ndaj lëkurës, por asgjë s’ka vlerë nëse nuk përdorim atë. Çdo ditë të jetës! Mund të përdorësh çdo lloj kremi apo të bësh trajtime nga më të shtrenjtat, nëse nuk përdor kremin mbrojtës s’je në rrugë të mbarë.
Gjithsesi le ta harrojmë si e keni trajtuar fytyrën në të shkuarën, nuk është kurrë vonë për të filluar nga e para. Një nga gjërat që duhet të dini është sa nevojë ka fytyra për t’u mbrojtur nga rrezet e dëmshme të diellit. Shtoji kësaj faktin që ende nuk është në kulturën e rutinës sonë që ta përdorim kremin kundër diellit çdo ditë dhe jo vetëm gjatë sezonit pranverë-verë.
Kur vjen puna tek rrezet e dëmshme, informacioni është fuqi. Të vendosësh kremin e diellit çdo ditë do të të mbrojë lëkurën nga djegiet që më pas mund të shkaktojnë edhe kancer. Nuk ka rëndësi sa vjeç je, nga dielli duhet të mbrohesh që prej ditës kur lind.
Njollat kafe dhe ndryshimet në pigmentin e lëkurës janë gjithashtu një arsye e mjaftueshme. Heqja e njollave kafe është një nga proçeset më të vështira për tu arritur. Pavarësisht kremrave, shanset që ato të shfaqen sërish në lëkurë janë të shumta. Përpos kësaj, vendosja e kremit të diellit ndalon zhvillimin e rrudhave dhe plakjen e lëkurës.
E përsërisim sërish! Po shpenzoni para dhe kohë kot nëse bashkë me produktet e fytyrës nuk vendosni kremin kundër diellit. Kështu që futeni në çant direkt pasi ta lexoni këtë dhe mos e nxirrni më kurrë.