Raporti mes grave dhe burrave ka qenë historikisht, në çdo shoqëri, çështje për t’u diskutuar. Ndonëse gjërat kanë ndryshuar dhe sot femrat ja kanë dalë të kenë tjetër status dhe ndikim në jetën sociale, në vendin tonë problemet e kësaj marrëdhënieje janë ende shqetësuese.
Në anketën e cilësisë së jetës, të kryer nga Komisioni Europian dhe publikuar tek Monitor.al, rreth 40% e të anketuarëve janë shprehur se në Shqipëri ka shumë “tension” mes burrave dhe grave.Nga të gjithë vendet e BE-së, kjo ka qenë përqindja më e lartë.
Pyetjes se si e vlerësojnë tensionin mes dy gjinive, 40% janë përgjigjur se “ka shumë tension”, 40% e kanë vlerësuar si “disi të tensionuar”, kurse pjesa tjetër mendon se një tension i tillë nuk ekziston.
Pjesa më e madhe e atyre që e ndjejnë ngërçin e kësaj marrëdhënieje janë gratë. Pas vendit tonë, vendi i dytë me përqindjen më të lartë është Turqia. Duhet përmendur se ky studim me 104 pyetje në total ka patur në fokus disa prej elementëve kryesorë që identifikojnë cilësinë e jetës si; shëndetësia, kujdesin ndaj fëmijëve, cilësia e shkollave dhe shërbime të tjera publike.