
Duket se puna në Shqipëri kryhet nga të pashkolluarit. Në ndryshim nga rajoni, vendet e punës në Shqipëri dominohen nga persona me edukim të ulët ( më pak se 8 vite).
Këto ditë, Banka Botërore analizoi trendet e punësimit në rajonin e Ballkanit, të cilat vunë re se të punësuarit në Shqipëri përgjatë 2017- 2018- ës, në rreth 45 përqind të tyre kanë edukim shkollor të ulët, kundrejt 22 përqind të mesatares rajonale.
Jo vetëm kjo, por në rajon madje është vënë re edhe një zhvillim krejt i kundërt, ku punonjësit me edukim të ulët kanë humbur vendet e punës.

Përjashtim me trendin rajonal kanë bërë vetëm Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria ku punësimi për punonjësit me arsim fillor është rritur. Ndërkohë që në Bosnje, Serbi dhe Kosovë vendet e punës për ata me arsim të ulët janë shkurtuar.

Më së shumti në grupin e punonjësve me arsim fillor dominojnë gratë. Në Ballkanin Perëndimor, përqindja e grave me nivel të ulët të arsimimit në mesin e popullsisë në moshë pune është më e madhe se përqindja e femrave të arsimuara në fuqinë punëtore.

Përsa i përket punonjësve të moshës së artë (25-54 vjeç), rezultoi se përfaqësonin 75% të të punësuarve në Ballkanin Perëndimor, ku përqindja e Shqipërisë shkonte plot 71%.
Burimi: Monitor