KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Bota

Si është gjendja në Venezuelë pas territ total

Shkruar nga Anabel

14 Mars 2019

Pas më shumë se një javë në errësirë të plotë, qytetarët e Venezuelës po shohin sërish dritë! Ndërprerja masive e energjisë elektrike ka prekur 19 nga 23 shtete duke e kthyer vendin në kaos total.

Spitalet funksionojnë me shumë vështirësi dhe një pacient mësohet të ketë humbur jetën, kur aparati i frymëmarrjes u ndal. Ndërkohë gjithë aktivitetet e tjera si shkolla, apo çdo lloj institucioni është pezulluar.

Në Karakas, rrugët u mbushën me njerëz të cilët ecnin në këmbë për orë të tëra, pasi metrotë nuk funksiononin e ndërsa autobuzët kanë plot.

Çfarë e shkaktoi black out-in më të madh të regjistruar në vitet e fundit?

Thuhet, se shkak për rënien e vendit në errësirë totale u bënë problemet me impiantin kryesor energjitik të vendit. Pavarësisht se Venezuela është vend i pasur me naftë, për furnizimin e brendshëm me energji ajo varet nga infrastruktura hidroenergjitike. Mungesa e investimeve për vite me radhë kanë thelluar dëmtimet në digat kryesore.

Aktualisht, presidenti i vendit, Nicolas Maduro ka dhënë urdhër që aktivitetet e punës të nisin sërish, ndërkohë që shkollat edhe për 24 orë të tjera të mbeten të pezulluara.

Maduro i ka kërkuar popullit të fikin dritat dhe të heqin pajisjet nga prizat. “Më ndihmoni t’ju ndihmoj!”- është shprehur ai.

Ndonëse në kryeqytet energjia elektrike është rikthyer, mjekët thonë se spitalet në të gjithë vendin vazhdojnë të përballen me ndërprerje të herëpashershme.

Njerëzit e pashpresë po protestojnë kundër qeverisë duke e fajësuar për terrin në të cilin është zhytur vendi. Ministri i Komunikacioneve, Jorge Rodriguez bashkë me presidentin besojnë se gjithçka që ndodhi erdhi si pasojë e një sulmi kibernetik amerikan.

Burimi: CNN

MOS I HUMBISNI