Të mërkurën, një letër mbërriti në Revista Anabel – Facebook, letra e një djali 18-vjeçar, me origjinë nga Tirana, por që jetonte prej vitesh në Itali. Pasi pranoi se është gay, theksoi se i vjen mirë që pavarësisht mentalitetit, djem shqiptarë bisedojnë nëpër chat-et e ndryshme në Google.
Sigurisht, siç pritej, letra u pasua edhe nga disa komente negative, denigruese dhe ofenduese, të cilat nxitën një tjetër shqiptare të komunitetit LGBTQ+ të reagonte duke u përpjekur të japë në mesazh për gjithë personat që gjenden në një situatë të tillë, ndonjëherë jo fort të lehtë.
“Anabel, bazuar në mesazhin e atij djalit gay, dua të them edhe unë diçka. Unë jam 21 vjeç, jetoj në Greqi dhe jam lesbike. […] Dua të përcjell një mesazh për gjithë njerëzit që janë pjesë e LGBTQ+.
Nëse je LGBTQ+ i hapur ose ende në “dollap” ose thjesht je duke pyetur veten në lidhje me seksualitetin tënd, kjo është për ty!
Të jesh gay është okay. Të jesh trans është okay. Të jesh biseksual, panseksual etj, është okay. Të jesh vetja është super okay.
E di, të kanë quajtur me disa gjëra mjaft të dëmshme. Ndihesh i izoluar, keq, vetëm. Ndihesh i ndarë nga ata që ke afër. Gjithçka që do është të përshtatesh me shoqërinë, për t’u pranuar që të jesh pjesë e saj.
Ke brendësuar ato mesazhe negative që ke marrë, ke brendësuar edhe sjelljen e keqe të prindërve, gjyshërve, vëllezërve, motrës, shokëve, shkollës. Dhe tani ndjen turp, refuzim, frikë, faj. Nuk mund ta pranosh veten. Kjo është gjëja e fundit që pret kur hapesh me botën.
Dëgjo!
Faji nuk është seksualiteti apo gjinia jote. Ka disa gjëra që dua të t’i them. Nuk ka asgjë të keqe me ty. Ti je mjaftueshëm i mirë. Je i përsosur ashtu siç je dhe nuk ke nevojë të ndryshosh për askënd. Ji i vërtetë ndaj vetes.
Ka shumë njerëz atje, ku teksa ecën ditë pas dite, do të të duan, do të të ndihmojnë.
Je shumë më tepër sesa mendon ti. Fol me ta, tregoju të vërtetën tënde. Nuk të premtoj që gjërat do të bëhen më mirë, por do të bëhen më mirë për ty.” – anonime