Pasi festuan deri në orët e para të mëngjesit për 50- vjetorin e Dukagjinit, familja Lipa u zgjua
dhe gatoi kaçamak (me suxhuk), një ushqim tradicional shqiptar.
Shënim: Ndryshe njihet si mëmëligë me miell misri, përvëlak.
Për këdo që nuk ka gatuar kurrë diçka të tillë ose dëshiron të perfeksionojë recetën, më poshtë do t’ju tregojmë si të gatuani një kaçamak për të lëpirë gishtat. Njihuni me një nga gatimet më të vjetra shqiptare, preferuar veçanërisht në ditët e ftohta të dimrit.
Përbërësit:
5 gota ujë
1 gotë miell misri
2 thelpinj hudhër
1 lugë e gjysmë kripë (e vogël)
2 lugë gjalp
Përgatitja:
Në një tenxhere (e mira është të jetë sa më e trashë) hidhni ujin, thelpinjtë e hudhrës dhe kripën. Lërini të ziejnë dhe më pas shtoni ngadalë miellin e misrit duke e përzier gjatë gjithë kohës. Uleni pak nxehtësinë e sobës me qëllim që kaçamaku të bëhet ngadalë. Vazhdoni zierjen për 45 minuta dhe në fund shtoni gjalpin. Kaq e thjeshtë! Mbetet në zgjedhjen tuaj nëse dëshironi t’i hidhni pak djathë apo suxhuk njësoj si Lipajt.
Ju bëftë mirë!