Prej shumë kohësh, këngëtarët shqiptarë i shihnin me frikë albumet dhe me të drejtë. Në një treg ku një hit vere shet shumë më shumë, vështirë që dikush të guxonte të realizonte një album. Megjithatë duket se artistët po i rikthehen albumit, si një formë për të sjellë një produkt muzikor që do të zgjasë shumë më gjatë sesa një summer hit, që pas një viti harrohet dhe zëvendësohet nga një tjetër.
Elvana Gjata risolli në vëmendje epokën e albumit. Në shkurt të një viti më parë, Elvana promovoi albumin EP “3” përmes një koncerti intim, të thjeshtë, por edhe spektakolar në mënyrën e tij. Nën kujdesin e Pirro Çakos dhe Darko Dimitrov, sot, një vit më vonë, “3” ka miliona klikime; këngët janë hit dhe dëgjohen e shijohen po njësoj si ditën e parë.
Tuna është gjithashtu një ndër artistet që beson tek albumet. Ndonëse projektet e reja nuk ishin aq të suksesshme sa pritej, Tuna do të guxojë me një album që do t’i besohet Armend Rexhepagiqit dhe Darko Dimitrov. Nuk është hera e parë që ajo bashkëpunon me Rexhepagiqin. Madje disa nga këngët më të mira të saj, por edhe të muzikës shqiptare, si “Bileta” dhe “Inati” janë kompozuar nga vetë Armendi. “Gjynah që këngë si ‘Testamenti’, ‘Bileta’, ‘Inati’ të përfundonin në arkivat e televizioneve,” u shpreh ajo në një intervistë ekskluzive për Anabel rreth 10 vite më parë.
“Ne duam t’u tregojmë të gjithëve se për të qenë artist i mirëfilltë, duhet të realizojmë albume, projekte me të cilat të kemi çka t’u tregojmë brezave pasardhës,” u shpreh MC Kresha në një intervistë për Anabel në 2016-n. “United States of Albania” është albumi më i ri i labelit P.I.N.T, një produksion i Strike Beatz dhe K-Master në bashkëpunim me reperët e tjerë. “U.S.A”, që është albumi i tretë ku Kresha dhe Lyrical Son bashkëpunojnë të dy, krahas “Për Inati t'Njoni Tjetrit” (2011) dhe “Rapsodët N’rap T’sotit” (2016), do të jetë suksesi i radhës sepse reperët e kanë vërtetuar suksesin bashkë.
Noizy duket gjithashtu se ka në plan të lançojë një album në formë CD, i dyti për të. “Dua t’ju them se po punoj për një album CD. Do të jetë albumi im i dytë me CD,” shkruan reperi në Instagram.
“Rapsodët N’rap T’sotit” i MC Kreshës dhe Lyrical Son ishte albumi i parë shqiptar për një treg ndërkombëtar, i cili vetëm dy ditë pasi u publikua në iTunes, Google Play dhe Amazon arriti të renditej në vendet e para të albumeve më të shitura në Zvicër, Suedi e Maqedoni; në Austri në vend të gjashtë dhe në Gjermani në vendin e 12. Këngët e albumit EP “3” të Elvana Gjatës patën po aq sukses sa hitet si “Ku vajti” apo “Mike”.
Pra, të realizosh një album vërtet kërkon më shumë kohë dhe përkushtim, por nëse produkti është i mirë, suksesi është shumë më i madh se një hit i zakonshëm vere.