
Viti 2018 ishte një betejë e mundimshme për Estela Ujkën, por ia doli me sukses. Siç mund ta keni lexuar, blogerja u diagnostikua me një tumor që prek kockat në njërin prej gishtave të dorës. Sot, e ftuar te “Rudina”, Estela foli gjerë e gjatë për përballjen me sëmundjen fill pasi solli në jetë vajzën e tretë, vogëlushen Damar.
“Për fat është një tumor që është mes malinjit dhe beninjit. Pra, nuk është malinj me rrisk jete, por nëse ndërhyrjet nuk kryhen siç duhet, mund të ketë pasoja fatale. Për fatin tim të keq, hera e parë në spitalet private shqiptare nuk rezultoi e suksesshme dhe këtë duhet ta them. Edhe pse m’u tha se nuk do të ketë rrezikshmëri dhe nuk do të përsëritej, u përsërit.” – tregoi fillimisht ajo duke theksuar se e trembte ideja për ta kryer ndërhyrjen tjetër sërish në Shqipëri.
Sipas saj, tumori kishte një specifikë që sa më shpejt të kapej dhe sa më mirë të bëhej herën e parë, aq më pak rrezik kishte.
“Në asnjë moment nuk m’u tha se po përsëritej. Ndërhyrja herën e dytë në Amerikë ishte radikale. Nuk u ndërtua më gishti ku ndodhej tumori, por vendosëm për një amputim të gishtit [amputim - heqje kirurgjikale e një gjymtyre të trupit; shën.red].”
Periudha më pas ishte e vështirë për blogeren. Ishte e vështirë për t’u pranuar si ide dhe më tepër sesa me sëmundjen, mjekët dhe familjarët punuan fort me psikologjinë e saj.
“Është e vështirë të pranosh veten me një humbje. Megjithëse me statusin e mamasë me tre vajza, ti nuk ke kohë të përkëdhelesh.” – shtoi ajo duke theksuar se burimin e forcës e gjeti tek 3 vajzat dhe bashkëshorti.
Për fat të mirë, sot Estela është jashtë rrezikut për jetën. “Jeta vazhdon, ka zgjidhje alternative (si proteza) që nuk të kushtëzojnë jetën,” përfundoi ajo.