
Ndërkohë që protesta studentore vaazhdon qytetarët e Tiranës kanë treguar solidarizimin me këtë çështje. Disa qytetarë kanë hapur dyert e shtëpive për studentët që janë nga rrethet dhe e kanë të pamundur të kthehen sot apo nesër në shtëpi.
Ata u kanë kërkuar faqeve të ndryshme në rrjete sociale që të bëjnë statuse për të publikuar këtë vendim të tyrin.
Protesta studentore ditën e sotme po vazhdon përpara Ministrisë së Arsimit, njësoj siç ka vazhduar në ditët paraardhëse. Protestuesit janë të vendosur të mos heqin kurrësesi dorë nga kërkesat e tyre dhe të mos bëhen palë me asnjë interes partiak.
Madje ata sot kanë shmangur edhe kalimin nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, për të mos u përplasur me mbështetësit e një tjetër proteste që po zhvillohet sot nga Partia Demokratike.
Protesta studentore po gjen gjithnjë e më shumë mbështetje nga qytetarët dhe nga figurat e njohura të vendit. Përmes statuseve në media sociale këto figura kanë treguar solidarizimin e tyre dhe u kanë bërë këtyre të rinjve thirrje për rezistencë deri në plotësim të kërkesave.