Interneti, të paktën versioni më i prekshëm, është kthyer në një shpatull të ngrohtë elektronike, por që e bën punën njësoj. Çdo ditë, me qindra njerëz na shkruajnë për një mendim të dytë a të dyzetë. Në ndihmë të atyre që kanë nevojë për përvojën kolektive të qindra mijëra lexuesve të Anabel, menduam t’i postojmë letrat tuaja në formën e artikujve. Në këtë mënyrë, edhe ju i gjeni më lehtë kur të gjendeni në të njëjtën vështirësi ndonjë ditë. Faleminderit që na shkruani e faleminderit që na lexoni.
Letra e parë: “Para pesë vitesh më ka ndodhur një situatë që nuk di ta shpjegoj. Shkova për të fjetur rreth orës 12 në mesnatë. Zgjohem në mëngjes dhe shkoj para pasqyrës kur ç’të shoh! Hundët më ishin enjtur, në fytyrë isha gjakosur shumë. Dhe për çudi në krevat nuk kishte asnjë pikë gjaku. Ende dridhem kur e kujtoj.”
Letra e dytë: “E di që do thoni ‘paska rrëshkit kjo’, megjithatë po e tregoj historinë time. Kur erdha të jetoja për herë të parë në shtëpinë e burrit, dëgjoja zhurma çdo natë. Mendoja me vete që sipër do të ketë fëmijë që luajnë dhe nuk u kushtova rëndësi.
Mirëpo zhurmat ishin të përnatshme. Gjithmonë pas orës 12 dëgjoja hedhje, kërcitje, gjëra që binin. I them vjehrrës menjëherë. Ajo më thotë: ‘Uu lëre atë punë ti, është çuni im ai’. Por, çuni ka 16 vite që ka vdekur. Shtanga. Nuk e di ç’të bëj. Ose do mësohem ose do çmendem.”
Letra e tretë: “Kjo ngjarje i ka ndodhur kushërirës sime. Ajo jetonte në konvikt me 4-5 vajza të tjera. Tre prej tyre ishin 'të çmendura' fare. Ndiznin qirinj nëpër dhomë, merrnin rroba dhe mbulonin kokën. dhe në mes të natës i zgjonin nga gjumi që ato t’i shihnin ritet e tyre.
Një natë, njëra prej tyre u zgjua si fantazmë dhe bërtiste duke thënë data dhe gjëra të rëndësishme, që ndodhën në realitet më vonë. Madje tha edhe një datë, datën kur kushërira do të vdesë.
Ka mbi 5 vite që nuk e bën gjumin rehat. Ka frikë të jetë vetëm rrugëve pasi i duket sikur do ta shtypë ndonjë makinë. Ka shkuar në disa xhami që thonë se bëjnë mirë, pasi nuk mundet më.”
Letra e katër: “Ka qenë viti 2013, nata e Vitit të Ri. Sapo kishte kaluar mesnata. Dalim bëjmë një xhiro me babin me makinë. Gjatë gjithë rrugës ai e drejtonte makinën dhe nuk fliste. Ne e pyesnim se ku po na çonte, por nuk kthente përgjigje a thua se ishte hipnotizuar. Vetëm kur e kujtoj më dridhet mishi.
O Zot tmerr! E kaluam Dajtin. Sa sheh babi një burim me ujë, zbret dhe shpëlan fytyrën. Hipëm në makinë, por makina nuk lëvizte. Vetëm u tund aq fortë sa shtangëm të gjithë. Dera pranë meje u hap dhe u përplas shumë shpejt. Mami nisi të thoshte disa fjalë nga Kurani.
Më vonë, babi na tha që nuk e dinte kush e shtyu që të shkonim atje. Nuk mbante mend asgjë nga fjalët tona.”
Mbërritur në Facebook-un e Anabel në lidhje me temën “Historia ime e pazakontë”; përshtatur nga redaksia*