
“Nëse do të të më duhet ta botoja këtë ditar, do t’ua kushtoja së pari grave. Si këmbim, do të doja të lexoja ditarin që një grua do të kishte mbajtur për trupin e saj. Sa për të parë pak më qartë në misterin femëror. Ku qëndron ky mister? Në faktin, për shembull, se një burrë nuk di asgjë për atë çka ndien një grua lidhur me formën dhe peshën e gjinjve, dhe gratë nuk dinë asgjë për atë çka ndiejnë burrat lidhur me telashet që u nxjerr penisi.” – 50 vjeç e 3 muaj; E enjte, 10 janar 1974.
E nisa kështu artikullin e sotëm, duke shkëputur një pjesë nga libri “Ditari i një trupi” i francezit Daniel Pennac. Nëse titulli ju duk i çuditshëm – si mua pak ditë më parë – më lejoni t’jua shpjegoj.

Quhet kështu sepse është i ndërtuar në trajtën e një ditari, që nuk rrëfen mbi detaje biografike, të paktën jo themelore, por përshkruan gjithë jetën e protagonistit në një hark kohor prej 74 vitesh, që nga mosha 12 deri në atë 87-vjeçare.
I sjellë në shqip për herë të tretë nga Botimet Pegi (pas “Si një roman” dhe “Parajsa e gogolëve”), përkthyer nga Edmond Tupja, romani përqëndrohet tek transformimi fizik i heroit gjatë viteve, në të cilat zbulon gjithnjë e më tepër veten.
“Rrëfimtari ia dorëzon ditarit të gjitha disfatat romantike, zaptimet seksuale dhe dështimet, nga fryma e parë tek e fundit. Kjo është shprehja e trupit përmes pendës”, shkruan L’Express, ndërsa Le Figaro e cilëson si “historinë e fibrave tona, historia e njeriut që e nisi keq, vdiq e ringjall mijëra herë dhe e mbushi jetën e tij.”

Tupja e quan romanin një rrugëtim gjenial përmes sekreteve më të thella të njeriut: “I prek të gjitha fushat e jetës. E nis nga trupi. Trupi dhe mendja janë bashkë. Është shumë interesant; ka gjëra konkrete, analiza mjekësore, ka marrëdhëniet me të tjerët, herën e parë kur bën dashuri, si ndihet para publikut në situata të ndryshme etj. Jepet qëndrimi para vdekjes, qëndrimi kur fillon dhe plaket, qëndrimi ndaj dashurisë, homoseksualitetit etj.”
Një roman argëtues, popullor, po njëkohësisht thellësisht filozofik: rrëfehet për trupin, për çdo milimetër të tij, për surprizat e shumta, për makthet, ndjenjat dhe të fshehtat tona.
Në fund, autori shkruan: “Tani, Nani im i vogël, do të na duhet të vdesim. Mos ki frikë, ta tregoj unë si do të bëjmë”, për ta përmbushur kështu jetën e njeriut që rrëfeu pa tabu si “vdiq e ringjall me mijëra herë.”
