Vëllezërit e Blertës, 16-vjeçares që humbi jetën krejt papritur pas një operacioni në gju, i kanë kushtuar të motrës një këngë prekëse. “Si ta pranoj” titullohet projekti që ka emocionuar ndjekësit.
Kënga nis me një video të shkurtër të 16-vjeçares teksa shëtit me biçikletë.
Vëllezërit e Blertës, Landi dhe Ermali, zgjodhën klasën e saj për të realizuar videoklipin, në të cilin nuk munden t’i mbajnë lotët.
Teksti i “Si ta pranoj” u shkrua nga Fifi ndërsa muzika është një prodhim i Kledi Bahitit.
Blerta humbi jetën në maj të 2017-s, gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale në gju, si pasojë e komplikacioneve nga hipertermia malinje. Nga autopsia rezultoi se injektimi i medikamentit dantrolen që përdoret kundër komplikacioneve të tilla, u krye nga mjeku anestezist, por sërish Blerta Pepa nuk mundi të mbijetojë.
Historia mori përmasa edhe më të mëdha për shkak se mjeku anestezist tentoi vetëvrasjen.
Me një vetëpërmbajtje të rrallë, daja dhe i vëllai i Blertës, të ftuar tek "Rudina" vitin e kaluar, iu përgjigjën pyetjes se cili është qëndrimi i tyre karshi anestezistit, që u pa si fajtori kryesor për vdekjen e Blertës.
“Nuk kërkojmë humbjen e asnjë jete. Një humbje nuk duhet shoqëruar me një humbje tjetër.”, u shpreh daja i saj, ndërsa shtoi se e kupton gjestin e mjekut: “Nuk besoj se ka një mjek që të dojë që pacienti të humbë jetën, madje as që të ngelet i dëmtuar.”
16-vjeçarja, nuk ishte e panjohur për ne. Talentin e saj në këngë e shfaqi tek “Gjeniu i Vogël 6”.