I ftuari telefonik në “Kafe IN” sot në mëngjes, Arian Çani u prezantua si njeriu pas “Zonë e Lirë”. Edhe ai vetë dhe moderatori Flavio Qarri ranë dakord se një brez i tërë e ndoshta dy, nuk e dinë se Çani është gazetar karriere. Një pyetje ndoqi tjetrën dhe Çani rrëfeu herën e parë dhe të fundit kur është kërcënuar për shkak të detyrës ose jo.
“Ti mbase nuk do ta besosh po unë s’jam kërcënuar ndonjëherë. Vetëm një herë në jetën time, por s’punoja në televizion atëhere, punoja në gazetë. Ishte viti 1998, isha kryeredaktor i Gazetës Shqiptare.
Mos më kërko të them emra se edhe në këtë rast nuk i them dot. Më morën në telefon për një arsye që s’kishte fare të bënte me mua, s’ishte personale. Për një shkrim në gazetë. E mbaj mend si sot atë natë, sepse ishte gjendja [...] sapo ishte vrarë Azem Hajdari. Ishte dy tre ditë pas vrasjes së
Azem Hajdarit, situata e rendit ishte e rëndë fare, e ke parasysh. Ishte rëndë, ishte jashtë kontrollit Tirana. Ishte pak a shumë gjendje e jashtëzakonshme. Tetor ‘98.
Mbaj mend që ishin dy njerëz shumë të njohur për publikun, por unë nuk i përmend dot. Më morën mua si kryeredaktor dhe filluan kërcënonin, të bënin presion që të ndaloja botimin e një shkrimi. S’po hyj në detaje,” tha Çani.
Dy emrat e njohur të kohës nuk e lanë me aq, por u përballën në person me Çanin.
“Erdhën pastaj në gazetë. Unë mora ca njerëz të tjerë që të mbrohesha sepse unë vetë nuk di të luftoj, [nuk shquhem për grushta]. Dhe kshu u neutralizua kjo histori. Gjithçka ndodhi për shkak të detyrës, s’ishte personale.
Ata dy njerëz, kërkova një ditë, nuk rrojnë më sot. Çudi e madhe.”
Raportime të ndryshme të intervistës e transkriptojnë frazën në shkronja të pjerrëta si “janë shumë zyrtarë sot” ose “janë zyrtarë të lartë sot”. Ne e dëgjojmë “nuk rrojnë më sot.” (min. 17:10)
Arian Çani gjithashtu foli për “Zonë e Lirë” dhe ç’mendim ka ai për lëvizjet nga njëri ekran në tjetrin.
“Nuk e kam menduar veten në ndonjë ekran tjetër të të them të drejtën, por ditën që do të që të më shfaqet një mundësi, pse jo. Unë nuk kam tabu. Emisioni im është emisioni im, është marka ime është e regjistruar në emrin tim, e kam patentë, e kam markë tregtare. Një herë në dhjetë vjet rinovohet. Është koncepti im është e drejta e autorit. Unë mund ta çoj këtë emision ku ta shoh dhe ku të më leverdisë mua,” përfundoi Çani.