Për mendimin tonë

Lori Hoxha drejt shkëputjes nga Top Channel

17 Shtator 2018

Lori Hoxha drejt shkëputjes nga Top Channel

Dje, Lori Hoxha postoi një video në kanalin e saj në YouTube. “I’m gonna jump start my YouTube [sic], do kem so many views [sic]. Ndoshta po të kisha krehur pak flokët,” thotë ajo brenda pak minutash. Në 27 minuta, Lori, Sara dhe shoqet e tyre flasin një miksim milenial të shqipes dhe anglishtes.

Trashëgimtarja e Top Channel thotë se do t’i japë jetë kanalit të saj në YouTube dhe do të ketë shumë shikime. Ka të drejtë që mendon kështu. Nga pasditja e djeshme e deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli, vlogu – video blog, një dokumentim i lirshëm i  ndodhive të një periudhe të caktuar kohore – ka marrrë mbi 50 mijë shikime. Në vlog tregohen ditët para dasmës, por jo dasma, e Sara Hoxhës me Ledion Liços që u mbajt muajin e shkuar, në Komo.

Duke qenë se në dasmë nuk u lejuan fotot dhe u publikuan shumë pak në momentin e ceremonisë e festave, publiku pati natyrshëm kuriozitet për të parë ç’ndodhi pas skenave dhe titulli premton pikërisht këtë. Shikimet e shumta e të befta mund t’i atribuohen faktit që në vlog shfaqen prapaskenat e një prej dasmave më të bujshme në vend, por ky do të ishte një aludim naiv.

Lori Hoxha ngjall interes te publiku dhe ajo e di. “Kam shumë projekte, por nuk dua të flas para,” thotë ajo në vlog. Një prej tyre, është vlogu, të cilin e marketoi shumë pak në Instagramin e saj me mbi 700 mijë ndjekës dhe e pasoi me një postim të dedikuar kanalit në YouTube. Gjithë ç’tregohet në vlog, mund të ishte regjistruar në formën e një dokumentari, ndoshta dhe me seri pë t'u transmetuar në televizion, por Lori zgjodhi diçka më të thjeshtë, më të afërt me ndjekësit e jo më kot.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 

we are live! Link in Bio ?????

A post shared by Lori Hoxha (@lorihoxha) on

Vlogu, tradicionalisht, ka më pak filtra se çdo formë tjetër produksioni dhe e bën shikuesin të ndihet i përfshirë, sikur të ketë qenë aty, sikur të jetë mik me personin para kamerës. Një vlog, është krejt e kundërta e Instagramit, si në rastin e Lori Hoxhës, si në rastin e kujtdo. Nga një foto e ngrirë e perfekte në një vend përrallor, Lori, Sara e shoqet e tyre, motrat Lamaj vijnë në jetë përmes ndodhive dhe bisedave të shkujdesura. Vjollca Hoxha qan para kamerës për dasmën e të bijës, Redia mendon se Sara është shumë trime që po martohet pa babin dhe Sara i shmanget duke folur për hudhrat. Hudhrat gjendeshin në tavolinë sepse i kërkoi Lori, që të mos e merrnin mësysh ditën e dasmës, sigurisht.

Momentalisht dhe prej kohësh, Lori s’është angazhuar me ndonjë detyrë a përgjegjësi në Top Channel. Dhe siç lë të kuptohet në vlog, ka plane për veten që ndoshta nuk përfshijnë televizionin, tanimë në drejtimin e Ben Blushit. Përmes videove në YouTube, Lori mund të ndërtojë një emër për veten, e të mos njihet thjesht si trashëgimtarja e Top Channel. Si pjesë e brezit të parë shqiptar të YouTuber-save dhe me emrin që mban, s’do ta ketë të vështirë.