Para tetë vitesh, Tv Klan solli “Gümüs”, atë që njihet gjerësisht si telenovela e parë turke në ekranet shqiptare. Suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Gjithë shqiptarët u magjepsën pas historisë dhe nga ai moment, Tv Klan e disa televizione të tjera zbuluan poçen me flori. Telenovelat turke mbizotërojnë ende në treg, edhe përbri telenovelave indiane, që patën momentin e tyre të shkëlqimit.
Tetë vite më vonë dhe pas kritikave të qenësishme mbi produksionet orientale që pushtuan televizionet shqiptare, Tv Klan vendosi të kthejë sytë nga perëndimi me disa prej serialeve më të vlerësuara.
Në videon promovuese të sezonit të ri, Klan paralajmëron transmetimin e serialeve si “House of Cards”, “The Blacklist” dhe “Hemlock Grove”. Të tre seriale amerikane, të tre kanë marrë kritika shumë të mira.
“House of Cards” është epitoma e serialeve politike. Gjenial, përtej çdo subjektivizmi. Bëhet fjalë për Frank Underwood dhe bashkëshorten e tij, Claire, që shfrytëzojnë çdo mjet e metodë, qoftë e ligjshme a jo, qoftë morale a jo, për të ngjitur shkallët drejt presidencës. Shumëkush e quan si leksion të shpejtë për politikën dhe me të drejtë.
“The Blacklist” është drama policeske që duan të gjithë, por tejet cilësore. Elizabeth Keen, agjente e FBI, gjendet në situatën më të çuditshme të karrierës së saj në polici: një vrasës që i është shmangur drejtësisë prej vitesh, befasisht dorëzohet dhe është i gatshëm të flasë vetëm me të...
Ndërsa “Hemlock Grove” del jashtë pritshmërive thjesht sepse është horror. Sipas përshkrimit në IMDb, ngjarjet ndodhin në qytezën e Hemlock Grove në Pennsylvania, ku e liga, fshihet nën dritën e diellit. Intrigues.
Këto tre seriale perëndimore vijnë bashkë me dhjetë të tjerë, turq. Sipas videos promovuese, Tv Klan pritet të transmetojë “Çukur”, “Kösem Sultan”, “Cennet”, “Stiletto Vendetta”, “Siyah Beyaz A?k”, “Ertugrul”, “Payitaht: Abdülhamid” dhe “Mehmed Bir Cihan Fatihi”.
Telenovelat turke janë dukshëm shumica, por kanë konkurrentë të fortë në Tv Klan. Gjërat e mira bëhen ngadalë-ngadalë dhe me kalimin e kohës, do të arrihet dhe një raport me më pak diferencë mes orientit dhe oksidentit.
