
Nën drejtimin e Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, Arabia Saudite i aprovoi më në fund kërkesën Martin Chulov, gazetarit të The Guardian, i cili kërkonte të intervistonte Alia Ghanem, nënën e Osama bin Laden, terroristit më famëkeq të kohërave moderne.
Ulur mes dy gjysmë vëllezërve të Osama-s, Ghanem e përshkruan djalin e saj të madh si të turpshëm, por inteligjent akademikisht. Ai u bë një figurë e fortë, nxitëse në të njëzetat, thotë ajo, teksa studionte ekonomiks në Universitetin King Abdulaziz në Jeddah, ku edhe u radikalizua.
“Njerëzit në universitet e ndryshuan,” thotë Ghanem. “U bë tjetër njeri. Ishte djalë i mirë deri kur takoi disa persona që i shpëlanë trurin kur ishte në të njëzetat. Mund ta quani kult. Ata u paguan për kauzën e tyre. I thoja gjithmonë t’u qëndronte larg këtyre burrave dhe ai s’mi tregonte kurrë gjërat që bënin sepse më donte shumë.”
Në fillim të viteve ’80, Osama udhëtoi drejt Afganistanit për të luftuar pushtimin rus. “Kushdo që e takonte asokohe, e respektonte,” tregon Hassan, një nga vëllezerit e Osama-s. “Në fillim, ishim shumë krenarë. Edhe qeveria saudite e trajtonte me fisnikëri, me respekt. Pastaj erdhi Osama, muxhahedini.”
Pas një heshtjeje të gjatë, Hassan thotë “jam shumë krenar për të, pasi është vëllai im i madh. Më mësoi shumë. Por s’jam shumë krenar për të si burrë. U bë i famshëm në gjithë botën dhe shkoi e gjitha dëm.”

A dyshoi ndonjëherë Ghanem se i biri do të bëhej xhihadist? “Kurrë”. Si u ndje kur e mori vesh? “Jashtëzakonisht e mërzitur. Nuk donim që kjo të ndodhte. Si hodhi gjithçka poshtë ashtu?”
Vëllezërit e Osama-s theksojnë se një nënë është dëshmitarja më subjektive. “Kanë kaluar 17 vite që nga sulmi i 11 shtatorit në Kullat Binjake dhe ajo e mohon ende,” thotë Ahmad, vëllai tjetër. “E donte aq shumë sa refuzon ta fajësojë. Fajëson ata rrotull tij. I njeh vetëm anën e mirë, anën që i njohim të gjithë. S’e njohu kurrë anën e xhihadistit.”
Gjysmë motra e Osama-s, e cila jeton në Paris, kontaktoi familjen përmes emailit dhe kundërshtoi intervistën e Ghanem. Sipas saj, e ëma u presionua të fliste dhe i gjithë takimi duhej riorganizuar përmes saj.

Për sa i përket djalit të Osama-s, Hamza 29-vjeçar, ai u shpall “terrorist botëror” nga Shtetet e Bashkuara dhe duket se ka zënë vendin e të atit.
“Menduam se mori fund,” thotë Hassan. “Pastaj nga hiçi, Hamza thotë se do të marrë hak për të atin. Nuk dua të përjetoj të njëjtën gjë dy herë. Nëse Hamza do të ishte këtu tani do i thoja të udhëzoftë Zoti. Mendohu dy herë për ç’po bën. Mos ec në hapat e tët eti. Po futesh në pjesë të errëta të shpirtit.”
Shkrimin e plotë mund ta lexoni këtu.