Elira në botën e burrave!

Kujdes nga lulet!

18 Shtator 2014

Kujdes nga lulet!

Në ato kohë punoja si asistente në një zyrë kontabiliteti dhe e adhuroja faktin që isha e vetmja femër në zyrë.

Asnjëherë nuk më kanë pëlqyer punët e zakonshme, me orare të paracaktuara dhe rutinë përsëritëse, prandaj isha mirënjohëse që mund ti fluturoja tetë orët e punës duke flirtuar apo thjesht duke ndjerë vëmëndjen e shefit, kolegëve, madje edhe klienteve që hynin e dilnin.

Për të mos thënë sa argëtohesha kur i refuzoja ata, por vetëm pasi i lija pezull për disa javë.

Ndoshta në ndonjë pjesë të  tregimeve të mia, do të pyesni  ‘’Çfarë njeriu je ti?”.

Mbani mend përgjigjen që u kam dhënë të gjithë atyre që më kanë pyetur: Unë nuk jam njeri, jam femër!

Veç punonjësve dhe klientëve,në zyrën tone vinte vërdallë nje mushkonjë  nja 1,9 metër, me një zë baritor por paksa të ngjirur dhe me ca lëvizje irrituese të shpejta por te shkurtra, gati komik, me emrin Ilir.

Përveçse që Iliri ishte miku i ngushtë i shefit tim, nuk dihej arsyeja përse dukej herë pas here nga zyra jonë.

Por ai ishte vërtetë një mushkonjë, një shushunjë që ushqehej me vëmendjen e të gjithëve. Jo timen!

Ai nuk hynte kurrë nga ajo derë pa bërë një skenë, madje ndonjëherë  vinte edhe i dehur.

Do vardallisej nëpër zyrë me atë zërin e tij gërvishtës duke treguar çdo herë sukseset e tij me një femër te re, duke treguar gjithçka me duar e me këmbë e duke u kapardisur prej admirimit e zilisë në sytë e kolegëve te mi.

Për të qënë një “Don Zhuan” siç përshkruhej dhe vetëpërshkruhej, unë isha goxha e padukshme për Ilirin.

E injoronim njëri-tjetrin deri në nihilizëm, po mendoja me vete teksa bëhesha gati të dilja nga zyra një pasdite. Mora çantën dhe dola në heshtje.

Gjithsesi, kush do kujtohej të më përshëndeste mua, një zonjushë të porsaçelur me gjokse të fryrë e flokë të gjatë, ndërkohë që në zyrë ndodhej Iliri dhe odisetë e tij.

Por me të dalë nga zyra, u lehtësova qe mund të merrja frymë nga një ajër tjetër dhe ti dedikohesha takimit tim me Luisin atë mbrëmje.

Bëja mirë të nxitoja.

Teuta, ishte mbretereshë Ilire,- tha zëri i ngjirur pas meje duke më bërë të hidhesha përpjetë.

Ktheva kokën rrëmbimthi dhe sa nuk u perplasa me hundën e tij. Ishte ai, Iliri!

Çfarë...çfarë?- mezi belbëzova duke shqyer sytë.

Teuta,- tha- ajo ishte mbretëreshë Ilire.

Hë...dhe? çfarë? - përsërita, këtë herë me nervozizëm.

Asgjë. Kot. Nuk dija çfarë të thoja herën e parë që do të të flisja- tha ai me një sinqeritet çarmatosës, dërrmues.

Nuk dija çfarë të thoja dhe është gjë që mua nuk ka gjasa të më ndodh shpesh. Duhet të thoja diçka inteligjente, shpejt! Duhet te thoja diçka që të më lejonte të largohesha në mënyrë spektakolare, ose do mbytesha në heshtjen time në ato sekonda të pafundme.

Por pse dreqin më interesonte ti beja përshtypje njeriut më acarues që kisha njohur ndonjëherë? Ndoshta doja thjesht të korrja një fitore në atë betejën tonë të pashpallur.

Herë tjetër bëj kujdes,- i thashë më në fund- me hundën time si shpatë mund të të kisha nxjerrë ndonjë sy.

Çfarë? Çfarë dreqin thashë? Doja të zhdukesha nga faqa e dheut!

Ai qeshi. Qeshte...cuditshëm, por mënyra si i bashkoheshin dhëmbët kur qeshte më bëri ti ndjeja këmbët të dobëta.

Jooo, ke një hundë shumë të këndshme- tha dhe iku.

Si iku? Çfare do të thotë kjo? Ai fitoi? Ai tha batuten e fundit. Skena duhet të jetë gjithmonë e tij.

Kopil i poshtër!

Unë i pëlqej? Unë i pëlqej!

Kalova gishtat e mi mbi hundë dhe buzëqesha si kokrra e idiotes.

Eca në këmbë deri në shtëpi,bëra një dush, make up dhe u bëra gati për të dalë, gjithçka në mënyrë inertike ndërkohë që mendoja ende për Ilirin duke nënqeshur herë me sy ëndërrimtar, herë me sy kërcënues për të bindur veten se do ma paguante.Por për çfarë?  Nuk e di. Ndoshta për faktin që ekzistonte!

Ndenja e përhumbur në këto mendime derisa zilja e telefonit më solli në realitet.

Ishte Luisi që tashmë ishte duke më pritur në makinë.

Luisi ishte nje mashkull vertete i bukur, i gjatë dhe me bythë.

Këtu vlen të sqaroj se unë kategorikisht nuk dal me meshkuj pa bythë! Une kam një fobi nga meshkujt pa bythë madje them se nuk mund të ndërveproj fare me ta.

Si mund te lidhem me një mashkull që i ka bythët më te vogla se unë? Vetëm nëse i ka shumë, por shumë të lezetshme.

Mund të jetë edhe legjendë urbane por shoqet e mia mendojnë se unë i mbaj mënd çunat vetëm nga bythët dhe se nuk e harroj kurrë nje bythë te parë diku.

Para se të shkruaj një kapitull të tërë për bythët e meshkujve, po thoja që Luisi pra, kishte edhe bythë përveçse që ishte i gjatë, simpatik dhe inteligjent, punonte si inxhinier projektimi në një nga zyrat më të njohura në Tiranë dhe ishte shumë i sjellshëm.

Ishte nga ata djemë të cilët i përmbushin të gjitha kriteret e listave që përpilojne femrat vetëm pasi zhgënjehen nga ndonjë harbut dhe vendosin të vetërespektohen këtej e tutje.

Dilja me Luisin prej rreth një muaji dhe shkrihesha fare nga ëmbëlsia e tij kur më prekte lehtë shpatullat dhe më thoshte sa e bukur isha. Çfarë doja më shumë?

Një puthje! Një dreq puthje të mallkuar!

Nuk e dija nëse ishte tëpër i ndrojtur nga unë apo po priste të më puthte pasi të më propozonte për martesë.

Disa goca ankohen se u fusin duart në takimin e parë, të tjera vuajnë si unë me Luisin.

Atë mbrëmje Luisi dukej aq i bukur nën dritat e zbehta të rrugës që i binin mbi fytyrë teksa ngiste makinën.

Ku do shkojmë,- më pyeti.

- Ku të duash.

A pimë diçka të ngrohtë te Elysse?- tha duke fërkuar duart si për të thënë sa do ti shijonte diçka e ngrohtë në kontrast me të ftohtin që bënte jashtë.

Jo po të hamë gështenja te ai xhaxhi te Myslym Shyri,- i them. -Po ça thua se çdo herë te Elysee shkojmë.

Buzëqeshi me mundim dhe nuk foli derisa ndaluam në semafor.

E di çfarë,- tha duke drejtuar shpinën sikur nga ajo bytha e bukur të kishte lindur papritur nje ide që iu ngjit përmes shpinës deri tek ajo goja që kishte frikë ta përdorte,- kam nje apartament të vogël në Durrës, në bregdet…në fakt…jo, e di pse them, duhet që duhet të shkoj të ujis lulet…se u bë kohë…sigurisht duhet të kalojmë një herë nga shtëpia të marr çelësat…por po ashtu…ë? Shkojmë?

Shkojmë, i thashë unë duke u përpjekur të tingëlloj naïve dhe aspak entuiziaste ndërkohë që shtrëngoja nofullat për të mos buzëqeshur si maniake.

Të ujisim lulet ë? Epo ndoshta une nuk isha tamam një lule, por edhe shkurret duhen ujitur herë pas here.

Brezi i ‘Mëngjes tek Tifani”, e quanin “Eja të të tregoj koleksionin e fluturave”, brezi i Luisit e quaka “të ujisim lulet”.

Isha aq e lumtur sa që gjatë gjithë rrugës nuk më mbyllej goja e madje këndoja bashkë me radion duke berë sikur i dija tekstet e këngëve.

Më në fund do të merrja atë që doja, madje do të merrja më shumë, dhe njëherësh.

Sa mirë që më në fund mori guximin! Djalë i mirë.

Hymë në apartamentin e tij të vogël që vetëm ballkonin e kishte më të madh se e gjithë shtëpia ime dhe më tregoi shtëpinë dhe një raft te vogël e të thjeshtë ku mbante verë dhe vodka.

Epo ky i turpshmi i madh, kushedi sa vajza sjell për të ujitur lulet që paska krijuar kushte te tilla, po mendoja ndërkohë që ai më mbushte gotën.

Ai doli në ballkon. Unë u rehatova në divan duke berë prova: a ti mbaja këmbët ulur apo njëra mbi tjetrën, gotën ta mbaja në dorë apo ta lija në tavolinë? Doja të dukesha sa më joshëse kur të vinte e të më afrohej ashtu siç e kisha imagjinuar.

Jo, jo! U ngrita në këmbë. Më mirë ta prisja në këmbë me gotën në dorë dhe ai do vinte, do ma merrte gotën, do ta vinte me kujdes mbi tavolinë, pastaj do me kapte prej dore dhe do më udhëhiqte në dhomën e gjumit.

Ose ndoshta duhet të rrija me shpinën nga dera duke u shtirur sikur nuk e prisja fare kur ai të vinte e të më pushtonte nga pas me krahët e tij e të më puthte qafën.

Ndërkohe Luisi po vonohej dhe më humbi durimi.

Ndoshta ai më priste në ballkon që të më puthte aty me pamje nga deti dhe erën e freskët të mbrëmjes që duke më tundur flokët do shpërndante parfumin tim në ajër.

Dola ne ballkon dhe shoh Luisin që po lëvizte si një chiwawa i tërbuar sa andej këndej me zorra dhe kova në duar duke ujitur luleeet!

Po ujiste lulet? Po ujiste vërtet lulet!

Ndoshta vodka ma dha në kokë ose ndoshta me gjithë te drejtat e botës ngrita zërin:

-Për çfare erdhëm këtu ne?

Për të ujitur lulet pra,-  mu përgjigj aq natyrshëm sa nuk mund të ishte duke u tallur dhe palosi këmbëzat e pantallonave për të mos u lagur.

-Mos do edhe ndihmë? - i ulërita dhe ika duke përplasur derën pa e dëgjuar nëse më ktheu përgjigje.

Zbrita me vrull dhe e prita në makinë derisa erdhi. Nuk fola asnjë fjalë gjatë gjithë rrugës deri sa u kthyem në Tiranë, e përshëndeta me mirësjellje kur më la poshtë shtëpisë sime dhe nuk ja hapa më kurrë telefonin.

MOS I HUMBISNI