
“Dua të të bëj të lumtur” solli një histori mbijetese dhe kurajoje që vinte nga miniera e Bulqizës. Në studio erdhi Mersini, i cili dëshironte të falenderonte Afrimin, kolegun e tij të punës.
Historia kishte nisur kur minatorët filluan të bënin punime dhe ishin futur 100 metra nën tokë. Por diçka shkoi keq, një shpërthim u dogji çdo pjesë të trupit që kishin të pa mbuluar. Nëpërmjet ruajtjes së qetësisë dhe dhënies së kurajos nga Afrimi ata shpëtuan dhe mbijetuan pa pasur asnjë dëmtim.

Sot ishte Mersini ai që i ishte drejtuar programit për të falenderuar njeriun që i shpëtoi jetën, jo vetëm atij por të gjithëve. Gjatë bisedës që zhvilluan me Arbana Osmanin, minatorët treguan vështirësitë që kishin kaluar ditën kur kishte ndodhur shpërthimi. Ata treguan që kishin shumë kohë që punonin në minierë dhe se ajo tashmë ishte bërë si shtëpi e dytë. Madje treguan se gjithë kjo kohë që kishin kaluar i kishte bërë më të afërt, sikur të ishin një familje.

Minatorët gjithashtu rrëfyen nëse do të dëshironin që fëmijët e tyrë të punonin në minierën e Bulqizës. Mersini u shpreh që nuk do të dëshironte kurrë, ndërsa Afrimi tha që nëse djali i tij nuk do të kishte ikur për emigracion do të punonte aty, pasi nuk kishte vende pune tjetër.