Gushtin e shkuar, Bashkia e Tiranës premtoi implementimin e e-kioskave, një lloj automati në të cilin mund të tërhiqen dokumenta personale si vërtetime apo të bëhen aplikime të ndryshme.
Dje, Kryebashkiaku Veliaj ia prezantoi e-kioskat në fjalë qytetit. Si në bankomat, kushdo mund t’i drejtohet një e-kioske, të identifikohet me anë të kartës së identitetit dhe të zgjedhë dokumentin që i nevojitet i cili printohet në e-kioskë pa pagesë. E-kioskat janë të aksesueshme në çdo orë të ditës, në çdo orë të javës.
“Në pak minuta, pa pagesë, shumicën e këtyre aplikimeve, si aplikimi për hapësirë publike, për licencë taksie, për akses në rrugë, për aktivitete politike, protesta, mitingje, koncerte, pa më shumë se 60% e shërbimeve që ofrohen në sportelin e bashkisë, fare mirë mund të aksesohen përmes e-kioskës,” tha Veliaj dje.
Momentalisht, në Bashkinë e Tiranës janë shpërndarë 10 e-kioska; disa pranë qendrës e disa në zona si Farka, Bërzhita apo Shëngjergji. Për të parë hartën e vendndodhjeve të e-kioskave, shërbimet që ofrohen apo për të kërkuar ndihmë, mund të futeni në faqen zyrtare të web-it, ekioska.al.
Për një gamë më të gjerë shërbimesh mund të vizitoni portalin shtetëror e-albania.al dhe duke klikuar këtu, mund të lexoni më shumë për të.