
Ornela Vorpsi, shkrimtare, piktore dhe fotografe, është rikthyer në Tiranë pas vitesh mungesë për të promovuar një ekspozitë personale. Dje mbrëma, ajo ishte e ftuar në Opinion me Blendi Fevziun, ku dha një intervistë të sinqertë për gjithë jetën e saj, duke nisur nga fëmijëria, e deri tek planet e të ardhmes.
Në një moment, Ornela u pyet për të motrën e saj nga babai, Laura Vorpsi, ish zëdhënësen e Partisë Demokratike.
“Për momentin i kam prerë raportet me motrën time, sepse kemi etika të ndryshme, dëshira të ndryshme dhe ndjej se nuk kemi ç’të ndajmë me njëra-tjetrën. Kam nevojë për shkëmbim të thellë dhe të vërtetë. Kur nuk e kam nuk më intereson më njeriu, qoftë motër... Nuk kam më raporte. Këtë kam zgjedhur. Të mos kem më raporte.”

Ornela Vorpsi, në intervistat e dhëna së fundi ka pranuar se dikur ishte e dashuruar me Edi Ramën, ndërsa ai jo. Sidoqoftë, marrëdhënia e tyre mbeti “njerëzore” dhe ruajnë komunikimet. Nga ana tjetër, Laura Vorpsi punoi për thuajse dy vite për Partinë Demokratike. Ky dallim politik mund të jetë shkaku pas “etikave të ndryshme” të dy motrave.
Për herë të fundit ato u panë bashkë në 2015-n, në plazh. Laura Vorpsi nuk ka komentuar në lidhje me prononcimin e të motrës.
Ekspozitën e Ornela Vorpsit mund ta shihni në hollin protokollar të Kryeministrisë deri më 30 qershor.