Mes rubrikave tona të preferuara, sigurisht ajo e udhëtimeve zë një vend shumë të veçantë, kështu që Anabel.al do të sjellë herë pas here intervista me personazhe të njohur që udhëtojnë shumë. Këtë rubrikë, do ta nisim me një të apasionuar pas tyre që fundjava zor se e gjen në kryeqytet. Dhe sigurisht, e kemi fjalën për Blendi Fevziun. Në një intervistë ekskluzive për Anabel, gazetari ka ndarë eksperiencën e udhëtimeve ndër vite me radhë...
Cili ka qenë udhëtimi yt i parë jashtë Shqipërisë dhe çfarë ishte një gjë,(ose disa gjëra që mësove në atë udhëtim)?
Udhëtimi i parë ka qenë në Romë, Itali, më 1991. E kujtoj edhe datën. Ishte 30 mars. Gjëja e parë dhe më e rëndësishme që mësova ishte se bota ishte shumë e madhe, shumë e larmishme dhe nuk ngjante fare me uniformitetin e Shqipërisë komuniste.
Tek ne, jeta, kishte ndaluar thuajse një gjysmë shekulli më parë, ndërsa bota kishte ecur përpara. Atëherë shpresova se do të kisha mundësi ta kapja kohën e humbur. Të udhëtoja për të parë sa më shumë nga ajo botë, që për ne kishte qenë "botë e ndaluar".
Sa vende ke vizituar deri tani?
Nuk jam shumë i saktë, por besoj tek diku mbi 100. Pastaj varet se çfarë kupton me vende, sepse udhëtimet klasifikohen me vende anëtare të OKB - së, vende të pavarura, vende që vetëadministrohen. Nëse i mbledh të gjitha besoj se mbi 100 e pak.
Cilat vende je shumë kurioz të shohësh?
Jam kurioz të shoh çdo vend të botës, kudo që të mundem. Por si në çdo gjë ka një listë prioritare. Tibeti, Nepali, Mongolia, Peruja, Zambia, Ruanda, Namibia, Zelanda e Re, Uzbekistani, Polinezia Franceze mbeten prioritete më të afërta. Dmth të parat në listën e viteve që vijnë.
Cilin vend ke paragjykuar më shumë përpara se të niseshe dhe çfarë specifikisht të ka ndryshuar mendimin për atë vend? (E ke paragjykuar qoftë për mirë apo jo)
Për shumicën e vendeve jashtë Europës ne kemi paragjykime. Pastaj kur i udhëton, kur njihesh me stilin e jetesës, filozofinë e tyre dhe sidomos pasuritë kulturore magjepsesh. Ne shqiptarët jemi mbase populli më paragjykues i botës.
Një herë kur shkoja për në Kenia, polici i aeroportit me bëri një: pfff, ç'të duhet në Afrikë, të ha luani. Në fakt Afrika është e mrekullueshme dhe ka shumë gjëra në të cilat ne jemi ende shumë mbrapa. Që nga mënyra se si ata kujdesen për natyrën dhe paqet e tyre kombëtare.
Në cilin (apo cilat) shtete të kanë mahnitur me shumë për arkitekturën e tyre?
E gjithë Europa është mahnitëse në arkitekturë. Thuajse çdo qytet është ndryshe nga tjetri. Pastaj varet. Ka qytete modernë mahnitës si Singapori. Ka qytete me arkitekturë të ruajtur koloniale, edhe pse gjys të rrënuar si Havana e Kubës apo Yangon i Myanmarit.
Ka qytete që janë bërë shablon si shumë qytete amerikane apo Tokio. Por qyteti më mahnitës në botë është padyshim Jeruzalemi. Qyteti i vjetër, gjithkush duhet ta shohë patjetër. Aty dallon miksimin e kulturave dhe historisë.
Vendi i shenjtë Hebre, Muri i lotëve, është edhe muri mbajtës i xhamisë së tretë më të shenjtë myslimane, Al Aksa, prej nga Muhameti u ngjit në qiell. Në krah të saj është kisha ku gjenden reliket e Krishtit. Të gjitha bashkë rrethuar nga një arkitekturë që nuk ndryshon prej afro 500 vitesh. Mahnitëse!
Po për natyrën e tyre?
Afrika ka një natyrë mahnitëse. Je në mes të asgjëje dhe rreth e rrotull shtrihen kilometra të tërë të qetë, ku dallon vetëm akaciet e larta dhe xhirafat që ushqehen me gjethet e tyre. Eshtë një paqtim që s’e gjën më në botë.
Gjelbërim dhe vegjetacion fantastik ka Seishelli, Tailanda dhe sidomos Malajzia me Myanmarin. Për detin, me aq sa kam parë deri tani, nuk kam dyshim që Turk and Caicos është vendi më fantastik. Të gjithë flasin për Maldivet, por Maldives as krahasohen me Karaibet.
Ke udhëtuar ndonjëherë vetëm dhe nëse po, ku? A udhëtohet mirë vetëm?
Po, kam udhëtuar vetëm. Ka qëlluar, por rrallë. Vetëm udhëtohet shumë mirë sepse ti orientohesh veç në ato gjëra që janë prioritetet e tua. Ka shumë vetë që udhëtojnë vetëm dhe gjatë.
Sidomos amerikanët. Në Iran kemi takuar një vajzë amerikane që udhëtonte e vetme mes Iranit, Pakistanit, Afganistanit. Ishte impresionuese.
Ku ke shkuar dhe je mahnitur kudo me gatimet?
Po, çdo vend ka stilin e tij të kuzhinës dhe pothuajse kudo kam dalë shumë i kënaqur.
Cili vend nuk të ka shijuar nga ana e kulinarisë?
Besoj se më mirë se kudo gatimi është në Europë. Por edhe Japonia, Tailanda, Kina. Edhe Kamboxhia e Birmania kanë kuzhinë shumë interesante. Padyshim që më e mira që mbaj mend është ajo Libaneze që kam provuar në Beirut dhe Zahli.
Cili ka qenë udhëtimi më i vështirë dhe pse?
Besoj se vendet në luftë. Afganistani, Iraku, Libani. Për arsye se e ke pak të vështirë lëvizjen. Nga udhëtimet e tjera janë ato në vende ku mungon infrastruktura dhe siguria. Nigeri psh, ku në zonat e Kacinës dhe Kanu, për arsye sigurie mezi lëviz.
Cili është vendi më i lirë (pra çmimet më të ulëta) në të cilin ke shkuar?
Vende e Azisë. Kamboxhia, Vietnami dhe sidomos Tailanda. Kuba po ashtu.
Cili mendon se është një vend i mbivlerësuar nga revistat online? Po i nënvlerësuar?
Zakonisht vendet europiane janë të mbivlerësuar. Italia, Greqia, Spanja. Ka më shumë reklamë se sa gjendja reale.
Është si batute tashmë, por thonë se mund të gjesh shqiptarë edhe në skajet më të largëta të botës. Ka qenë ndonjë vend ku ke takuar shqiptarë apo ke dëgjuar shqip kur s’ta priste mendja?
Ka pothuajse kudo. Më kanë dalë përpara në Afrikë, në Turk and Kaikos, madje edhe në qytetet më të largëta të Birmanisë. Tani prej Instagramit, e shohin që je aty dhe të shkruajnë.
Cili është leksioni më i madh që ke marrë nga të udhëtuarit nëpër botë dhe që do të doje që edhe femijet e tu ta merrnin?
Që njeriu bagazhin më të madh dhe kulturën më të madhe në jetë e merr nga udhëtimet. Sa më shumë të njohesh, aq me mirë dhe më realist bëhesh. E vlerëson vendin tënd dhe veten.
Ka shume prindër në botë që i këshillojnë fëmijët që të marrin një vit pushim pas gjimnazit dhe të udhëtojnë vetë botën. Ti do t'ja keshilloje këtë vajzave të tua?
Pa asnjë dyshim. Do doja shumë që të udhëtonin në Kinë dhe Azi në përgjithësi. Duhet ta bëjnë patjetër. Dhe pa shumë pretendime.
Cili është ai vend ku do të ktheheshe me qejf gjithmonë?
Nju Jorku dhe Parisi. Dhe kthehem gjithnjë.
Cili ka qenë udhëtimi më i gjatë i jetës tënde (me gjithë vonesa e pritje) dhe çfarë destinacioni?
Ohu, ka shumë. Ja, ky i fundit nga Birmania, prej Bagani në Tiranë, kishte plot, pesë segmente udhëtimi. Dhe ishte shumë qejf. Zakonisht udhëtimet e mia janë gjithë ndalesa.
A mendon se ka ndryshim në sjellje nga turistët shqiptarë me turistët e tjerë të huaj?
Po gjej dhe po ndesh gjithnjë e më shumë shqiptarë, të rinj kryesisht që udhëtojnë shumë. Dhe janë fantastikë. Ndryshimi i vetëm është se një pjesë e shqiptarëve e konsiderojnë udhëtimin si segement ndihmës të Instagramit dhe imitojnë blogerët. Ato nuk janë udhëtime në fakt.
Të huajt që vijnë tek ne vlerësojnë shumë faktin që ne jemi të ngrohtë si njerëz dhe të gatshëm per t'i ndihmuar. Në cilat vende ti e ke ndeshur të njëjtën ngrohtësi nga të panjohurit?
Vendet e varfëra, të vogla dhe që kanë vuajtur izolim të gjatë, janë njësoj. Kuba, Myanmari, Vietnami, Kamboxhia, Nigeria, Irani, e shumë të tjerë, janë fiks si ne.
Në cilin vend/ cilat vende je ndjerë krejtësisht i huaj dhe në cilat vende ke menduar që edhe mund të jetoje, ose të kishe lindur aty?
Ka shumë vende që ndihesh i huaj. Që të duket sikur ti s’ke fare se çfarë bën aty. Por do jetoja më shumë kënqësi në Nju Jork.
Cili vend të ka bërë përshtypje për rregullat më të ashpra dhe çfarë rregullash ishin?
Singapori. Absolutisht unikal. Të ndalon çdo gjë, duke përfshirë çimçakizin nga frika se mund ta hedhësh në tokë. Dhe nëse hedh një letër, paguan 500 dollarë gjobë.
Nga të gjithë vendet e botës që ke parë, ku e rendit Shqipërinë përsa i përket vëmendjes që i ka kushtuar turizmit?
Shqipëria ende s’e ka kuptuar se çfarë pasurie është turizmi dhe as është e përgatitur seriozisht për të. Por nga ana tjetër, shqiptarët kanë një shpirt kurioz dhe me lehtësinë që i marrin gjërat bëhet shumë atraktivë për turistët.
A ka ndodhur ndonjëherë që ke qenë në një vend dhe realisht je ndjerë keq për Shqipërine se mund të ofronte më shumë, por në të vërtetë ofron shumë më pak se ky vend specifik?
Pothuajse në çdo vend që shkoj. Sidomos vende të varfëra të ngjashme me ne.
Çfarë nuk të priste mendja se do të shihje ndonjëherë dhe e ke pare?
Një ditë më dolën përpara në një artikull të CNN traveller, 7 mrekullitë e reja të botës. Pashë që kisha qenë në 4 prej tyre. Janë 8 në fakt se përfshihen edhe piramidat e Egjiptit.
Sot, kam parë 7 nga 8 që janë gjithsej. Dhe besoj se do ta shoh edhe të 8. Ndër to, është tempulli i famshëm Angkor Uat në Siem Riep, Kamboxhia ose Kabuli në Afganistan.
Nëse mund t'u sugjeroje lexuesve 5 vende që sipas teje duhet t'i shohin në jetën e tyre, cilat do të ishin?
Janë shumë, nuk përmblidhen kurrë në 5. Por do të thoja, nëse flasim për turizëm kulturor: Jeruzalemi, Meka në Arabinë Saudite, Kina, Afrika e Jugut, SHBA-ja.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.