Fatma Haxhialiu, gazetare e emisionit Thumb, mendon se është “absurde që në 2018-n të ketë kope qensh të lëshuara rrugëve, në mes të qytetit. Si zgjidhje, ajo propozon "rehabilitimin" e tyre dhe shpreson që kjo iniciativë të jetë “ndër pikat kryesore të axhendës së Bashkisë.”
Gjithçka nisi nga ky postim në të cilin gazetarja tregoi ç’i kishte ndodhur bashkëshortit të saj veteriner. Tek kryqëzimi i 21-shit, e kishte kafshuar një qen rruge dhe prej kësaj ndodhie, Fatma kërkoi rehabilitimin e qenve, që “ne të ecim të qetë rrugëve”. Në foto ishte i etiketuar Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.
Shkurtimisht pas kësaj, në faqen në Instagram të Animal Rescue Albania, u postua videoja e mëposhtme ku punonjës të Bashkisë mbledhin qen të zonës së 21-shit. Siç shpjegohet në një postim të mëvonshëm, qentë e mbledhur në atë zonë janë të vaksinuar dhe matrikuluar, gjë që vihet re nga etiketa e verdhë në vesh. ARSA ngre shqetësimin se ky veprim u ndërmor si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kërkesës së Fatmës.
Gazetarja më pas u përball me disa komente të rënda, ku njerëz i uronin vdekjen e i mallkonin të birin. “Të ngresh një shqetësim qytetar dhe të kërkosh zgjidhjen e tij, përkthehet në një valë histerie dhe akuzash idiote nga njerëz me probleme të rëna psiko-emocionale,” shkruajti ajo në fillim të përshkrimit.
Sipas Tirana.al, qentë e rrugës mblidhen, vaksinohen dhe sterilizohen në klinika veterinare të ngritura nga Bashkia pikërisht për këtë qëllim. Më pas lëshohen në rrugë ose jepen për adoptim. Fatma vetë shkoi në një nga këto klinika veterinare dhe filmoi ç’pa. Përbri pamjeve filmike, bëri ironi për kushtet në të cilat trajtoheshin qentë, sa keq hanin dhe sa veterinerë kishin në dispozicion. Qëllimi ishte të tregonte se qentë e mbledhur në zonën e 21-shit nuk po i gjen asgjë e keqe.
Për të njëjtën video, ARSA vuri re mangësitë e sistemit. Si organizatë për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, përfaqësuesit e ARSA nuk janë lejuar kurrë në brendësi të këtyre ambienteve. Në këtë postim, organizata vë në pah se qentë janë të vaksinuar dhe të matrikuluar, e s’ka asnjë arsye për mbledhjen e tyre nga Bashkia përveçse asgjësimit.
Gjithë kjo odise replikash para-mbrapa, na sjell në zemër të çështjes. Çfarë do të thotë Fatma me rehabilitim, cila është zgjidhja përfundimtare për qentë e rrugës dhe ç’po ndodh realisht?
Në një nga fotot e postuara nga Arsa, Fatma i rimëshoi asaj që kërkonte. “Të kërkosh që këto kafshë të rehabilitohen qenka mëkat? Të kërkosh që të grumbullohen, vaksinohen, ushqehen?” Shumë bukur deri këtu.
Problemi i vetëm është se kjo gjë po ndodh, të paktën sipas deklaratave të Bashkisë, Veliajt dhe sektorit veterinar të Bashkisë. Plani në zbatim është pikërisht ky. Me anë të sterilizimit të të gjithë qenve të rrugëve, me kalimin e kohës, ata s’do të mund të mbarështohen më dhe popullata e tyre do të pakësohet deri në zhdukje. Është efektiv si plan, thjesht kërkon kohë dhe në asnjë mënyrë nuk është zgjidhje për kafshimet e qenve në rrugë.
Si shmangen tërësisht kafshimet nga qentë e rrugës? Ekzekutimi është e vetmja zgjidhje afatshkurtër dhe 100% efektive. Nuk besojmë se Fatma kërkon shfarosjen çnjerëzore të katërputroshëve, por është e qartë që s’e ka menduar deri në fund ç’kërkon realisht.
Nga gjithë ç’ndodhi në Instagram disa orë më parë kuptojmë se edhe ARSA, edhe Fatma duan të mirën e kafshëve të rrugës, thjesht në mënyra të ndryshme. Komentet në postimet e cilësdo llogari nuk arrijnë ta marrin në konsideratë këtë fakt. Në vend të edukimit dhe argumentimit qytetar, biseda degradon në ofendime të atyre që nuk mendojnë si ne. Kjo lloj kulture toksike s’ka zgjidhur asgjë në botën moderne dhe s’ka për të zgjidhur as debatin e kafshëve të rrugës.