Kush je ti?
A nuk më sheh?
Të shoh, por nuk je aspak si foto që ke zgjedhur për tek ne…
Oh bien sûr! Është foto e një modeli të shekullit të 18-të në Paris, kur unë mendoj që ishte koha më e artë në modën e burrave. Natyrisht unë kam lindur në epokën e gabuar dhe në vendin e gabuar, por kjo është një temë tjetër për t’u diskutuar (kollitet)
Por emrin nuk e ke Bertrand. Përse nuk do të identifikohesh?
Sepse në këtë vend është kaq e vështiiiiiirë të jesh i lirë! Dua të them atë që dua, siç dua dhe të mos më grricin nervat 10-tra vajza e djem të shqetësuar të shoëbizit “Kush je ti që më gjykon mua?”, “Çfarë lidhje ke ti me modën?” “Mami është mërzitur shumë. Foli pak mamit” Ooo terrible! Nuk përballoj dot kaq shumë njerëz të frustruar pa sens humori.
Domethënë do të na lësh ne të gjithë përgjegjësinë? Ta ha Anabel?
Pse është hera e pare?Më e shumta do të shajnë Dalinën siç kanë bërë dhe gjithçka sa zgjat?
Me kohë portalesh 24 orë…
Eh voilà! Pastaj ne për modë do të flasim, nuk do të nxjerrim sekrete shtetërore, që në këtë vend ja nxjerrin vetë ata njëri-tjetrit.
Por do të na premtosh që do të jesh elegant në gjykim?
A të dukem harbut unë ty?
Jo aspak, madje ke një lloj sjelljeje kaq të përngjashme me një Bertrand aristokrat të shekullit të 18-të. Veçse ti ku ke lindur?
E mbyllim këtu këtë muhabet. A mund të përqëndrohemi tek rubrika ime?
Dakord dakord. Po për çfarë do të flasim kryesisht?
Për modën, për stilin. Ju feministet e keni në majë të gjuhës kohët e fundit këtë “Gjykimin!” Mos më gjyko si vishem, mos më gjyko stilin, jam e lirë, jam vetvetjaaaa ohhhh…
Në fakt, kemi edhe një të drejtë…Mendoj se duhet t’i jepet fund këtij gjykimi…
Po pse atëherë shkrepni 1000 foto të fustaneve të tuaja për instagram dhe pozoni si modele me duar në bel, gjoja pa mendje apo duke qeshur me të madhe sikur sapo dëgjuat shakanë e shekullit? Ju e doni veshjen, vdisni për të, jeni aq feminist sa jeni fuqia më e fortë blerëse në këtë botë. Shkriheni pas veshjeve të bukura! Doni trupa perfektë! Doni flokë perfektë, bizhu, flokë të bukur…Ju blini me qindra kremëra e fustane që nuk i vishni vetëm se ju pëlqen imagjinata e asaj që do të donit të ishit. Ju nuk i gëzoheni ndonjëherë pamjes që keni!
Ok kjo është një deklaratë që mund edhe ta debatonim, megjithatë të kemi dhënë një rubrikë dhe je i lirë.
Po, po i lirë sipas kushtetutës së Anabel. Kuptoj.
I lirë siç do të flisje edhe po të kishe përballë gruan që komenton.
Ah diplomacia e tepërt është e mërzitshme e dashur, tepër e mërzitshme! E ke parë për kë ke votuar të kryesojnë qeveritë e vendit tënd? Njerëz aspak diplomatikë! Sado të mundohen të shkretët, prapë dalin në origjinë dhe ne argëtohemi me to dhe i votojmë sërish.
Atëherë, si do ti ta ndërtosh rubrikën?
Nuk kam ndonjë rregull. Thjesht do të flasë për atë që shoh, si e shoh unë. Të sqarohemi: SIÇ E SHOH UNË. Kështu që nëse nuk e shihni kështu, punë për ju. Unë nuk e shoh dot si ju, por unë prapë besoj se shoh shumë mirë.
Edhe me këto syze…
I kam për të fshehur rrotullimin e syve sa herë dëgjoj budallallëqe në këtë vend. Dhe më beso, dëgjoj aq shumë sa kam frikë se do të më shpiket ndonjë strabizëm.
Dakord, atëherë sot do të bëjmë diçka meqë u zgjatëm. Do të të them një emër të vajzave të ekranit dhe dua vetëm një fjali nga ty për stilin e tyre. Më pas mbaje ti stafetën.
Më mirë kështu. Konçizja është art.
Fillojmë:
Rudina Magjistari:
Rudina vesh mesatarisht 20 fustane të ndryshme në muaj kështu që në rreth 200 veshje, arrin që të duket shumë bukur me 70% të tyre. Është fitore e madhe!
Arbana Osmani
Arbana ka këpucët e bukura dhe kyçin më të bukur të këmbës në televizionet shqiptare. Por nuk e di çfarë i ka ndodhur këtë vit me flokët! Arbana volum Arbana! Jo volum kanagjegji të kuptohemi!
Xhemi Shehu
Po të isha parukier i saj, nuk do e lija gjithë atë bukuri të ikte me atë ngjyrë aq të hapur flokësh nga salloni! Jam fans i ngjyrave natyrale. Përveç kësaj, çdo gjë tjetër është shumë korrekte për emision! Me pak solar më shumë!
Eni Vasili
Gazetarja më seksi e politikës për mendimin tim. Foxy! Por dikush t’ja heqë mashën nga dora se me ato kaçurrela të dendura, e me syze e me buzëkuq të fortë…oh sytë e mi! Zhurmë zhurmë zhurmë!
Luana Vjollca
Kalojmë tek vajza tjetër
Oriela Nebiaj
Nuk e di çfarë vesh kjo vajzë! Ka flokë të jashtëzakonshëm dhe buzëqesh shumë. Pastaj e shoh vetëm me T-shirt dhe herë pas here duket sikur vishet njësoj me Islin me pulovra. Por ju feministet i dini këto punë.
Eva Murati
E bukur, e bukur, e bukur. Ajo është Rai, MediaSet! Ajo duhet të dalë në çdo ekran si një reklamë shlodhëse. Eva duhet të rrijë siç është, as më seksi, as shumë trendi dhe larg kontureve!!!
Roza Lati
Kalojmë tek tjetri
Eni Çobani
Tjetriiiiii
Po s’të kuptoj, çfarë problemi ka?
Të lutem mos më tundo. A më sheh si po ha thonjtë! Gjithsesi këtë po e them e të tjerat do t’i kursej për më vonë: Eni Çobanin sa herë e shoh me stilin dhe krehjen e saj në një seancë gjyqësore, më duket sikur do të çohet në mes të saj, do të dalë në qendër e do të fillojë të këndoj “Ani more nuse, ani qaf gastare”
E mbyllim këtu?
Pa ju përmendur edhe njëherë ju?
Mua? Po unë s’jam figurë publike.
E kam për Dalina Buzin, zonjën e Anabelit.
Epo mirë atëherë që të jemi të drejtë me të gjithë….
Larg kaçurrelit Dalina! Një tmerr! E pashë tek “Rudina Magjistari” njëherë. Vetëm flokë të drejtë! Ajo seç ka një qëndrim nëpër studio sikur ka një gozhdë në karrige dhe mezi rehatohet!