E di se shumë prej jush, më kuptojnë fare mirë kur them se të kesh flokë të yndyrshëm është hall më vete. Fare pak orë pasi ke bërë dush, flokët humbasin volumin, yndyra nis e bie në sy dhe rrezikon të bësh një figurë të keqe.
Duke qenë se dukja e flokëve më ka shqetësuar përherë, më parë detyrohesha t’i laja edhe çdo ditë, derisa mësova se në fakt larja e shpeshtë e përkeqëson akoma më tepër yndyrën.
E thënë kështu popullorçe, të hapen poret dhe yndyra vetëm shtohet. Më nevojitej një zgjidhje e shpejtë dhe me pak para. Pasi përdora sapunë të posaçëm, shampo të firmave të ndryshme kundër yndyrës një mikja ime më tregoi nja 2 hile të vogla që më shpëtuan jetën.
Dita e parë: Bëj dush dhe mundohem që t’i shmangem ujit shumë të ngrohtë, pavarsisht se jam fanse e tij. Në fund preferoj t’u hedh flokëve pak ujë të ftohtë, pasi aq shumë avull më duket sikur m’i ngjit. Po kështu përdor shumë pak shampo, pasi sasia e madhe e saj është përgjegjëse për zbutjen e tepërt dhe humbjen e volumit. Në këtë mënyrë floku do të qëndrojë më i shkrifët. Edhe diçka! E kam mësuar veten që të mos i prek më aq shumë flokët.
Dita e dytë: Nëse dikush nuk e ka flokun kaq të yndyrshëm sa unë, mundet fare mirë të mos ketë nevojë për dush as ditën e dytë. Por përgjithësisht me flokët e mi ndodh kjo: të nesërmen, rreth pasdites më humbasin volumin, rrënjët nisin të shkëlqejnë dhe pavarsisht se të tjerët më thonë se nuk të duken keq, i ndjej të palarë. Në këtë moment hedh fare pak pudër bebeje dhe masazhoj lehtë rrënjën. Floku më fryhet dhe mban aromë shumë të mirë, ndryshe nga era karakteristike e yndyrës.(E keni parasysh për çfarë po flas, apo jo?) Diçka të tillë mund ta bëni edhe me shampo të thatë, por unë personalisht kam qëndruar te pudra.
Dita e tretë: Nëse nuk do të kisha vendosur pak pudër një ditë më parë, sot ose do të duhej të lahesha ose do të qëndroja në shtëpi. Por flokët i kam mirë, në fakt shumë mirë. U rihedh pudër dhe jam gati të vazhdoj gjithë vetëbesim ditën time. Madje e bukura është se flokët më duken më mirë këtë ditë, marrin formën që unë dëshiroj, kanë volum dhe vijnë një erë të ëmbël bebeje.
Dita e katërt: Në rast se flokët më rrinë dhe sot shumë mirë, fare lehtë u rihedh pudër dhe i mbaj lëshuar (në sasi të vogël, përndryshe flokët do të elektrizohen dhe mbingopen nga pudra), në rast të kundërt hedh pak në pjesën ballore dhe mundohem t’i kap në mënyrë të çrregullt. Është dita ideale për ta bërë këtë, pasi flokët janë ashpërsuar disi dhe qëndrojnë shumë mirë të kapura.
Dita e pestë: Që ta shtyj sa më shumë larjen, kjo për hir të flokëve të mi mundohem të gjej diçka dhe në të pestën ditë. Zakonisht i drejtohem zgjidhjes klasike: një kapje bisht ose topuz.
Për të qenë e sigurtë se ajo çka po bëj nuk është e dëmshme kam pyetur disa parukiere dhe dermatologe. Nuk ka asgjë të gabuar, përkundrazi i shpëtojmë flokët nga larja e shumtë. Ju garantoj se do të ndiheni të freskëta dhe do t'i dashuroni flokët tuaj. Është mënyra ideale për t’i mbajtur flokët, denjësisht, pa larë!