Pjesa më e bukur e dasmës sigurisht që është atmosfera. Dhe kush mund t’i sjellë në qejf dasmorët përveçse një playlist e këngëve më të famshme popullore shqiptare. Vjen një orë e natës, ku askush nuk do t’ja dijë më nëse di apo jo të kërcejë, nëse ngatërron hapat apo nëse padashje ka shkelur fustanin e nuses.
Në çdo dasmë që kam shkuar së fundmi, kam vënë re se çiftet zgjedhin ta hapin eventin e tyre të veçantë me baladat më trend të momentit.
“All of Me” e John Legend dhe "Thinking Out Loud" e Ed Sheeran janë kthyer në simbolin e historive të dashurisë.
Ok valsi mbaroi, dikush nga familjarët përshëndet të ftuarit dhe le të fillojë festa.
Por cilat janë këto këngë që dëgjojmë pothuajse në çdo dasmë mesatare shqiptare?
Le t’i kujtojmë bashkë!
1. Napoloni- Artjola Toska
Është pothuajse e pamundur që të marrësh pjesë në një dasmë (aq më tepër tironëse) dhe të mos kërcesh napolonin. Në fund të fundit, a mund ta quajmë dasmë nëse nuk dëgjojmë këtë në sfond?
2. Si borëbardha në përrallë- Sami Kallmi
Kaq shumë e kemi dëgjuar këtë këngë në çdo dasmë, sa edhe kërcimtari më i keq i fisit tani i ka mësuar hapat.
3. Shamia e beqarit- Irma Liobohova
Të gjithë janë shumë të entuziazmuar, marrin dhëndrin e ulin në karrige në mes të sallës dhe i japin një shami në dorë. Ky është momenti i kësaj kënge, që prej shumë vitesh është kthyer në traditë të padiskutueshme për çdo dasmë tipike shqiptare.
4. Ku ka si Tirona- Ermal Mamaqi & DR.Flori
Kur vihet ‘Ku ka si Tirona’ jemi në kulmin e atmosferës. S’dimë më hiç ç’po ndodh dhe hallakatemi si të na vijë...
5. Toponishte- Gena
Pasi kemi marrë veten dhe jemi furnizuar me energji, jemi gati për të ndritur si zonja në vallen e famshme të Toponishtes.
6. Cimi cimi ca- Artjola Toska
Nuk mund ta harronim kurrsesi!
7.Kush ka vajza botën ka- Irma Libohova
Nuk e dimë, por ‘sherbet për bakllava’ jemi të sigurtë që do ta dëgjojmë gjithmonë. Është momenti kur gjithë mamatë e dasmës marrin vajzat të kërcejnë ndërkohë që baballarët i gjen me sytë të përlotur e me ndonjë shami në dorë.
8. Nuse të përcjell babai- Hysni Alushi
Ok, nëse thamë pak më parë që përloten me “ Kush ka vajza botën ka”, as nuk duam ta imagjinojmë se ç’po ndjejnë kur kjo këngë vendoset në sfond. Përveçse të gjithë i sheh të mallëngjyer, ajo e cila është vërtetë në siklet është nusja. Kush është ajo vajzë që mund ta mbajë gjithë këtë emocion kur vjen puna tek babi?