Që të flini të qetë natën dhe të punoni të përqëndruar ditën, hiqni qafe sa më shpejt këta kategori miqsh apo të dashurish.
E keni dëgjuar atë fjalën e urtë që na këshillon ta zgjedhim shoqen më të mirë se vetja? Dëgjoni këtë tjetrën:
“Ti je mesatarja e pesë njerëzve me të cilët shpenzon më shumë kohë.”
Dhe është e vërtetë. Personat me të cilët rrethojmë veten ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe rritjes sonë si njeri.
Ndryshe nga kolegët, miqtë dhe partnerin mund t’i zgjedhësh dhe është me rëndësi jetësore të zgjidhni të duhurit. Duke pasur këtë parasysh, e nisim me shartimet. Cilët njerëz në jetën tuaj po ju bëjnë më shumë dëm se mirë dhe me cilët duhen ndërprerë menjëherë marrëdhëniet.
1. Thashethemexhiu
Në fillim, mund t’ju ketë shijuar fakti se dini informacione personale pa njohurinë e të tjerëve, por sa më shumë të jeni pjekur, aq më herët do të keni dalë në përfundimin se thashethemet nuk i sjellin asnjë lloj vlere jetës suaj. Personi që ju sjell sherret, ndarjet, lidhjet më të freskëta, pa miratimin e personave në fjalë, nuk po ju bën ndonjë nder. Thjesht po ju vërteton se të njëjtën gjë bën për ju mbrapa shpinës suaj.
2. Manipulatori
Një manipulator e di çfarë do dhe s’do të ndalet para asgjëje deri sa ta marrë. Sa më shumë kohë të kaloni me këta persona, aq më pak fuqi keni mbi çfarë ndodh në jetën tuaj. Ngadalë ngadalë, do të bëni ç’duan ata dhe jo ç’është më e mira për ju.
3. Gjykuesi
Personi gjykues në jetën tuaj përfiton nga pasiguritë tuaja, nga sikleti dhe nga turpi që ndjeni në situata të caktuara. Gjykuesit nuk e vënë kurrë veten në vendin tuaj dhe nuk i vënë re kurrë arritjet tuaja, vetëm dështimet. Nëse qëndroni gjatë me një njeri të tillë, do të ndiheni të pavlerë dhe të dëshpëruar. Për një gjykues, fajin e keni gjithmonë ju dhe kjo s’mund të jetë kurrsesi e drejtë.
4. Ekzagjeruesi
Një person që ekzagjeron çdo gjë nuk di t’i dallojë problemet e vogla nga problemet madhore. Për ta, çdo gjë është fundi i botës. Nuk marrin në konsideratë veprimet tuaja për të rregulluar problemin dhe as analizojnë situatën. Këta njerëz nuk falin, shpesh për vogëlsira qesharake. Dy ose tre konflikte të tilla do t’ju zhveshin energjinë. Qëndroni larg njerëzve të papjekur.
5. Emocionali
Kërkon guxim të flasësh për ndjenjat dhe thellësitë e zemrës tek një person i afërt, por ndonjëherë ky aspekt i marrëdhënies teprohet. Emocionali ju flet vazhdimisht për mënyrën si ndihet, asnjëherë në mënyrë konstruktive. Nuk mësojnë gjë prej saj, nuk veprojnë për të përmirësuar situatën. Nëse rrini gjatë me ta, edhe ju do të bini në të njëjtën grackë. Më lehtë flitet për ndjenjat dhe problemet sesa për zgjidhjet pas tyre.