
Me Albana Osmanin u takuam në mëngjes, ende pa pirë kafenë. Parashikonte një ditë shumë të gjatë përpara, plot angazhime, takime dhe punë për të mbyllur. Kjo intervistë mund të kishte qenë gjithashtu, një punë. Pesë minuta më vonë, kuptuam se kishin kaluar dy orë.
Vitin e fundit, në sytë tanë Albana Osmani është njëhsuar aq shumë me Lulediellin, sa natyrshëm kur mendojmë Albanën mendojmë Lulediellin dhe e anasjellta. Kurse atë mëngjes Albana ishte thjesht një njeri, që kishte zbuluar tek vetja një mision madhor dhe kishte kaq shumë për të treguar.
Për Lulediellin, për Top Channel-in, për përvojën e papërshkrueshme që ka qenë për të viti i fundit: 2017-a kur muret e Tiranës u mbushën me luledielli, kur të gjithë njohin dikë që vishet me luledielli dhe kur më në fund, pavioni i onko-hematologjisë ka poltrona kimioterapie, pompa kimioterapie dhe reanimacioni ka një respirator. Ishte në QSUT, tek pavioni i onko-hematologjisë, ku nisi misioni i Lulediellit.
“Kur mjekia më tha: “A je e vetëdijshme sa jetë fëmijësh do të shpëtosh me këto pajisje?”, unë shtanga. Aty vërtet e besova që gjithçka që kisha bërë dhe gjithçka kisha për të bërë më tej, do t’ia vlenin çdo çast të jetës sime.”- në fjalët e Albanës.
Por 2018-a do të jetë akoma më e fuqishme, me më shumë angazhime, takime, me më shumë fëmijë për të ndihmuar. Sot, Albana Osmani po përgatitet që nisma e saj e vogël- dikur- të kthehet në një organizatë ndërkombëtare.
Ishte shtatori i vitit 2016. Gjithçka nisi kur mikesha e saj e ngushtë mësoi se e ëma kishte tumor. Albana e kujton pikërisht këtë si momentin kur brenda saj nisi të krijohej ideja për të bërë diçka më shumë.
“Mikesha ime mori kredi për të paguar kimioterapinë, por nuk e shpëtoi dot. Unë isha me të në çdo hap, dhe ishte një dhembje shumë e madhe sepse, sado përpiqesha, nuk e ndihmoja dot. Ka qenë një moment që më ka tronditur gjithçka mendoja se dija deri atëherë.”
Albana rrëfen se në këtë periudhë, rastësia e çonte të takohej me njerëz që vuanin nga kjo sëmundje, apo që kishin humbur njerëz prej saj, aq shumë saqë nisi të reflektonte nëse ishte e vlefshme çfarëdolloj gjëje po i kushtonte jetën e vet.
“Nisa të mendoja se bëjmë një jetë shumë egoiste. Kurse rrotull nesh ka njerëz që vuajnë sëmundje, që nuk kanë para të mjekohen, një jetë që ne nuk e njohim, por është kjo jeta e vërtetë. Mendoj se në këtë moment dhembjeje, brenda meje nisi pak nga pak të mbarsej një mision, edhe pse s’po e kuptoja.”
Sot, “Ti je një luledielli” është një organizatë e mirëfilltë, e njohur nga shteti, që është gati të ndërkombëtarizohet. Si e tillë, ka edhe sajtin e vet, youareasunflower.org, ku mund të dhuroni para dhe mund të shikoni çdo qindarkë që është mbledhur.
Personazhe të famshëm në botë, shqiptarë e të huaj, po lëvizin gurët që kjo nismë për fëmijët shqiptarë të promovohet globalisht, me shpresën e madhe se do të mund të plotësohen disa nga kërkesat më urgjente të fëmijëve shqiptarë në spitalet e Tiranës, Elbasanit, Kukësit, etj., si edhe qyteteve të Kosovës, Maqedonisë apo Malit të Zi.
Një javë më parë, Albana Osmani veshi me luledielli parlamentin. Ishte dita kur në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, gjithë mllefet politike shpërthyen në një tymnajë ulërimash dhe sharjesh. Por nuk është kjo mënyra si e përjetoi Albana atë ditë.
“Situatën në parlament e përkthej vetëm në një mënyrë: në mes të tymnajës, pashë një luledielli.”
Në këtë intervistë për Anabel.al, Albana Osmani ndan si asnjëherë rrugëtimin e saj të pabesueshëm gjatë këtij viti, sa shumë ka ndryshuar jeta e saj dhe çfarë do të ndodhë tani, që kauza e saj po merr përmasa globale.
Le ta nisim me të fundit. Si u ndjeve pas asaj që ndodhi në parlament?
“Ndodhi kështu: kishim planifikuar prej 2 javësh që atë ditë, në seancën e fundit, parlamenti do të vishej me humanizëm. Të gjitha palët më mbështetën dhe ramë dakord që deputetët të vishnin bluzat, një simbolikë për të thënë se Nëna Shqipëri mbështet bijtë e Kosovës.
Fatkeqësisht, tema e seancës së fundit nuk qe e duhura. Sidoqoftë, bluzat i morën të gjithë. Disa i veshën, disa i ekspozuan, disa ndoshta s’e patën fort mendjen për shkak të tensioneve në sallë. Por unë kam biseduar me politikanë nga të gjitha palët dhe ata e mbështesin me gjithë shpirt. Ata i morën bluzat dhe kjo është e rëndësishme. Unë aty pashë një dritë të fortë në mes të kësaj periudhe tranzicioni në shumë nivele të shoqërisë.
E kemi zakon të themi për Shqipërinë: “s’bëhet”, por dua t’ju them se vendin do ta bëjmë të gjithë ne bashkë, me gjithë ata që janë në parlament, sepse ne i kemi votuar. E vetmja mënyrë për ta bërë vendin është duke menduar si shoqëri, si komunitet, jo vetëm një individ.”
Në fund të fushatës së parë, bletë disa pajisje shumë të rëndësishme për spitalin e fëmijëve në QSUT. Tani po shisni bluza edhe në Prishtinë, për të mbledhur paratë për një preparat në spitalin e Prishtinës. Po bëni gjëra që realisht duhet t’i kish bërë shteti.
"E kam dëgjuar këtë koment edhe më parë. Prandaj është shumë e rëndësishme për mua të sqaroj se njerëzit në pushtet më kanë mbështetur shumë, në një mënyrë që unë kam mbetur pa fjalë.
Kryeministri Edi Rama më priti në zyrën e tij me fjalët: “Mirësevjen, princeshë Albana”, kishte parë dizajnin e lulediellit dhe më komplimentoi për të. Ishte tejet pozitiv; veshi bluzën dhe e postoi në rrjetet sociale. Këmbënguli që t’i jepte rëndësi nismës sonë. Ishte ai që më sugjeroi që fazën e dytë të fushatës ta përqëndronim tek spitali rajonal i Elbasanit, që ka shumë nevoja momentalisht. Të ardhurat nga lulediellit nëpër muret e Tiranës do të shkojnë për këtë spital.
Por pa lejen e kryebashkiakut Erion Veliaj, pa mbështetjen e tij, Tirana sot s’do të ishte e mbushur me Luledielli. Madje, tani lulet e diellit janë përfshirë në një hartë dixhitale, të cilën Veliaj do t’ia prezantojë atyre që vijnë ta vizitojnë Tiranën, për t’u treguar një anë tjetër të Shqipërisë. Sepse pas çdo luledielli, ka një fëmijë shqiptar dhe të gjithë politikanët me të cilët kam folur janë treguar shumë të ndjeshëm."
Pse pikërisht një luledielli?
"Në momentin kur vendosa të bëj diçka, nuk e di përse fillova të pikturoja lulen e diellit. Sot, nuk mund ta përkthej saktësisht përse, por ndoshta pikturova një luledielli sepse që e vogël, mendoja se dielli është i fuqishëm, sepse ai është jeta, diçka e madhe, shprehëse, një dritë e fuqishme për njerëzit. Nuk e kisha menduar akoma se do të përqëndroheshim tek fëmijët."
Cili ishte momenti kur ti e vendose se do të ishin fëmijët?
“Gjëja e parë që bëra ishte të shkoja në spital, në QSUT, ku takova zonjën Anila Gogo dhe zonjën Ogerta Manastirliu, që sot është ministre e shëndetësisë. Ato u treguan shumë mikpritëse dhe pozitive, edhe pse skeptike. Ato takojnë çdo ditë njerëz që u ofrojnë ndihmën e tyre, kështu që me shumë sinqeritet më premtuan mbështetje, por mendoj se më shikonin më tepër si Albana që kishin parë në televizion dhe u vinte mirë që një person publik, në fund të fundit i vizitoi.
E vizitova spitalin, i pashë të gjitha pavionet. Tek onko-hematologjia, ku janë fëmijët me kancer dhe leucemi, ngela. Ishte e dhimbshme. Të shikosh fëmijë 1 vjeç, 2 vjeç, 5 vjeç, që përballen me jetën, prindërit që u rrinë pranë dhe përpiqen t’i gëzojnë me përralla...si mund ta përshkruash me fjalë? Është e papërkthyeshme në çfarëdolloj fjalori. Prandaj, gjithë fushata e parë iu dedikua fëmijëve që janë shtruar dhe po kurohen në pavionin e onko-hematologjisë në QSUT.
Në mbyllje të fushatës së parë, mundëm më në fund t'u blenim fëmijëve të pavionit të onko-hematologjisë poltrona kimioterapie, pompa kimioterapie, një aparaturë eko-kardiake që u mundësua nga Vodafone, e cila kushtoi plot 30 mijë euro, si edhe një respirator për reanimacionin. Fondacioni Children for Peace mundësoi televizorë të rinj për të gjitha dhomat.
Ishte një kënaqësi e papërshkrueshme. Sinqerisht, nuk di ta them me fjalë. E gjitha ia vlejti."
Por në fakt, mendon se po të mos ishe një personazh publik, do ta kishe marrë gjithë këtë mbështetje?
“S’e di ta them. Por mund të them se shkëndija e parë e madhe qe pasi spoti u transmetua në “Top Channel”. Presidentja Vjollca Hoxha ka qenë në dijeni të asaj çfarë po bëja që nga fillimi, dhe më mbështeti tejmase duke e transmetuar spotin në çdo hapësirë publicitare. Spoti pati një impakt tepër të madh dhe njerëzit nisën ta shpërndanin pa ua kërkuar unë. E bënë sepse e ndjenë.
Për mua ishte diçka e papritur, sepse mendoja çdo opsion dhe ndoshta, mund të mos e kishte patur këtë impakt. Unë thjesht e nisa, vura zemrën në këtë gjë dhe u luta Zoti të ish me mua.”
E mban mend cili ka qenë blerësi i parë i bluzave pasi ato dolën në shitje në internet?
“Sigurisht. Vjollca Hoxha ka qenë e para që ka blerë bluza, bleu për gjithë familjen e saj. Më ofroi të blinte për të gjithë kompaninë, por unë doja që nëse të donin, të mund ta blenin vetë, kompania, njerëzit, sepse kjo u takon njerëzve. Por i jam mirënjohëse pafund.”
Siç të shërbeu të qenit personazh i njohur, mund të të shërbente edhe pushteti politik, apo jo? E ke menduar t’i hysh politikës?
“S’e kam menduar kurrë, kurrë. As s’e mendoj. Fare. Do të doja që në jetën time të ndihmoja sa më shumë njerëz. E kam shumë përzemër këtë gjë që po bëj. Politika s’është fare në planet e mia, në ëndrrat e mia, as nuk ka qenë kurrë. Ta them me sinqeritet: nuk mendoj se jam aq e mençur për të qenë një politikane. Unë mund të kem shumë kritere të një njeriu të respektuar në vendin tonë dhe do të përpiqem të bëj maksimumin për vendin tim. Por as s’e mendoj, as s’kam për të hyrë ndonjëherë në politikë.”
Jemi mësuar të të shikojmë në shumë programe televizive, kurse kohët e fundit ke qenë vetëm pjesë e “Top Show” si opinioniste. E mendon të tërhiqesh nga ekrani dhe t’i përkushtohesh krejtësisht lulediellit?
“Absolutisht jo. Televizioni është dhe do të jetë një dashuri e madhe e imja. Jam një person që kam bërë edhe 4 programe në një javë. Por gjërat duan kohët e vet. Në fillim të sezonit, m’u dha mundësia të bëja një program të ri, por të them të drejtën nuk kam patur kohën ta marr përsipër. Luledielli është një angazhim që kërkon shumë kohë dhe shumë energji, aq më tepër kur ishte në fillimet.”
Të mbajmë mend si vajza cool e Top-it, me flokë bjonde, gërsheta dhe atlete Converse. Tani ke ndryshuar stil...përse? Të është dashur t’u përshtatesh shijeve të masës?
“Nuk është ky rasti. Unë akoma njësoj jam. E njëjta Albanë, kryekëput. Çfarëdo të ndodhë, e tillë do të jem gjithmonë. Ka të bëjë me të qenurit artiste. Unë thjesht vishem për të respektuar publikun, por nga ana e tij publiku është shumë i zgjuar për të dalluar çdo detaj. Sido që të vishem, publiku e njeh shumë mirë personalitetin tim.”
Më shuaj një kuriozitet. Si hyre në “Top Channel”?
“Një rastësi fatlume. Unë kisha studiuar për pikturë dhe në Top Channel shkova duke kërkuar punë për studion grafike, por më provuan për televizion më shumë se iu duka interesante. Atëherë isha 23-24 vjeç, por u dukesha shumë më e re, 17 vjeçe, dhe u surprizuan kur morën vesh formimin që kisha. Deri rreth moshës 30 vjeçe nuk e di pse, por mendonin se isha më shumë se 23 vjeç.
Madje, mbaj mend se atëherë fitova audicionin për të prezantuar “Portokallinë”, por ajo çfarë tha Dritan Hoxha ishte: “Albana është shumë e re, do të bëjë 10 programe derisa të mbërrijë tek “Portokallia”, sepse është ende e re.” Kur i thanë se unë kisha mbaruar akademinë, s’e besonte. Unë vishesha me atlete gjithë kohës, s’kisha veshur kurrë taka në jetën time. E para herë që kam veshur taka ka qenë në natën finale të “Top Fest 5”, kur njerëzit s’më njohën kush isha.”
Megjithatë, piktura ishte edhe një frymëzim shumë i madh për gjithë këtë fushatë, apo jo? Lulediellin e ke dizenjuar ti. Pse vendosët për logon e kopsës?
“Në fushatën e parë kam pikturuar luledielli të ndryshme, kopsa ka qenë një ndër kategoritë, por u pëlqye shumë nga njerëzit dhe u shit në kohë rekord, ndërsa të tjerat u shitën brenda 7 javësh e gjysmë. Ishte një punë tepër e madhe. Shkuam nga një fabrikë në tjetrën, derisa më në fund njëra na ofroi të qepjen dhe stampimin, por copat që kushtonin 5 mijë euro na u desh t’i blenim me paratë tona. Ne jemi një staf i vogël, ku jam unë, Herado Ajazi dhe Greta Harapaj që janë IT dhe Gerti Koxhja në pjesën e logjistikës. Bluzat e para i bëmë me fondet tona dhe pastaj i hodhëm për shitje online.
Është një kopsë e qepur në formë plusi. Plusi nënkupton që çdo herë do të kemi një produkt plus, siç kishim bluzat, pastaj lulediellit nëpër muret e qytetit, pastaj bëmë arushët ndërsa tani, po bëjmë një aplikacion, një lojë argëtuese.”
Një lojë?
“Një lojë tërheqëse me një arush të veshur me luledielli që luan dhe lufton pengesat që i dalin. Aplikcioni do të kushtojë 99 cent dhe të ardhurat nga shkarkimet do të shkojnë për spitalin e Kukësit. Loja do të ketë 4 nivele dhe në fund të tyre, fiton në formë bonusi një libër virtual: “The story of sunflower”, që nis me Shqipërinë, Kosovën, dhe mbaron me pyetjen: “A do të vijë luledielli në vendin tënd”? Sepse ne besojmë që në 2018-ën, luledielli do të bëhet global. Po përgatisim planin për t’u bërë ndërkombëtarë.”
Ç’përfshin të qenit ndërkombëtarë? Na e shpjego konkretisht.
“Ndërkombëtare do të thotë: do të hidhen 100 mijë bluza në shitje, si fillim. Ato do të jenë të rikonceptuara dhe do të shiten në të gjithë botën, të blihen nga e gjithë bota dhe fondi do të shkojë fëmijët shqiptarë, qofshin ata në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni apo kudo të jetë.
Kemi propozime nga organizata të rëndësishme, të punojmë dorë për dore me ta. Për momentin nuk mund t’ua them emrat, por ato do të na mbështesin. Kemi folur edhe me prodhues, që të prodhojnë pa para, si edhe biznese që të na mbështetin.
Për prodhimin e materialit e kemi të konceptuar tashmë, kurse lidhur me promovimin do ta kemi ndihmën e jashtëzakonshme të organizatave botërore. Përveç kësaj, përmes rrjetit të shqiptarëve, kemi njohjet tona dhe do t’i shfrytëzojmë që të mund të marrim mbështetjen edhe të njerëzve të rëndësishëm, që të veshin bluzat.”
Vetëm për fëmijët shqiptarë?
“2018-a do të jetë 100% për fëmijët shqiptarë. Më vonë do të shohim, në bazë të nevojave mund të ndihmojmë edhe fëmijët e një shteti tjetër.”
Në maj ti shkove në Kanë, ku takove shumë njerëz të njohur, mes tyre edhe këngëtarin e famshëm, Seal. Si shkove atje?
“Gjatë fushatës së parë, u shpalla ambasadorja për Shqipërinë e organizatës “Children for Peace”, nga zonja Debrah Ann Mace. Me kontaktet e tyre, u ftova në Kanë. Miku im Algen Nikolla u bë ura lidhëse mes “Children for Peace” dhe “Lulediellit”. Ai ka shumë njohje jashtë, njerëz të rëndësishëm apo njerëz të showbiz-it, dhe u tregoi atyre Instagram-in tim dhe çfarë po ndodhte. Ata u bënë kurreshtarë dhe më ftuan në mbrëmjen ku po prezantohej një linjë parfumesh. Për fat më ftuan, sepse aty biletat ishin shumë të shtrenjta.”
Pra, shkove si përfaqësuese e Lulediellit dhe Children for Peace. Çfarë ndodhi atje? Kë takove? Çfarë bisedove me Seal?
“Seal është një ndër mbështetësit e Lulediellit për të kaluar në fazën global. Atje kishte njerëz të shumë organizatave të bamirësisë, njerëz nga familjet mbretërore e njerëz publikë.
Qëllimi ishte të takoja sa më shumë njerëz me të cilët të mund të flisja për “Sunflower”. Takova shumë njerëz dhe ua tregova të gjitha: që jemi pa financim, gjithë punën që kemi bërë deri më sot, që na duhet mbështetje shumë e madhe, dhe ata shprehën një mahnitje që më la pa fjalë. Janë shumë shprehës në lidhje me nisma të tilla.
Seal tha që atë natë: “Unë jam një luledielli”, nxori kartën time, erdhi dhe më tha: “Më fal, zonjushë, unë dua të dëgjoj më shumë për “sunflower”.’ Unë dua të di më shumë dhe të ndihmoj.”
Si do të jetë i përfshirë ai? A do të ketë personazhe të tjerë publikë?
“Seal më ftoi të darkonim dhe kemi folur gjatë për Lulediellin. Ka shprehur një mbështetje të jashtëzakonshme dhe ndërsa bëhemi globalë, Seal do të jetë i përfshirë në një mënyrë që për momentin, do të doja të mos e zbuloja.
Gjithashtu në Kanë takova familje të ndryshme mbretërore, me të cilët mbaj komunikim. Nuk e di ende si do të përfshihen ata.
Do të ketë edhe personazhe të tjerë, por për momentin s'mund të them më shumë.”
Po për në Kosovë, kush të ndërmjetësoi?
“Zonja Anita Haradinaj, e cila është edhe pjestare e bordit drejtues. Ajo u tregua shumë e gatshme dhe më ofroi mbështetjen e saj menjëherë. Më vonë, mora vesh që kishte humbur mamanë nga tumori.
Shkova të vizitoja spitalin e Kosovës, ku gjendja ishte tejet e keqe. Jo vetëm spitali, por fëmijët ishin në gjendje të rëndë, nuk ngriheshin dot as nga krevati. U interesuam cilat ishin nevojat e tyre. Atje mungon një preparat për analizat e gjakut dhe fëmijëve u duhet t’ua çojnë mostrën e gjakut deri në Austri për të bërë diagnozën. Kjo është kohë e humbur dhe mund të jetë e rrezikshme për jetën e fëmijës. Kushton shumë, por ne vendosëm të nisim fushatën në Kosovë pa e zgjatur shumë. E vendosëm, porositëm bluzat dhe tani po i shesim në sheshin kryesor të Prishtinës dhe një pjesë online, në youareasunflower.org.”
Në bordin e Ti je një Luledielli ka vetëm gra. Përse kjo zgjedhje?
“Kur vendosëm që do të ishte për fëmijët, pata ndjesinë për të punuar me gra, veçanërisht nëna. Jam shumë me fat për bashkëpunëtoret që kam. Sadije Berisha mund të njihet si ish-pjestare e familjes Berisha, por në fakt edhe pse publiku shqiptar nuk e njeh kështu, ajo ka dhuruar aq shumë, por nuk ka dashur që njerëzit ta dinë. Ka një zemër të madhe.
Anila Godon pastaj, ju e njihni shumë mirë, ish-ministre e shëndetësisë dhe shefe e pavionit të onko-hematologjisë, me të cilën kemi ngritur kauzën e parë.
Donika Bardha është shqiptarja e parë që u rikthye në atdhe pas ’90-ës, e bija e zotit Ekrem Bardha, shqiptarë që kanë bërë shumë për Shqipërinë, por njerëzit nuk e dinë. Ekrem Bardha ka takuar shumë presidentë të Amerikës, ka ndërhyrë për Pavarësinë e Kosovës.
Inva Mula është duke na mbështetur tejmase si ambasadore, duke përdorur gjithë njohjet dhe influencat e saj. Anita Haradinaj është ambasadore në Kosovë. Ky është bordi i fondacionit, janë të gjitha femra, të gjitha nëna, përveç meje, shumë të suksesshme dhe njerëz me integritet shumë të lartë."
A ndjen se njerëzit kanë filluar të të idealizojnë? Si e ndjen veten ti si Albana, që kur ka nisur “Ti je një luledielli”?
“Mbase, jam futur paksa në kornizën e “vajzës së mirë”. Unë kam qenë kjo “vajza e mirë” gjithë jetën, në kuptimin që nuk ndryshova personalitet tani; jam po ajo që dal me bikini në kopertinën e një reviste, sepse bukurinë e shikoj si një siluetë që të bën të ndihesh mirë, por jo në përkthimet brutale, në gjykimet seksiste.
Më besoni: kur je artist, materializimi mish-copë-flokë-mur, nuk ka ndonjë diferencë kur po thotë diçka më të thellë se ç’duket. Kjo s’më bën njeri më të mirë, apo më të keq.”
Cila mendon se ishte elementi kryesor që e bëri Lulediellin të rezultonte një sukses?
“Ne duam të ndihmojmë fëmijët, çka ndoshta është edhe një pikë e dobët e shoqërisë që po e mbështet gjithë këtë nismë. Por mbi të gjitha sepse u bë me zemër, u bë me gjithë zemër. U bë me gjithë sinqeritetin, dhe integritetin, dhe transparencën e mundshme.
Unë jam skeptikia nr. 1 kundrejt çdokujt që bën bamirësi, jam tmerrësisht skeptike. Duke qenë vetë kaq skeptike kam publikuar çdo gjë, dhe do të vazhdoj ta ruaj të njëjtën mënyrë. Shqiptarët janë njerëz me zemrën e madhe, por e kanë të nevojshme të shikojnë se me të vërtetë ka një vend ku punohet me ideale. Unë mendoj se tek Luledielli e kanë parë këtë, ndaj edhe kanë dhuruar me gjithë shpirt.”
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.
