
Dje mbrëma, Rita Petro ishte e ftuar në “Zonë e Lirë” dhe segmenti nisi me një interpretim të mrekullueshëm të poezisë “Mallkimi i parë “ nga Arian Çani. Nëse s’e keni parë akoma, bëjini një nder vetes.
Përballë Petros ishte pastori Akil Pano, për të mbrojtur anën e Zotit, meqë përmendet në poezi. Që të jeni tërësisht të përditësuar këtu mund të lexoni poezinë dhe këtu mund të lexoni reagimin e Denis Dyrnjasë dhe përgjigjen e Rita Petros.
Madje, Çani lexoi dhe reagimin e kryetarit të partisë “Atdheu”, Kreshnik Spahiu, i cili e quajti Petron “eksperte të vrimës” dhe e uroi me gjithë dëshirë “të daltë vrima në ballë moj bundër”.
Po mirë, gjithë kjo zhurmë për një poezi. Çfarë ka dashur të thotë autorja? Le të nisim një klasë letërsie:
Si fillim, Rita Petro nuk ka një vëlla, por edhe po të kishte do ta shkruante poezinë gjithsesi. Gabimi dhe abuzimi që bëhet në këtë rast është njejtësimi i autorit me personazhet. Nuk janë e njëjta gjë, poezia nuk është autobiografi dhe as manifest. Rita Petro është shkrimtare dhe ka personazhet, subjektet dhe tematikat e saj. Vazhdojmë.
Ati, ose Zoti që përmendet në poezi është frymëzuar nga babai i Petros, nga Mbreti Lir, dhe nga xha Gorioi. Është një At që shkrihet gjithmonë me Zotin. Këto janë gjëra që ndikojnë tek njeriu. Autorja flet për instikte të trashëguara dhe e quan thithjen e gjirit të nënës mëkatin e parë. Është një pamje e qashtër, perfekte, por sërish mbetet mëkati i parë "inçestuoz".

Petro dhe Çani sollën shembuj të tjerë inçestualë, për të zbutur disi reagimin. Përshembull motra e Gjergj Elez Alisë, që i qëndroi pranë për 9 vjet, apo Kostandini që u ngrit nga varri për Dhoqinën.
“Nuk po flas për konceptin e pronës, ku e marrin vajzën e përdorin e shesin, nuk ka lidhje fare me këtë. Është një akt simbolik shumë i bukur,” tha Rita Petro. Fjala kyçe: simbolik.
Pastori supozoi se poezia kontroversiale e çon njerëzimin në shpellën e Platonit.
Shpjegim: Shpella e Platonit është një alegori, ku njerëzit janë të lidhur ngjeshur pas një muri e mund të shohin vetëm murin para tyre, as veten, as njëri-tjetrin, vetëm murin. Mbi mur shfaqen hije, të cilat krijohen nga të tjerë njerëz pas tyre dhe përpara një zjarri. Ngaqë të lidhurit kanë parë vetëm murin para tyre, mendojnë se hijet e krijuara janë realiteti. Është gjithë ç’njohin dhe dinë.

Sipas Panos, Petro po e rikthen njeriun në shpellën e mësipërme. Ndërsa sipas Petros, njeriu ka qenë gjithmonë atje. Pra, ne shohim ç’na lejojnë rrethanat në të cilat gjendemi dhe për ne ky është realiteti, e drejta dhe e vërteta.
Kontroversialiteti lind vetëm nga përdorimi i fjalës inçest. Në fillim të poezisë flitet thjesht për dy njerëz dhe për aktin e parë mes tyre. Bëhet fjalë për njerëzit e parë, Evën dhe Adamin dhe aktin e parë seksual që ka ndodhur.

Petro flet me figura simbolike, si çdo autor tjetër në historinë e njerëzimit. Në Bibël, thuhet që Eva nuk duhet ta hante frutin e ndaluar, pasi ishte vullneti i Atit. Ajo e hëngri dhe ftoi dhe Adamin e që këtu njerëzimi jetoi i mallkuar.
Poezia është e vendosur në kohën kur krijohet bota. Imagjinata e Petros lidhet me mitrën universale. Një mitër e vetme ka sjellë në jetë Evën dhe Adamin, e ata të dy s’mund të jenë gjë tjetër veçse motër e vëlla.
Edhe me fjalinë e mësipërme çdo diskutim i mëtejshëm duhet të kishte marrë fund, pastori u end më tej duke thënë se poezia mallkonte etosin e shqiptarit. (?)
Sidoqoftë, nuk zgjati shumë, pasi vetë Bibla ka disa tregime ku inçesti është fjala kyçe, si përshembull rasti i vajzave që dehën babain dhe bënë dashuri me të. Ose shembulli perfekt, cila ishte gruaja e Abrahamit? Sara, gjysmë motra e tij...

Ideja qëndron këtu: pastori nuk mund të ndezë sfurqet me zjarr sepse u shkrua një poezi për inçestin dhe poezia s’është fare për inçestin.
Shihemi orës tjetër.