Ju kemi hapur zemrën dhe na keni hapur zemrën në Facebook, ju kemi argëtuar në Instagram, ju kemi informuar këtu në portal, por a jeni gati për risinë më të re në Anabel? Bëhet fjalë për serialin e parë online në Shqipëri. Quhet “Kemi njëri-tjetrin” dhe është një serial ku në vetëm 4 minuta, shpalosen episode nga jeta e të rinjve në Tiranë dhe marrëdheniet mes djemve dhe vajzave në këtë botë sa të pasur me lloj-lloj karakteresh, aq edhe të vetmuar disa herë, kur vjen puna tek kërkimi i shpirtit binjak. (Ndiqni serinë e parë këtu)
Mini-seriali ka 6 episode dhe ndjek jetën e dy mikeshave të ngushta, Megi dhe Ojna dhe peripecitë e tyre në kërkim të dashurisë. Themeluesja e Anabel Media, Dalina Buzi është ideatorja dhe krijuesja e kësaj forme të re komunikimi në Shqipëri, që tashmë vjen nën logon e një dege të re të Anabel Media: Anabel Entertainment.

Genta Hodo: Anabel.al, Revista Anabel në Facebook, @Anabel_World në Instagram dhe tani Anabel Entertainment? Në zyrat tona gjërat ndodhin aq shpejt, sa kur na the që do të bëje një serial, menduam se ishte thjesht një plan shumë afatgjatë…
Dalina Buzi – Genta, koha e botës online ecën më shpejt se ç’e mendojmë ne dhe në botë kjo gjini e re është tashmë një hit. Të quajtura ndryshe “web-series” këto tashmë kanë miliona shikues në youtube në vende si Amerikë, Indi e shumë shtete të tjera të perëndimit. Thelbi i kësaj gjinie është të paraqesësh një histori fiction apo reality të përmbledhur në shumë pak minuta, aq sa është edhe durimi i shikuesit online. Unë kisha dy vjet që e mendoja të them të drejtën, por sa më pëlqen të nxitoj kur besoj tek instikti, aq edhe dua të jem shumë e kujdesshme në hapat që do të çojnë drejt realizimit. Në këtë rast hapi kryesor ishte gjetja e partnerit të duhur që do të mbështeste financiarisht këtë prodhim.
Genta: Po pse duhet të jetë “i duhur”? S’mund të jetë thjesht një kompani që ka mundësi financiare për të mbështetur projektin?
Dalina: E para, që të mbështesësh një serial që kam unë në mendje, duhet të ndash të njëjtin vizion dhe e dyta, edhe pse këto prodhime kanë kosto dhe kanë nevojë për mbështetje financiare, unë nuk do të doja kurrsesi të kompromentoja përmbajtjen apo stilin e këtij produkti, në funksion të dëshirave të një financuesi. Është ndryshe kur bëhet fjalë për një spot publicitar të mirëfilltë televiziv 30 sekondësh dhe ndryshe kur flitet për diçka që do të argëtojë edhe audiencën. Por them që pata fat.
Genta: Ky serial është mbështetur nga pija cider Strongbow, siç kuptoj nga titrat?
Dalina – Prandaj them që pata fat. Sepse unë e dija se ku duhet të shkoja për të realizuar këtë serial. Doja të bashkëpunoja me një kompani korrekte dhe vizionare si Agna Group, që gjithmonë është inovatore dhe mbështet iniciativa të reja. E dyta, duke qënë se i gjithë seriali zhvillohet në një lokal të vetëm, unë doja që të gjithë historitë të identifikoheshin me një pije, një pije që jo vetëm është ajo që unë pi sa herë dal dhe që e njoh shumë mirë, por edhe është më e preferuara në botë, në kategorinë cider.

Pra ka përqindje alkoli, por jo aq sa të të merren këmbët, ka një shije fantastike molle dhe për më tepër, mund ta pish kurdo: në darkë vonë, pasditeve, por edhe paraditeve kur del për qejf. Të shijon me çdo lloj bisede. Pastaj Strongbow sipas statistikave, është cider I preferuar rinisë metropolitane të Europës, Amerikës dhe Australisë. Rinia jonë s’mund të ishte ndryshe.
Genta: Pra do të thuash që Strongbow të la dorë të lirë në këtë bashkëpunim?
Dalina- Strongbow dhe përfaqësuesit e Agna Group besuan tek ideja dhe puna e Anabel dhe ata si unë kërkonin që në rradhë të parë ky serial të argëtonte të rinjtë, të identifikohej me jetët e tyre në kryeqytet, me historitë e tyre dhe unë gjej rastin t’i falenderoj që mbështetën këtë iniciativë dhe për lirinë e plotë që na dhanë në të gjithë procesin që nga koncepti e deri tek post-produksioni.
Genta: Nëse pate fat me partnerin në këtë prodhim, a ishte e vështirë për të gjetur aktorët?
Dalina –Në këtë lloj gjinie, personazhet duhet të jenë sa më natyralë, madje duhet të ndihesh sikur po thonë ekzaktësisht atë që do të thoje ti po të ishe në vendin e tyre apo atë që mendon ti. Edhe fjalitë duhet të jenë sa më të thjeshta, me terma që përdoren rëndom nga të rinjtë. Ndaj, po ta shohësh me kujdes, do të dallosh edhe përdorimin e anglishtes, që tashmë është bërë një gjuhë e dytë për brezin e mijëvjecarit të ri.Kjo gjini e re toleron edhe aktorë, por edhe jo-aktorë, mjafton që të gjithë të përshfaqin natyralitet në interpretim.
Genta: Dy personazhet kryesorë janë Megi dhe Ojna, bëhet fjalë për Megi Pojanin e cila është gazetare pranë Anabel.al dhe Ojna Papën, një vajzë e panjohur për mediat. Asnjëra prej tyre aktore. Si i zgjodhe?
Dalina - Megin e kam dashur ta kisha në këtë serial që në ditën e parë që nisi konceptimi i idesë. E kisha ndarë mendjen që do të ishte ajo sepse më dukej se i përshtatej më së miri rolit. Gjithashtu e kisha testuar edhe në disa shkrime dhe video promovuese dhe më pëlqen shumë lirshmëria që ajo ka.

Përsa i përket Ojnës, unë nuk e njihja më parë por në mendjen time kisha një vizion për portretin fizik të shoqes së ngushtë të Megit në serial. Dhe kur ma sugjeruan, sepse ajo ka një instagram publik, direkt thashë “Kjo është!” Ojna në rolin e saj është më e tërhequr, më romantike por edhe pak e ftohtë dhe në jetë, nuk është se ndryshonte shumë. Është po aq e qetë, por pastaj ka një buzëqeshje që do të thoja “e nxeh ekranin.”
Genta: Po aktorët e tjerë?
Dalina – Ne shpallëm audicione dhe aktorët janë një përzierje midis djemve të thjeshtë që ne i kërkuam nëpërmjet Facebook apo sugjerimeve dhe që nuk janë marrë me këtë gjini më parë dhe studentëve të Akademisë së Arteve, për të cilët kërkova ndihmë nga mikesha ime dhe pedagogia e tyre, Rovena Lule.

Genta: Asnjë aktor profesionist domethënë?
E vetmja aktore profesioniste ishte Elona Hyseni, e cila ka një rol kyç dhe mjaft komik në serinë e dytë dhe që unë nuk mendoja se mund ta bënte dikush tjetër më mirë.
Genta:Por nga stafi i Anabel nuk është vetëm Megi, por edhe Viola, që është menaxhere e ViaAnabel. Dolëm të gjitha talente!
E krijova atë rol me Violën (Gjoleka) në mendje, sepse ajo ka një timbër shumë interesant zëri dhe vetëm ajo mund ta qante rolin, që sado episodik, jam e sigurt që do të jetë i paharrueshëm.

Genta: Çfarë të frymëzoi për këtë skenar?
Po fillojmë nga bisedat tuaja në staf. Fatmirësisht jeni aq shumë goca në staf dhe keni aq karaktere të ndryshme, sa secila më frymëzon me këndvështrimin e saj.

Genta: Po thua që aty mund të jetë edhe ndonjë histori e imja? (Qesh)
Dalina – Po edhe mundet (qesh). Pastaj, ne kemi kaq vite qe komunikojmë me qindra –mijëra vajza nëpërmjet faqes sonë në Facebook. Inboxi është plot me ide skenari! Seritë janë copëza nga jeta dhe bisedat e të rinjve, jo vetëm në Tiranë, po kudo në Shqipëri apo edhe në botë.

Genta: Përmende botën. Ajo çfarë vura re duke parë episodet është mënyra e komunikimit që vërtet ishte fiks siç ashtu edhe ne flasim në të përditshmen tonë, por edhe imazhi, duke nisur nga fotografia, lokali që zgjodhët për xhirim e deri tek pamja e aktorëve. Ka një frymë europiane…
Dalina –Ajo çfarë sheh ti në serial, nuk është një përpjekje për t’i dhënë Shqipërisë frymë europiane, por është ana europiane e Shqipërisë që ekziston çdo ditë. Megi, Ojna, djemtë e vajzat e tjera në serial, edhe ata figurantë që dua t’i falenderoj sepse duruan me orë të tëra në xhirim, janë të gjithë të rinj të bukur, me ambicie, të lirshëm, të rinj të mirëinformuar me risitë teknologjike apo të modës, të rinj që punojnë dhe që duan të argëtohen. Merri këta aktorë dhe çoji ku të duash, në Paris, Londër, Neë York, ata përshtaten lehtësisht.

Pastaj ke edhe lokalin. Ai ekziston, nuk është set. Quhet “Noor” dhe unë sapo hyra për herë të parë rashë në dashuri jo vetëm me arredimin, por edhe me mënyrën e shërbimit.

Genta : E më lër të shtoj që ka sanduiçe të papara.
Dalina – E vertete! (qesh). Përballë “Noor” është Plaza Hotel. Një hotel i standarteve botërore. Përbri, është qendra tregëtare më e lartë në Ballkan, Toptani. Pranë hotel “Plaza” ndodhet një call-center që ka punësuar me qindra të rinj e që klientë të saj ka kompani si Apple. Atë zonë nuk e shpik dot, ajo është aty në zemër të Tiranës dhe nuk ka ndryshim me asnjë vend në perëndim.
Genta : Por mentaliteti na ndryshon ama. A ndihej kjo në dialogje?

Dalina – Dëgjo, unë kam udhëtuar shumë dhe përveç disa karakteristikave të përgjithshme që na dallojnë ne psh nga norvegjezët, nga italianët, arabët apo amerikanë qofshin, në mënyrën se si jemi rritur e ç’sistem qeverisjeje kemi pasur, emocionet njerëzore janë të njëjtat. Në të gjithë botën njerëzit duan të duhen e të duan. Shpërfillja nuk ka kombësi, as dhimbja kur ndihesh e tradhëtuar.

Meshkuj të lidhur ngushtë me mamatë e tyre deri në ekstrem ka kudo, siç ka edhe meshkuj të paedukatë, të ftohtë apo meshkuj që duan të të kontrollojnë. Ashtu siç ka edhe shoqëri të ngushtë mes gocash, siç ka vajza që kanë frikë të përballen me problemet në një marrëdhënie, apo vajza që nuk bëjnë pakt për asnjë lloj marrëdhënieje, vetëm e vetëm se duhet të martohen. Shqiptar këtë serial e bën gjuha dhe termat e përdorura.
Genta – Duke marrë parasysh që serialet më të shkurtra janë 20 minuta, a ishte e vështirë të përmblidhje një histori në 4 minuta?
Dalina –E rëndësishme është që çdo lloj produksioni, qoftë 4 minuta, qoftë 60 minuta, të mos i humbasë thelbi dhe shikuesit të jenë sa më të sqaruar për çka po ndodh. Natyrisht në një seri më të gjatë, ti ke mundësi për të zhvilluar një situatë ose disa situata dhe fantazia merr krahë (qesh). Por nga ana tjetër, këto lloj serialesh si “Kemi njëri-tjetrin” kanë një kosto shumë më të ulët prodhimi.
Genta – Jemi kuriozë, sa veta punuan për këtë prodhim?
Dalina: Për mua nuk ka rëndësi se sa shumë njerëz punojnë, por ata që bashkëpunojnë të jenë më të mirët në zanatin e tyre. Falë punës të gjatë në televizion dhe njohjeve, zgjodha menjëherë të duhurit duke nisur nga Egon Musliu, që është artist në kamera e së bashku me kameramanin tjetër Metlind Kepin, janë dy asete jo vetëm të televizionit “Klan” pranë të cilit punojnë prej vitesh, por edhe në fushën e fotografisë në përgjithësi.

Një sugjerim nga një mikeshë e imja, më njohu edhe me një tjetër artist në montazh, Endri Pupa, me të cilin nuk kisha punuar asnjëherë më parë, sepse kemi punuar vazhdimisht në televizione të ndryshme, por që nuk besoj se do ta lëshoj më! (qesh). Gjithashtu një rol tepër të rëndësishëm pati edhe Klodeta Buzi. Përtej të qënit motra ime, ajo është muzikante dhe themeluese e “Akademia Hollywood”. Klodi krijoi siglën e fillimit dhe muzikën në background.

Ishte shumë e rëndësishme që seriali të kishte një sigël identifikuese, jo vetëm sepse duhej, por edhe sepse as Anabel, por as partneri ynë, Strongbow, nuk mund të pranonin kurrsesi të përdornim materiale pa të drejta autori.
Genta Hodo: Në set të xhirimeve pashë edhe gocat tona të Anabel…
Dalina: Unë besoj tek puna në ekip dhe kemi pasur të gjithë një kimi të jashtëzakonshme në set. Përfshirë këtu Deamishel Hoxhën, redaktore e bukurisë pranë Anabel e cila u kujdes për grimin, Marsi Pojanin, administratore e instagramit të @Anabel_world, e cila asistoi gjatë provave të aktorëve, apo menaxheren e marketingut Brikena Sallo e cila bashkëpunoi për gjetjen e veshjeve të duhura që do t’u përshtateshin karaktereve në dyqanet që u bënë pjesë e këtij bashkëpunimi si Rogers, Delirium, Cacharel, Optika 1 dhe ViaAnabel.
Genta: “Kemi njëri-tjetrin” ka vetëm 6 seri rreth 4 minuta secila. A do të vazhdojë më tutje?
Dalina: Ky serial është i konceptuar në mënyrë të tillë që mund të mbarojë aty ku është, ose të vazhdojë. Në të dyja rastet, për mua e rëndësishme është që u realizua dhe që Anabel Entertainment së bashku me Strongbow prezantuan këtë gjini në Shqipëri që tashmë po bën namin në botë. Unë do të doja shumë që si kompanitë ashtu edhe televizionet t’i hedhin sytë nga këto lloj prodhimesh (qofshin seriale më të gjata, filma të shkurtër apo dokumentarë), sepse as spektaklet me drita e xixa dhe as serialet e huaja, nuk i afrohen kurrë shikuesit vendas sa ç’i afrohen këto lloj prodhimesh apo historitë reale. Është e provuar botërisht dhe ndaj Netflix apo prodhimet në Youtube kanë këtë sukses të jashtëzakonshëm.
Ndalohet rreptësisht përdorimi i fotove pa lejen e Anabel.al.
