Pavarësisht mungesës së Gigi Hadid si modele dhe Katy Perry-t si këngëtare për shkak se Kina s’u dha viza, sfilata e Victoria’s Secret këtë vit po merr vëmendje të paparë.
Çdo fundvit, ëngjëjt dhe modelet e Victoria’s Secret bëjnë gati trupat e tyre të hatashëm për “spektaklin më seksi të vitit”- siç i pëlqen Victoria’s Secret ta thërrasim- dhe sfilojnë plot sharm, me flokët më të shkëlqyeshëm në botë dhe të brendshmet më të shtrenjta, në të njëjtën skenë ku performojnë këngëtarët më të suksesshëm të momentit.
Kush këndon këtë vit?

Këtë vit, ata që do të performojnë janë: Harry Styles (ish- pjestari i One Direction), Miguel (që këndon “Lost in your light” me Dua Lipën), Leslie Odom (i muzikalit “Alexander Hamilton” në Broadway) dhe sigurisht, s’mund të mungonte performanca e një ylli të muzikës kineze, Jane Zhang.



Kur do të mund ta shikojmë?
Edhe pse spektakli regjistrohet sot, transmetohet në kanalin CBS vetëm më 28 nëntor, siç ndodh çdo vit. Victoria’s Secret ka zgjedhur të mos e transmetojë drejtpërdrejt sfilatën, duke i lënë vetëm të ftuarit e privilegjuar ta shijojnë.
A mund të blejmë bileta për sfilatën e Victoria’s Secret?
Jo jo: nuk shiten bileta për spektaklin e Victoria’s Secret. Paçka se në sajtin kinez për shitje online Taobao dikush shiste tetë bileta për rreth 14 mijë dollarë secila.
Kompania sqaron se akses për të parë shfaqjen kanë vetëm të ftuarit.
Çfarë është kjo “Fantasy Bra” dhe pse është kaq e rëndësishme?
1 dhe vetëm 1 prej modeleve ka nderin të veshë “Fantasy Bra”- sutjenin e fantazisë- pra reçipetat më të kushtueshme në botë, që këtë vit i takuan bombës braziliane Lais Ribeiro. Lais është 27 vjeç, 1,80 e gjatë dhe ka një djalë.
Ribeiro sfilon sot në pasarelën e Shanghai-t me Champagne Nights Fantasy Bra, një punim prej floriri dhe gurësh safiri, që ka vlerën e 2 milion dollarëve.
Po si, mbajnë me hatër një ëngjëll dhe 10 të tjerat të rrinë?
Një tjetër moment i shumëpritur është edhe ai i modeles që sfilon me veshjen Swarovski, gjithashtu shumë e shtrenjtë edhe pse kompania e gurëve të çmuar nuk parapëlqen ta japë vlerën.
Këtë vit, veshja Swarovski i takoi ëngjëllit Elsa Hosk, 29 vjeç, suedeze, 1,77 e gjatë, flokë dhe fytyrë si Barbie.
Victoria’s Secret këtë vit ndryshon fytyrë: Bashkëpunimi me markën e famshme Balmain
Ajo që këtë vit ndodh për herë të parë, është bashkëpunimi i Victoria’s Secret me markën e famshme të modës Balmain, drejtuar nga dizenjatori Olivier Rousteing, miku i ngushtë i Kardashianëve.
Disa nga të brendshmet spektakolare me të cilat do të sfilojnë ëngjëjt dhe modelet janë dizenjuar prej Balmain, ndaj pritet që të kemi veshje të papara, si asnjëherë më parë tek “Victoria’s Secret”. Jo më vetëm ngjyra rozë: Balmain i ka dhënë Victoria’s Secret një prekje rock, një prekje ekstravagance dhe trasgresiviteti të pazakontë për ëngjëjt e qeshur të Victoria’s Secret.
Ëngjëj dhe modele të Victoria’s Secret: Ku ndryshojnë?

Ëngjëjt e Victoria’s Secret janë modelet që nënshkruajnë kontratë me Victoria’s Secret, që përfshin fotografimin për katalogjet e Victoria’s Secret, intervista promovuese të koleksioneve apo parfumeve të reja, video me këshilla për dietat dhe ushtrimet në palestër.
Shkurt, të jesh ëngjëll do të thotë të jesh imazh i Victoria’s Secret gjatë gjithë vitit, jo vetëm të sfilosh në spektaklin e madh të fundvitit.
Ndërsa ëngjëjt e kanë në xhep sfilatën, modelet përzgjidhen nëpërmjet audicioneve. Nëse një modele performon shumë mirë në sfilatë, mund edhe të zgjidhet nga Victoria’s Secret për t’u bërë ëngjëll me kontratë nga 1-10 vjet.
Kush janë ëngjëjt e Victoria’s Secret?
As Gigi Hadid, as Kendall Jenner, as Bella Hadid, nuk janë ëngjëj të Victoria’s Secret.

Tre prej ëngjëjve që mund të njihni janë: Adriana Lima, Alessandra Ambrosio (të dyja braziliane, të dyja veterane të Victoria’s Secret) apo Candice Swanepoel.
Behati Prinsloo, një tjetër ëngjëll që ka 10 vjet që punon me Victoria’s, nuk do të sfilojë sepse është shtatzënë për herë të dytë me bashkëshortin Adam Levine.
Gjithashtu shumë e njohur është ëngjëlli Lily Aldridge.
Ëngjëlli më i ri është Josephine Skriver, e cila e fitoi kontratën vjet.
Të tjerë ëngjëj, të renditura në mënyrë rastësore:
Elsa Hosk
Jasmine Tookes (që vjet veshi Fantasy Bra)
Stella Maxwell
Sara Sampaio
Romee Strijd
Lais Ribeiro
Martha Hunt
Taylor Hill
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.