Sot hapi dyert Panairi i Njëzetë i Librit në Pallatin e Kongreseve dhe sipas kryetarit të shoqatës së botuesve, Petrit Ymerit, libri gjendet gjithmonë e më shumë në vështirësi. Shitjet kanë rënë dhe mbështetja financiare mungon.
“Tani botojmë libra me 200 kopje, kurrë nuk ka ndodhur deri tani. Nuk kemi pasur asnjë rast të tillë, tirazhi ka qenë mbi 500 kopje. Kjo është një situatë jo e mirë dhe nuk na vjen mirë që e themi,” tha Ymeri për Gazetën Shqiptare.
Sipas tij, përveç rënies së titujve të botuar, ka rënë dhe tirazhi i tyre.
Një tjetër problem me të cilin u has Panairi këtë vit ishte mungesa e të ftuarve specialë, pasi nuk ka fonde nga Bashkia e Tiranës. Si dhe, Bashkia është fokusuar tepër në ndërtimin e bibliotekave dhe jo në pasurimin e tyre.
“Biblioteka është libri, jo tulla. Tek lagja 9, për shembull, është një bibliotekë që është rikonstrukturuar disa herë, ndërkohë që ka qenë një nga bibliotekat më të mira në Tiranë. Ato fonde mund të shpenzohen për të blerë libra. Po mbushen bibliotekat me Danielle Steel. Të shpallen tendera publikë, e të mbushen bibliotekat me libra,” sugjeroi Ymeri.
Gjithashtu është problematik niveli i TVSH-së për librat, që është më e larta, 20%, në krahasim me Europën, ku më e larta është 4% - 6%.