Çfarë po ndodh rreth nesh

DJ Mickey fitues i Red Bull Thre3Style Albania 2014

2 Gusht 2014

DJ Mickey fitues i Red Bull Thre3Style Albania 2014

Për të dytin vit rresht në Shqipëri, Red Bull organizoi këtë konkurs për DJ, ku morrën pjesë: Roots Raid, Positive Cuts, DJ Mickey, Eri Dee, Proness DJ dhe K3ytech. Konkursi u zhvillua në ambientet e Folie Marine në Jalë më 26 Korrik, ku fitues u shpall DJ Mickey, i cili do të përfaqësojë Shqipërinë në Finalen Botërore të Red Bull Thre3Style në Shtator të këtij viti, në Baku, Azerbaixhan.

Red Bull Thre3Style është një konkurs botëror për DJ, ku secili konkurrent luan për 15 minuta tre zhanre të ndryshme muzikore. Kriteret e vlerësimit për secilën performancë janë: përzgjedhja e këngëve, kreativiteti, aftësitë për të miksuar, paraqitja në skenë si dhe reagimi i publikut.

Për të përzgjedhur DJ-in më të mirë shqiptar, në panelin e jurisë ishin dyshja e DJ-ve belg Sem Thomasson & DJ Dominico si dhe fituesi i Red Bull Thre3Style Kosovo 2013, DJ Gamble.

Fituesit e konkurseve Red Bull Thre3Style që po zhvillohen në mbarë botën, në shtete si Azerbaixhani, Austria, Belgjika, Brazili, Bullgaria, Kanadaja, Kili, Gjermania, Japonia, Kazakistani, Latonia, Norvegjia, Ukraina etj, do të mblidhen të gjithë së bashku për të konkurruar në rang botëror në Finalen e Madhe të Red Bull Thre3Style në shtator të këtij viti, për të shpallur Kampionin e Botës për vitin 2014.

Ky konkurs për herë të parë është zhvilluar në Kanada pesë vjet më parë dhe nga një konkurs brenda shtetit, në vitin 2010 u shndërruar në një konkurs botëror për DJ, ku DJ i parë i kurorëzuar si Kampion Bote ishte francezi Karve, për të vazhduar më pas me kanadezin DJ Hedspin si fitues në vitin 2011, DJ nga SHBA Four Color Zack në 2012 dhe japonezi DJ Shintaro në vitin 2013.