Pas ndarjes nga jeta të Adelajda Xhamanit, mediat u përmbytën me historinë e saj frymëzuese. Se si një vajzë e thjeshtë nga Kavaja la qytetin e saj, familjen dhe të fejuarin, për të marrë pjesë në Big Brother. Se si pavarësisht fjalëve, gjeti dashurinë në shtëpinë më të vëzhguar. Se si ia doli të punonte aty ku i donte zemra dhe si ndërtoi një karrierë me duart e veta.
Në nder të saj dhe gjithë shqiptarëve që i dolën kundër paragjykimeve dhe tabuve në vend, mbrëmë në faqen në Facebook të Anabel, u postuan histori të ngjashme me të sajën.
Ajo çka vihej re më së shumti ishin pengesat e familjeve për t’u lidhur apo ndarë me një person specifik:
“Jam një vajzë nga juglindja e Shqipërisë. Kur isha 19 vjeçe, me anë të disa të njohurve, njihem me një djalë nga veriu. Më pëlqeu dhe filluam të dilnim bashkë. Prindërit e mi e morën vesh dhe unë nga frika e tyre pranova të fejohesha me të. Edhe pse isha shumë e re, u fejova për hir të opinionit. Pasi u fejova, zbulova që gjithë që ai më kishte thënë ishte një gënjeshtër. Ai ishte i pashkollë, ndërkohë unë vazhdoja shkollën e lartë. Nuk punonte, nuk kishte as shtëpi, mezi ushqeheshim. Kjo nuk ishte shumë pengesë për mua se jam tip që përshtatem, s’jam mësuar me luks. Bënim gjithçka si thoshte vjehrra dhe vjehrri, pasi ishin fanatik në kulm. S’më linin as të takoja vëllain tim, jo më të dilja veëtm. Mes shumë vuajtjesh, kalova dy vite. Më vinte turp të ndahesha nga opinioni. Falë mbështetjes së prindërve arrita të ndahem prej tij, edhe pse hasa shumë kërcënime. Ndjeva se rilinda, sikur kisha jetë sërish...”
“Para dy vitesh u njoha me një djalë që as familja dhe as të afërmit nuk e pranonin sepse nuk kishte arsimin e duhur dhe ishte me origjinë nga fshati. Ne jemi nga e njëjta zonë. Ai vjen nga një familje shumë e mirë dhe ka një punë të mirë. Unë nuk hoqa dorë sepse e doja shumë, ishte njeriu që më bënte të lumtur. I kundërshtova prindërit dhe më në fund ata e pranuan. Tani jam pranë njeriut të zemrës, që e dua më shumë se jetën time.”
Ndërsa të tjera të reja, përpos jetës personale, janë paragjykuar dhe janë gjendur përballë pengesave vetëm sepse donin të shkolloheshin:
“Jam nga veriu i Shqipërisë, ku të gjithë si fis jemi fanatik dhe paragjykues. Nga fisi im asnjë vajzë nuk e ka mbaruar shkollën e lartë. Edhe të mesmen e kanë mbaruar shumë pak. Sepse sipas tyre, femrës nuk i duhet shkolla, e mban burri. Ato që shkojnë akoma në shkollë janë të përdala. Pavarësisht faktit se jetojmë në Tiranë prej vitesh, më duket sikur jemi akoma në kohën e qepës. Unë jam e para nga fisi im që vazhdoj shkollën e lartë. Ndoshta rezultatet nuk i kam shumë të larta, por me shumë këmbëngulje arrita të bind prindërit. Shpresoj që kjo do të jetë një shtysë për brezin tjetër që ta ketë më të lehtë të përballet me këtë mentalitet. Tani kemi tjetër problem: vazhdoi goca shkollën dhe do të na ngelë në derë.”
Kjo e re është paragjykuar për çdo gjë që ka bërë në jetë, por kjo s’e ka ndaluar të zgjedhë atë që do vërtetë:
“Jam nga qytet i vogël dhe jam paragjykuar për çdo gjë. U paragjykova pse isha vajza çapkëne që vishej bukur dhe kishte shoqëri me djem më shumë se me vajza. U paragjykova pse u dashurova që 15 vjeçe. Që u fejova që 16 vjeçe. U paragjykova se fillova universitetin dhe pse kisha “burrë”. U paragjykova sepse nuk shkela me këmbë krenarinë time dhe u ndava pak para dasmës. U paragjykova sepse fillova një jetë jashtë shtetit me ndihmën e familjes. Sot paragjykohem si e përdalë sepse një personi i leverdiste shumë të më ulte personalitetin. E vërteta ime është ndryshe. Sot nuk nuk vuaj më nga paragjykimet, sepse një ditë do të pushojnë të gjithë.”