Trashëgimia kulturore shqiptare përfaqësohet më së miri nga isopolifonia e jugut. Në gjithë pasurinë që mbart kultura e vendit, këngët folklorike janë ato që të mbeten në mendje, tejkalojnë kufijtë fizikë dhe janë absolutisht të papërsëritshme. Qoftë pak nota kanë aftësinë të të kthejnë mbrapsht në kohë, në kujtime gjithë ndjenjë. Sidoqoftë, janë pasuria më pak e dokumentuar. Regjistrimet janë të pakëta, iso-polifonia është ende e panjohur në botë dhe e pavlerësuar në vend.
Përveçse kanë mahnitur çdo vendas dhe turist të mundshëm, sazet dhe isot ranë në veshin e Joe Boyd. Shumë do të thonë kush është ky, shumë do të përpiqen të gjejnë lidhjen mes producentit legjendar të Pink Floyd dhe muzikës polifonike shqiptare.
Boyd e dëgjoi për herë të parë muzikën folklorike vendase para 29 vitesh. Atëherë nisi udhëtimi i tij për të dokumentuar në fjalët e tij “muzikën mahnitëse” të vendit tonë. Udhëtim që rezultoi në albumin që mbajmë sot në duar “At Least Wave Your Handkerchief At Me: The Joy and Sorrows of Southern Albanian Song”.

“Muzika shqiptare më ka intriguar prej kohësh. Në 1988-n, dëgjova një video të nxjerrë fshehurazi nga vendit të Festivalit të Folklorit të Gjirokastrës të atij viti, por regjistrime të tjera cilësore ishin vështirë për t’u gjetur. Kur më në fund shkova në 2014-m, u magjepsa nga vendi dhe muzika hipnotizuese. Në atë moment më lindi ideja për të nxjerrë në treg një album.”
Dy vite më vonë, Boyd së bashku me bashkë-producenten e albumit Edit Pula, e cila sapo kishte ndihmuar në realizimin e një dokumentari për muzikën tradicionale shqiptare në BBC, nisën projektin në Kickstarter, të quajtur "Saze the Day", për të mbledhur fonde mjaftueshëm që të realizonin qëllimin: një album që përmbante bërthamën dhe zemrën e iso-polifonisë shqiptare. Në korrik të 2016-s nisi mbledhja e fondeve nga njerëz krejt të zakonshëm dhe jo vetëm, që thjesht donin të dëgjonin folklor shqiptar. Në shtator u mblodh gjithë shuma e nevojshme, plot 20,128 paund britanikë. Pas një pune intensive nga Joe Boyd dhe fituesi i çmimeve Grammy, inxhinieri i zërit, Jerry Boys, më 13 tetor albumi ishte gati për gjithë ata që i mbështetën dhe më tej.
Vaso Tole shërbeu si këshilltar i projektit. Kompozitori dhe etnomuzikologu i njohur shqiptar tha se ky album është prezantimi dhe promovimi më i arrirë i kulturës shqiptare. Ai tregoi për profesionalizmin dhe rëndësinë që i është kushtuar detajeve në këtë kompilacion kaq përçues.

Dhe albumi ia doli qëllimit të tij. Revista prestigjoze amerikane, The New Yorker, e përfshiu këngën e parë të Saz'iso, “Tana”, në serinë e tyre të përjavshme të këngëve të rekomanduara.
“Udhëtova në Shqipëri për herë të parë korrikun e kaluar dhe kënga e parë e albumit më kujton gjallërisht rrugëtimin nëpër Ballkan me një Volkswagen të prishur, pa e ditur kurrë mirë ç’mund të gjesh rrugës. Muzika iso-polifonike hipnotizuese e rajonit kombinon melodi zanore, të cilat shpesh luhen në violinë ose klarinetë, me një iso ritmike ose me një zukatje lahute ose dajreje. Është muzika më e thjeshtë dhe më rrënqethëse që ka bota,” shkruan Amanda Petrusich për The New Yorker.
Më mirë se kaq nuk mund të thuhej. Çdo fjalë e Petrusich e përmbledh më së miri albumin e Saz’iso. Në sekondat e para të kujtohet çdo dasmë, çdo aheng, çdo udhëtim në fshat, çdo copëz Shqipërie që mund të kesh parë, gjithë aromat dhe ushqimet, gjithë përqafimet e nënës dhe riminishencat që struken në cep të mendjes. Është vërtet vendi ynë në një disk të shkëlqyeshëm.
Robin Denselow i The Guardian nga ana tjetër, shprehet i sigurt se Saz’iso meriton famë përtej Shqipërisë.

Këtu nis dhe rruga e gjatë e iso-polifonisë shqiptare në botë. Gjithë nëntorin banda do të jetë në tur në Mbretërinë e Bashkuar dhe më 1 dhjetor, grupi Saz’iso është ftuar në të njëjtën ditë me Dua Lipa-n dhe Noel Gallagher (Oasis) të performojë në programin më të famshëm të muzikës në BBC Later...with Jools Holland.
Pas mbështetjes së njerëzve që i dhanë formë muzikës siç e njohim sot, është momenti që edhe ne t’i kushtojmë pak kohë trashëgimisë vendase. Qoftë duke blerë albumin, duke dëgjuar një koncert apo duke shpërndarë fjalën. Më pakta që mund të bëjmë, është të tundim shaminë.