Në një moment ose një tjetër, të gjithë kemi menduar për momentin kur do të bëhemi prindër. Si është të jesh shtatzënë, si është të lindësh, të mbash në krahë foshnjën. Për të kaluar tek sfidat: zgjimet çdo tre orë, të qarat, sëmundjet, të qenit vetëm e pa ndihmë, edukimi, lista mund të vazhdojë pa fund.
Për të shuar kureshtjen e çdokujt për si është realisht të jesh nënë (apo prind), ndjekësit e Anabel në Facebook dërguan përvojat e tyre gjatë temës së hapur mbrëmë: mëmësia s’ishte ashtu siç e prisja.
Sigurisht, historitë e para folën për vështirësitë e ditëve të para pas lindjes:
“Jam bërë nënë në moshën 19-vjeçare. Muajt e parë, është e kotë ta fshëh, por kanë qenë të tmerrshme. Duke filluar nga mungesa e qumështit, moskapja e biberonit, qumështi. S’e lëshonte thithkën gjithë ditën. Netët pa gjumë, kur shikoja burrin që flinte si qingj, më vinte ta zgjoja. [...] Gati dy vitet e para të jetës time me fëmijën tim kanë qenë torturë, përve rasteve kur ia lija mamit[...]”
Në të njëjtën linjë vështirësie dhe sprove, një tjetër nënë i kujton me sportivitet dhe humor ditët e para me të birin:
“[...] Jetoj jashtë dhe pa ndihmën e askujt. Dy javë pas lindjes, burri nisi punën. Ngela unë me sytë gjashtë sipër një bebeje. Eksperiencë e paparë. Një orë duke i ndërruar një kanatjere se mos i thyeja ndonjë gjë. Një pako pelena në ditë se më lagej. Sinqerisht, ndjenjën e një nëne e kam ndjerë shumë si fillim, duke iu kushtuar aq shumë nga frika mos i ndodhte gjë. Deri kur filloi me të qeshurat e lëvizjet, aty fillova të ndjeja ndjesi të papara, i bëja foto pafund[...]”
Të tjera gra nuk ishin aq me fat sa të vuanin vetëm nga sfidat tipike e të qenit prind i ri. Mbi supe duhet të mbanin edhe frikën e dështimit, sëmundje që u kërcënonin jetën, madje edhe kancer. Mes zgjedhjes jetën tënde ose të fëmijës, nënat që na shkruajtën zgjodhën të fëmijës:
“Isha në muajin e gjashtë të shtatzënisë. Bëj disa analiza dhe shkoj tek mjeku për të marrë përgjigjet. Më thotë që kanceri po avancon, do të presim sa të lindësh e duhet të operohesh urgjentisht. Mu hap toka nën këmb. Vë dorën në bark dhe i them engjëllit tim që do ta ham kancerin përpara se të na hajë ai ne. E kështu ndodhi, unë dhe engjëlli im ia dolëm.”
Ndërsa një e re me një prej historitë më traumatike mbrëmë, përve problemeve me lindjen dhe vënies së jetës së saj në rrezik, iu desh të përballej dhe me një bashkëshort që nuk e mbështeste dhe s’interesohej për mirëqenien e saj apo foshnjës së tyre:
“U martova shumë e vogël, 14 vjeçe. Pas dy vitesh martesë, shkoj në Itali të jetoj me burrin. Mërzitesha vetëm në shtëpi e kështu iu luta të bënim një fëmijë. Kur mora lajmin se isha shtatzënë, lumturia ime s’kishte fund. Bëja vizitat vetëm edhe pse s’dija italisht. Mjekët më thonin që është vajzë, unë e ndjeja që ishte djalë. Burri u mërzit kur mori vesh se ishte vajzë. Kaluan 42 javë, bebi nuk donte të dilte, ai s’kujtohej të më çonte në spital [...] Më çojnë në sallën e operimit dhe më thonë që jeta ime është në rrezik, duhet të zgjedh kë do të shpëtoj. Pa e menduar asnjë sekondë, vendosa për fëmijën. Kush është nënë më kupton. Pas 15 minutash del engjëlli im. Ma sollën tek faqja ta puthja dhe në atë moment unë bie në koma. Pas dy orësh më shpëtuan dhe sa hap sytë, pyes për djalin [...]”
Tema nuk ishte ekskluzive për nënat e gjithsesi, vetëm dy baballarë shkruajtën:
“Kur më lindi vajza, siunë dhe nusja nuk kishim njohuri dhe nëse vajza qante pak, ne rrinim gjithë natën zgjuar. Kur u bë dy javëshe, vajzën e zuri temperatura dhe e çuam në spital. I bënim gjilpëra, nga njëra anë qante vajza, nga njëra anë unë. Pas disa kohës, vajza kaloi epilepsi. Ajo ka qenë dita më e keqe e jetës time. Më shumë i rrinin mjekët dhe infermierët në kokë se sa unë. Kur shihja vajzën në atë gjendje, më binte të fiktë. Sot e kam si molla dhe të gjitha të këqijat i janë larguar. Jo vetëm nënat stërlodhen dhe mundohen, por edhe ne baballarët.”
***
“Jam një baba i ri në moshë, vetëm 24 vjeç. Kam një djalë të vogël një vjeç e gjysmë. Dje pësova shokun më të madh të jetës sime. Djali u vra tek cepi i tavolinës dhe çau syrin. E vetmja gjë që thashë ishte ‘o Zot shyqyr me kaq’. Por nuk është ky problemi i vetëm. Që kur lindi djali, marrëdhëniet me partneren janë shuar në çdo aspekt. Nuk kuptohemi, nuk biem dakort për asnjë pikë në rritjen e djalit. Doja të theksoja që jam shumë i ngjitur me djalin dhe që kur ka lindur e laj unë, në disa raste e ndërroj. Në raste të tjera lë punën me lloj lloj pretekstesh vetëm për ta takuar. Është e tepruar diçka e tillë? Ndoshta baballarët dueht të kenë një qëndrim pak më të vendosur? Që kur ka lindur djali jam kthyer në një klloun vetëm që ai të qeshë. Më ndryshoi jetën.”
Një nënë i tha të gjitha në pak rreshta histori. Duke nisur nga vuajtjet, lodhjet, dilemat, zilia. E duke e përfunduar tek ato që kanë rëndësi, tek të ndjerit rehat me veten e të qenit mirënjohës për jetën që i është falur:
“Mund të gëzoj në jetë! Nuk është aspak fushë me lule, nuk i ngjan as një reklame nga këto me shkëlqim e lajle lule, me fëmijë e familje të përkryera. Është çdo ditë ‘luftë’ për të bindur të madhin të mësojë, të dëgjojë, të ketë kujdes për veten, të çojë pjatën në lavaman, të lajë dhëmbët, të kujdeset për të voglin, fill pasi je kthyer nga dhjetë orë punë ku të zien koka e s’të shohin më sytë nga lodhja. Por që të gjitha sikur ngrijnë sapo sytë të zënë kicat e sapo dalë të një vevi që gëzon sapo të dëgjon zërin dhe një biri që të merr mënjanë për të të rrëfyer një sekret se te mami ka një lloj besimi të veçantë. E atëherë kur më bie pika në mes të qendrës tregtare kur shoh ca lloje mamash majë takve të holla, veshur bukur, parfumosur, hekurosur, që shtyjnë gjithë delikatesë njëkarrocë të kuqe me një beb më të vogël se i imi që po fle, pësoj një lloj shoku të tipit: si dreqin ia del vallë? Se edhe unë dikur mendoja se kush do i bën të gjitha. Tani e dyshoj shumë. Më ha zilia e më vjen aq keq për veten gjithë rrugën e kthimit në shtëpi që nuk i humba këto të uruara kilogramë sepse ngela duke e shtyrë dietën për të hënën, që nuk më shkëlqen lëkura si kokrra mollës dhe takat më duken si gjëra akrobatësh. Që nuk vezulloj si ajo mamaja me karrocë të kuqe e taka të holla e të florinjta, e 1001 dilema shushatin trurin tim. Në fund të ditës kuptoj se asgjë nuk ka rëndësi dhe nuk do të doja nje jetë tjetër nga ç’kam. Në fund të ditës, kur fëmijët më buzëqeshin dhe i shoh që janë mirë, ndiej se jam e bekuar dhe gjithçka është në vendin e vet në jetën time. Nuk ka gjë që nuk do të bëja për dy bekimet e mia. Nuk ka lumturi e bekim më të madh.”