Letrat e emigrantëve shqiptarë në Amerikë, që shprehen të zhgënjyer nga jeta atje, ngjallën shumë debat mes komentuesve në faqen Anabel në Facebook. Të revoltuar për orët e zgjatura të punës dhe taksat që duhet të paguajnë, shqiptarët e SHBA-ve shprehën pakënaqësitë mbrëmë, gjatë temës “Nuk po e përballoj dot emigrimin, dua të iki nga ky vend!” në faqen Revista Anabel.
Nga ana tjetër, shumë komentues argumentojnë se, ajo që shkruesit e letrave konsiderojnë zhgënjim, është në fakt normale: që të fitosh para, duhet të punosh.
Ja letra e një emigranteje shqiptare në SHBA, shumë e zhgënjyer nga ajo çfarë gjeti:
“Amerika emrin e madh e vuajtje e madhe. Askush s’do t’ia dijë se ekziston ti. Të merr malli për kafetë me shoqërinë dhe për thashethemet... s’e njeh qetësinë, as lumturinë jo.... vetëm paranë. Punë natë e ditë, të mbysin taksat. Nuk je kurrë e qetë, dhe më keq, të gjithë mendojnë se lekët i gjen rrugës, mendon se je parajsë, luks. Asgjë s’është e vërtetë, të gjithë punojnë çdo lloj pune që të paguajnë fatura dhe asgjë nuk mbetet. Dhe më e bukura? Vijmë e shesim mend në Shqipëri. S’ka më të bukur se Shqipëria, e urrej Amerikën, por s’kam zgjidhje tjetër, shpesh e mendoj të kthehem. Ndoshta jo tani, por shpejt e di se do të kthehem, jam e sigurt.”
Sidoqoftë, letra e saj mori shumë reagime nga emigrantë të tjerë, që i thonë se në SHBA ndoshta nuk mund të pish kafe me orë të zgjatura, por ama paguhesh aq sa meriton.
“Jam shumë dakord për disa gjëra që ke shkruar, ama përsa i përket punës, normale që nëse do para, nëse do të jetosh, duhet të punosh e dashur, se leku nuk bie nga qielli. Unë s’bëj asnjë ditë pushim, përveç fundjavave, ama prapë nuk qahem dhe jam e lumtur, se lekët i marr në dorë çdo të premte, për çdo minutë që kam punuar gjatë javës, edhe dollarin e fundit.”
“Mbase do të thuash se të mungojnë njerëzit me të cilët dilje për kafe. Këtu punon, por ama shpërblehesh për atë punë, trajtohesh si njeri. Shkon nëpër spitale, s’ke nevojë të marrësg me vete çarçafe si në Shqipëri, por çdo gjë është perfekt. E vetmja gjë për të cilën të merr malli janë njerëzit e tu dhe shoqërinë, ama jetën nëpër kafe gjithë ditën... s’më merr malli hiç. Apo ajo koha nëpër universitete, ku të trajtojnë si qen, apo spitalet që vetëm spitale s’mund të quhen... Fatkeqësisht, Shqipëria ka shumë gjëra mangët...”
Yeap. Disa emigrantë shqiptarë ankohen se s’u mbetet fare kohë për veten, se nuk i kanë më ato kafetë me prindërit, familjen dhe miqtë, se nuk u mbetet kohë të shpenzojnë ato para që kanë fituar.
“Anabel, edhe unë me Amerikën e kam! Kam 6 muaj që kam ardhur këtej familjarisht, bashkë me burrin dhe fëmijën tonë. Kam bërë gjënë më të mirë dhe më të keqe të jetës time. Më të mirë sepse tani e vlerësoj jetën që kisha dhe Shqipërinë, dhe gjënë më të keqe sepse prisha çdo gjë të bukur që kisha.
Amerika nuk është më ajo që ka qenë, për fat të keq vetëm emri i madh i ka ngelur. Pavarësisht kësaj, nuk dua të ankohem, sepse na ka ecur shumë mirë, punët i kemi shumë të mira dhe të paguara po s’e do... ku t’i harxhosh ato lekë për qejf, nëse të ngelen kuptohet, se këtu thyhesh në mes nga faturat.
Ne kishim super punë në Tiranë, bënim jetën si na e donte qejfi. 2 herë në vit me pushime jashtë shtetit, eh kur e kujtoj! Mbas pune dilnim gati çdo pasdite për kafe. Këtu vjen nga puna dhe nuk di ku të vesh. Neë York City-n e kam 25 minuta larg me makinë, por a ia vlen çdo ditë mbas pune të dalësh 25 minuta larg? [...]
Si përfundim, një mesazh kam, për të gjithë ata që kanë një jetë të mirë në Shqipëri, mos e braktisni jetën tuaj të bukur, sepse të lumtur nuk të bën vendi, por toka jote dhe njerëzit e tu.
Anabel, do të takohemi shpejt në Tiranë, sepse s’kam ndërmend ta çoj jetën për pambuk më Amerikë. Letrat do t’i mbaj se nuk i dihet, po jetës këtu mos ia pafsha më bojën...jetë koti!”
“Jetoj në USA, tek njerëzit e mi që më kanë dhënë çdo të mirë, me shtëpi e me punë, s’paguaj as qera, çdo gjë e kam për vete. [...]
Nuk e di sa sa e si do të rri, si do të më vazhdojë jeta, por diçka e kam kuptuar më së miri, se paraja nuk blen familjen, shoqërinë, kafenë e mëngjesit me gazetat para e pak thashetheme që ne bënim çdo ditë.
Oh, sa më mungojnë familja e shoqëria, më merr malli për çdo gjë, edhe për të dëgjuar komshiun kur zihej me gruan, se të paktën flet shqip.
Këtu je makineri, sistemi është i tillë që, siç t’i japin, ashtu t’i marrin lekët. Nëse nuk t’i marrin të gjitha, ky sistem të merr gjënë më të shtrenjtë: kohën. Këtu s’ke kurrë kohë për asgjë, sado të zgjohesh herët, prapë je vonë.
Kur hap mediat dhe lexoj ç’bëhet në Shqipëri them këtë: E gjithë Shqipëria është sa një lagje e Neë York-ut (Bronx) dhe lajmet atje bëjnë më shumë zhurmë se këtu, por ama i them gjithë rinisë (sidomos atyre me shkollë) të mos largohen, më mirë pak, por janë në vendin e tyre, flasin dhe shikohen çdo ditë me nënë e baba [...]
Mos u largoni, se askund s’do të jeni në vendin tuaj, do të fitoni më shumë dhe do të punoni shumë më shumë, dhe do të paguani shumë më shumë.”
Sikurse vë në dukje një ndjekëse e Anabel nga SHBA-të, Amerika të do pa lajle-lule; atje s’të bie koha të krihesh, të vishesh e nuk ecën dot nëpër rrugë “si zonjë e rëndë”. Sidoqoftë, arsyeja që i ka shtyrë shqiptarët të shkojnë atje, në mos për një jetë më të mirë, është e ardhmja. Shumë shkojnë të marrin një shkollim më të mirë, sepse diplomat shqiptare nuk njihen në shumë vende të botës.
“Emigrova këtu përpara 4 muajsh, por jo gjithçka doli siç e kishim parashikuar. Fati im i madh ishte se erdha bashkë me familjen dhe kam një mbështetje të madhe, por sido që të jetë, has shumë vështirësi. Në Shqipëri prindërit kishin punëra të mira, domethënë rroga shteti, kishim një biznes tonin dhe një vilë relativisht të madhe.
Këtu jemi sistemuar mirë si fillim, por është shumë e vështirë të shikosh prindërit që atje dilnin veshur me kostume e i respektonin të gjithë, kurse këtu të jenë larg nga mëngjesi deri në darkë, të bëjnë punët më të ulëta me rrogë minimale. Nuk mund të them që e urrej këtë vend, se këtu erdhëm për shkollimin e vëllezërve dhe shpresoj që do të arrijnë sa më lart të jetë e mundur, për të shlyer sadopak sakrificën e prindërve dhe jetën tonë, por mendimi pse vendi ynë nuk na jep mundësitë që na jep Amerika, më shoqëron çdo ditë.
Pse ne, mosha e re, gjenerata e jetës, truri i ri i shoqërisë, duhet të lëmë vendin tonë, të emigrojmë, të sakrifikojmë pafund për një të ardhme më të mirë? A nuk është e pakuptimtë që ne duam të ikim aq sa edhe të rrimë?”
Komentuesit shkruajnë se edhe në Amerikë jetohet mirë, mund të argëtohesh dhe të kënaqesh, por s’ke përse të shpenzosh shumë para. Nëse do të vishesh me firmato në SHBA, lajme jo të mira: nuk ia del dot.
“Jetën është si ta bësh gjithkund. Vërtet USA nuk ka kafenetë dhe jetën shoqërore që kemi lënë në Shqipëri, por sërish kush dëshiron të argëtohet e të dalë nga rutina e gjen mënyrën, pa e zbrazur xhepin krejt. Gjithë çështja është të dish të kursesh e të jesh i matur në shpenzime. Se po të blesh veç produkte designer, padyshim që i bie të jetosh check by check e të llogarisësh a mund t’i paguash faturat në fund të muajit. Një pjesë e komunitetit shqiptar në Amerikë jeton për t’i bërë karshillëk njëri-tjetrit, nuk jetojnë sipas buxhetit që kanë, ky është problemi.”
Kurse prindërit- ata që marrin rrugën për në SHBA që të sigurojnë një të ardhme më të mirë për fëmijët- shprehen se kanë derdhur shumë mund, por tani janë krenarë që u dhanë një karrierë të mirë fëmijëve, të cilët u janë mirënjohës.
“Do shumë sakrifica, kemi bërë nga dy punë, ama i dhamë një të ardhme të shkëlqyer fëmijëve që në Shqipëri kurrë nuk do ta kishin kërë karrierë që kanë këtu, sa për kafe të gjithë shqiptarët nëpër kafenera i ke, dhe vetëm bla bla bëjnë [...] Unë bashkë me burrin dhe fëmijët jemi shumë të lumtur këtu, sidomos fëmijët që gjithmonë më thonë: “Thank you mom që na solle këtu” (se mua më ra llotaria) se po të ishim në Shqipëri do të kishm 4-5 kalamaj dhe nuk do të kishim bukë të hanim.”
Një ndjekëse e Anabel shkruan se përpara se të shkonte në SHBA, i dukej shumë e bukur. Tani që jeton atje, mendon krejt të kundërtën.
“Anabel, i kuptoj komentuesit. Para se të vija këtu edhe unë mendoja ashtu, doja vetëm ta prekja Amerikën, por kur vjen këtu...
Sa për dijeni jam me letra, po ato që janë pa letra? Punoj, të gjithë punojnë këtu se të bën halli, po do të doja të vinit e ta provonit. Çdokush ka të drejtë të mendojë si të dojë, por unë nuk e mbyll jetën këtu.”
Sipas një komentuesi, ata që ankohen për Amerikën thjesht s’e kanë me ndonjë qejf të madh punën.
“Boll na treguat përralla për Amerikën, se kam qenë atje dhe bëhet edhe punë, edhe jetë. Mos u qani shumë.
Më e çuditshmja është se ata që qahen janë ata shqiptarë dembelë që në Shqipëri nuk kapnin punë me dorë dhe mendonin se atje do të gjenin parajsën. Po punove, vlerësohesh për punën që bën, dhe ke të ardhura për të jetuar shkëlqyeshëm.”
Të tjerë, thonë se arsyeja pse kanë ikur nga Shqipëria është sistemi i korruptuar, edhe në sektore që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me jetën e njeriut, siç është shëndetësia.
“Në kurbet jetojnë njerëz punëtorë, që nuk pranojnë të korruptohen, që venë në spital dhe nuk paguajnë mjekët, që na respektojnë për integritetin dhe jo për sasinë e të ardhurave në bankë. Jetojmë e punojmë në kurbet, dhe ndihmojmë edhe familjarët që janë moshatarë, sepse shteti ka harruar që egzistojnë. Nuk e mohon asnjë Shqipërinë, po vetëm kemi zgjedhur një rrugë të ndershme për të jetuar, jo duke u marrë me llafe idiote.”
Sido që të jetë, prej viteve 1800 e këtej, shqiptarët nuk kanë reshtur së emigruari drejt Shteteve të Bashkuara, duke arritur në 2008-ën shifrën e mbi 200 mijë emigrantëve. Mirë apo keq, diçka e mirë i tërheq të aplikojnë çdo vit për lotarinë amerikane, që në 2015-ën shënoi rekordin e 200 mijë aplikantëve.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.