Katër vite më parë, 30-vjeçarja Vilma Dule, u sulmua me acid kur po dilte nga shtëpia për të shkuar në punë. Ajo ishte menaxhere e burimeve njerëzore në një call center në Tiranë dhe vetë tha se: “Kam dyshime se ngjarja ka ndodhur për shkak të punës. Duke qenë se jam menaxhere, kam shkarkuar shumë persona nga puna. Mendoj se dikush ka paguar për të më qëlluar.”
Ajo ishte e shoqëruar nga halla dhe kushërira e aj në momentin e sulmit. Një i ri i hodhi Vilmës acid në fytyrë e trup, i cili shkaktoi dëme e njolla në lëkurë. Vilma u shoqërua në spital ku rezultoi jashtë rrezikut për jetën dhe me shikim të padëmtuar. Asokohe, në polici u shoqëruan 13 persona të dyshuar për sulmin.
Tani, Vilma e ka superuar ndodhinë tragjike dhe shfaqet më me vetëbesim se kurrë. Në faqen e saj në Facebook, ajo poston foto të fytyrës ashtu siç është, pa pasur frikë e pa u ndjerë keq. Një histori guximi dhe dashurie për veten, Vilma frymëzon ndjekësit e saj me mënyrën si e përballoi ngjarjen:
“4 vjet më parë, më 27 gusht 2013, një burrë më sulmoi me acid teksa po dilja nga shtëpia për të vajtur në punë. Ishin të shumtë ata që mendonin se s’do t’ia dilja të ringrihesha pas kësaj goditjeje të rëndë. Nuk e mohoj, e kam menduar dhe vetë ndonjëherë këtë gjë. Por, sa herë që isha gati të dorëzohesha, i kujtoja vetes se sa e bukur ishte dhurata e të rilindurit për herë të dytë dhe që nuk duhej ta “shpërdoroja” duke u ankuar e duke qarë për fatin tim të hidhur. Përkundrazi, duhej të luftoja për të ndryshuar pikërisht atë, rrjedhën e fatit.
Sot, pas 4 vitesh, jam një grua e vetëdijshme për forcën e saj, sepse e di që limitet e vërteta janë ata që ne i vendosim vetë vetes. Sot, jam një grua që nuk ka më dëshirë të fshihet, sepse nuk ka më frikë. Sot, jam një grua që ka zgjedhur të mos frikësohet nga stereotipet e bukurisë, sepse e di se bukuria e vërtetë i përket atij që ka një shpirt të pastër dhe që është në paqe me ndërgjegjen e vet. Sot, jam një grua që i dashuron vragat në fytyrë sikur të ishin rrënjët e saj.
Unë jam Vilma Dule dhe kjo është historia e një gruaje që nuk u dorëzua kurrë.”