Në sezonin e mbrëmjeve të maturës, shumë shqiptarë kujtojnë me keqardhje se nuk shkuan dot në festë.
Në një sondazh në faqen Anabel Facebook, të rinj, gra e burra, kujtuan pse nuk mundën të shkonin në mbrëmjen që shënon mbylljen e “fazës më të bukur të jetës”. E çuditshme ose jo, shumica e letrave të ardhura në inbox fajësonin mentalitetin e familjes që nuk shkuan dot në mbrëmjen e maturës.
Ndjekësit e Anabel, shumica vajza, treguan se arsyeja pse nuk kishin shkuar në mbrëmjen e maturës ishte ose sepse s’i kishin lënë të vazhdonin shkollën e mesme, ose sepse të fejuarit nuk donin që të tjerët t’i shikonin vajzat e tyre “të pispillosura”.
“Pasi mbarova 8-vjeçaren, prindërit më thanë që nuk kisha për të shkuar në gjimnaz... më ra qielli mbi kokë, sepse nuk e mendoja dot veten time duke ndenjur në shtëpi, isha shumë e mirë me mësime... Fanatizëm në kulm! Derisa arrita të merrja një vendim drastik për jetën, që më mirë s’po ua them!
Eh, më çuan në gjimnaz me shumë lutje... Erdhi mbrëmja e maturës, të gjithë po përgatiteshin, shokët e shoqet, se ç’do të vishnin... unë rrija e menjanuar sepse e dija se prindërit s’do të më linin...
Dhe ashtu ndodhi. Shkova në shtëpi, i thashë mamit se pas një jave ishte mbrëmja e maturës! “Në asnjë mënyrë! S’do të shkosh”, më tha. Po ashtu edhe babi. Kam qarë jashtë mase... nuk jam ndier mirë për një farë kohe të gjatë... Më ngeli fiksim. Thoja: “Pse ka të tillë mentalitet... Pse duhet të mungoj vetëm unë, pse?” Më duhet të them që është akoma ai mentalitet në disa zona të Myzeqesë, që vajza s’duhet të shkojë në mbrëmjen e maturës.
Vetë jam bërë nënë tani dhe fëmijët e mi, absolutisht që do t’i lë të lirë, në kuptimin e mirë të fjalës. Nuk do t’i lë t’u mbetet peng tërë jetën për disa grimca lumturie që ndodhin kur janë maturantë...”
Jo vetëm prindërit; në familjet shqiptare vendos edhe fisi. Një vajzë tregon se nuk e vazhdoi dot shkollën e mesme sepse nuk e lanë kushërinjtë, madje e fejuan që në moshën 16-vjeçare.
“Mua nuk më lanë të vazhdoja shkollën e mesme edhe pse isha e para në mësime, kryesenatore shkolle. Me pak fjalë, mësoja shumë. Sapo mbarova klasën e 8-ë, u mblodhën kushërinjtë e mi (babain nuk i kam, sepse ka vdekur para shumë vitesh) dhe vendosën ata për shkollën time. Më thanë: “Ne kemi vendosur mos të të çojmë në shkollë (sikur do të më çonin ata). Ti je rritur shumë, je bërë më e gjatë se shoqet, plus edhe flokët i ke kaçurela dhe do të biesh shumë në sy, prandaj s’do të shkosh.”
Kam qarë, m’u copëtua shpirti. Po ç’të bëja? Mamin tim të shkretën nuk e pyeste njeri nëse ishte gjallë apo e vdekur. Ata kurrë s’na dhanë dorën për asgjë, ama për të ndërhyrë ishin të parët. Jo se kemi pritur gjë nga ndokush, por mjaftonin fjalët. Kjo ishte më e pakta, pasi më martuan me shkesë, sigurisht. “Do të na turpërojë kjo, po nuk e hoqëm nga shtëpia.” Tashmë kam një ëngjëll dhe nuk pendohem për këtë, por atyre u kam lënë Zotin.”
Fejesën në moshën 16-vjeçare e paskan vuajtur edhe djemtë: një ndjekës tregon se nuk shkoi në mbrëmjen e maturës sepse nuk donte ta shikonte ish-in e tij me të fejuarin, përndryshe do të shkatërronte gjithçka.
“Nuk shkova dot në mbrëmjen e maturës, sepse ish-e dashura ime u fejua dhe do vinte me të fejuarin në maturë. E di se do bëja ndonjë skandal kur t’i shikoja, dhe zgjodha më mirë të mos shkoja. Kanë kaluar 4 vjet dhe përsëri nuk e përmbaj dot veten kur e shikoj, më vjen t’i shklyej në dysh që të dy.”
Edhe djemtë kanë patur dramat e tyre nga gjimnazi. Në rastin e tyre, mund të ketë qenë edhe frika nga homofobia. Një djalë tregon për Anabel se nuk mund të shkonte tek festa e maturës me të dashurin, kështu që vendosën se ishte më mirë të mos shkonin fare.
“Unë nuk shkova në mbrëmjen e maturës sepse jam gay dhe doja të shkoja me të dashurin tim që kisha në klasë. Meqë askush nuk e dinte, ishte sekret i madh, atëherë vendosëm të dy të mos aktronim më edhe atje duke u hequr se po shkonim “me pjeshka”. Në fakt, i paraprimë të dy mbrëmjes duke gënjyer gocat e klasës që do të merrnim si shoqëruese se për arsye të ndryshme nuk shkonim dot. Atë natë morëm një cigare bar, ca ushqime dhe e gdhimë andej nga Spilleja. Nuk e harroj atë natë. E, I miss u!”
Megjithatë, shumica dërrmuese janë vajza. Në përpjekie “për të ruajtur nderin”, familjet kanë marrë vendimin ekstrem të mos i lejojnë fare të shkojnë në shkollë, sepse atje e kanë të vështirë “t’i kontrollojnë”.
“Mua më lanë pa shkollë. Të gjitha shoqet e mia vazhduan shkollën e mesme, vetëm unë ngela, dhe kam qarë shumë që të më çonin por as që ndërronin mendje, më thonin s’ka kush të shikon apo s’të kontrollon njeri. Kështu, u mbylla në shtëpi që të ruaja nderin e familjes dhe më martuan me shkesë.
Dua të jap një mesazh për të gjithë ata me mentalitet të tillë, që nuk mjafton nderi sepse pasi u martova, burrit nuk iu desh nderi im, por më la sepse ishte martuar me mua duke dashuruar një tjetër.”
Fejesa që në gjimnaz shoqërohet edhe me marrëdhënie jo normale mes partnerëve. Në një moshë kaq të re, vështirë të vendosen barazpesha, ndaj s’është çudi që të shfaqet xhelozi dhe posesivitet deri në izolim të partneres.
Një vajzë tregoi se jo vetëm i fejuari e pengoi të shkonte tek mbrëmja e maturës, por e detyroi të shkëputej nga gjithë shoqëria e gjimnazit.
“U fejova në fillim të vitit të 4-t dhe i fejuari im filloi pak nga pak të më shkëpuste nga shoqëria, në festat që organizonin unë nuk isha prezente si më parë. Kur afroi fundi i shkollës, prindërit donin që unë të vazhdoja shkollën e lartë, kurse i fejuari më tha jo. Isha me rezultate aq të mira, saqë drejtori i shkollës më thirri në drejtori, më dha të plotësoja formularin dhe më tha të vazhdoja, të mos e humbisja veten kaq shpejt. “Jo”, i thashë, “tashmë e kam vendosur, shumë faleminderit prej teje”, dhe buzëqesha, ndërkohë që shpirti më copëtohej.
Më lajmëruan shoqet për mbrëmjen e maturës dhe u thashë “jo”, sepse i fejuari gjeti justifikim që do të martonim motrën e tij, në të vërtetë gënjeu, nuk u bë atë ditë. U bë edhe një ekskursion në Sarandë pas dy ditësh, as atje nuk më la. “Do të të çoj unë në Sarandë”, më tha. Tjetër gjë me shoqërinë, tjetër me të fejuarin, por nejse.
Kaloi një vit dhe unë kërkoj shoqërinë time në Facebook, bëhemi miq dhe ky që në momentin e parë që shikonte ndonjë nga shoqëria ime në Facebook i fshinte, derisa m’i fshiu të gjithë, shokë e shoqe.
Tani kemi 10 vite bashkë dhe 2 fëmijë, kalojmë mirë, por është akoma pak fanatik.”