
Shumë media të huaja kanë shkruar për zgjedhjet e sotme vendore në Shqipëri. Njëzëri, na kujtojnë se këto zgjedhje janë vendimtare për të përcaktuar nëse Shqipëria është apo jo gati për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Pas fushatës së trazuar që vuri në konflikt ish-koalicionin në fuqi PS-LSI dhe kjo e fundit doli më vete, si edhe çadra e Lulzim Bashës përpara kësaj, këto zgjedhje do të jenë, sipas analizës së thjeshtë të gazetarëve të huaj, një provë nëse mund t’ia dalim t’i çojmë deri në fund paqësisht këto zgjedhje.
“Shqiptarët i drejtohen votimit këtë të diel të 25 qershorit, në një proces zgjedhjesh të përgjithshme që besohet se do të përcaktojë a është apo jo gati shteti në Ballkan të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.”, shkruan “Euronews”.
Lexo këtu: “EU watches as Albania votes” në “Euronews”
Ndërkaq, dje “Deutsche Welle” vuri në dukje se para zgjedhjeve, situata duket aq e qetë saqë nuk kuptohet se vetëm një ditë më vonë njerëzit do të shkojnë të votojnë. S’ka postera kandidatësh, s’ka zhurmë. Është vetëm atmosfera e Ramazanit.
“Këtë fundjavë, shqiptarët zgjedhin parlamentin e ri, por nuk ka foto të kandidatëve nëpër rrugë. Në fakt, bulevardi krysor i Tiranës është mbushur me postera që i urojnë njerëzve “Gëzuar Ramazanin”, shkruan “Deutsche Welle”.
Siç vëren “DW”, vite më parë shqiptarët do të ishin në sherr e sipër në një ditë si kjo por tani, pas gjithë bojkotit nga ana e PD-së dhe situatës së vështirë, ata nuk grinden më me njëri-tjetrin nëpër kafene.
“As në kafenetë me të populluara nuk dëgjon ndonjë debat të nxehtë mes mbështetësve tradicionalë të Partisë Socialiste apo të Partisë Demokratike. Në Shqipëri, debate të tilla ndonjëherë përfundonin me akte dhune, sulme e deri në vrasje.”
Lexo këtu: “Parliamentary elections without campaign posters in Albania” në “Deutsche Welle”
Tjetër aspekt kap Fred Abrahams për “Balkan Insight”. Shqiptarët sipas tij kanë akoma gjurmët e totalitarizmit dhe këto janë shumë të vështira për t’u shlyer. Vështirë të ndodhë ndonjë mrekulli në këto zgjedhje:
“Të dielën, shqiptarët shkojnë në votime për zgjedhjet parlamentare- hera e nëntë që kur pluralizmi politik u ligjërua në 1990-ën.
Shteti ka ndryshuar në mënyrë radikale që prej ditëve të qeverisjes njëpartiake, kur një fletë votimi pa shenjë do të thoshte një votë për Partinë e Punës. Por shenjat e totalitarizmit kanë rrënjë të thella, dhe demokracia mbetet një synim i largët.”
E megjithatë, “BI” nuk ia vë fajin shqiptarëve: ndërkombëtarët në fakt, nuk kanë ndonjë kërkesë të lartë për këto zgjedhje ashtu siç nuk kanë patur ndonjëherë.
“Pavarësisht ecurisë, me siguri vëzhguesit ndërkombëtarë do ta japin miratimin e tyre duke i pranuar rezultatet teksa do të dëgjojnë një mal me ankesa. “Të përshtatshme dhe të pranueshme”- kështu i quajtën vëshguesit ndërkombëtarë zgjedhjet e 1997-ës dhe as tani, qasja me standarte të ulëta nuk ka ndryshuar.”
Lexo këtu: “Albania’s Election Escapades” në BalkanInsight
Sidoqoftë, nuk ka rëndësi nëse është meritë e atmosferës së Bajramit, kohës së bukur dhe heshtjes elektorale e djeshme që na pushoi vërtet veshët, por qetësia e deritanishme duket sikur flet për një proces zgjedhor së paku me tone më të ulëta.