Të qëndrosh në burg në Shqipëri, është pak a shumë sikur je jashtë, përveç pjesës së heqjes së lirisë kuptohet. I dënuari duhet të kujdeset vetë dhe të paguajë për të patur kushtet minimale të jetesës, sigurisht nëse do të mbijetojë aty brenda dhe për këtë faturohet me çmime më të larta se ato të tregut. “Fiks Fare” bëri një vëzhgim në Institucionet e Ekzekutimit të Veprave Penale, duke parë sesi të burgosurit përballen me vështirësitë e tyre, që nga mungesa e ujit dhe deri te çmimet e vendosura në këto institucione, të cilat janë tejet të larta, pavarësisht se njësitë tregtare përzgjidhen me tenderim.
Nevoja për hetime erdhi pas ankesës së pazakontë të një të dënuari, i cili po linte qelinë në Burgun e Shënkollit, vend ku i është dashur të përballet me shumë sfida deri në fund të qëndrimit të tij. Ai shpjegoi se problemet kryesore fillojnë që nga mungesa e ujit, qeli me pronarë, mungesë rrobash fjetjeje, mungesë sistemi ngrohjeje e ftohjeje, ushqim i pakonsumueshëm, e deri te mungesa e televizorit dhe frigoriferit, që detyrohen t’i sjellin vet. Madje, shumë blerje detyrohen t’i bëjnë në njësinë tregtare brenda IEVP-së, me çmime më të larta sesa tregu, pasi nuk lejohen t’i marrin nga jashtë. Ai nuk është i vetmi që ankohet për kushtet e vështira në burg.
“Fiks Fare” ka filmuar në dy raste familjarë që çojnë ujë të pijshëm në dy burgje, pikërisht në atë të Fushë-Krujës dhe në Durrës. Në bisedë me “Fiksin”, një polic burgu thotë se ujit i fusin klor, prandaj nuk e pinë të burgosurit. Gazetarët e emisionit investigativ vijuan gjithashtu vëzhgimin e tyre, brenda burgut të Fierit dhe Fushë- Krujës, ku u vunë re qartë çmimet e larta në njësitë tregtare që operojnë brenda IEVP-ve. Në listën që drejtori i IEVP-së Fier, Etnor Krakulli u vuri në dispozicion gazetarëve të emisionit investigativ, shihet qartë diferenca më çmimet e tregut jashtë. Këtë fenomen, drejtori i këtij institucioni tha se e ka vënë re që kur ka marrë detyrën. “Unë që kur kam ardhur, i kam ulur çmimet. Ka pasur produkte që i kam ulur me 200-300 lekë dhe i kam thënë zotërisë se, nëse do kisha sërish ankesa, do të merrja masa”, tha ai për “Fiks Fare”.
Ndërkohë, në IEVP-në Fushë-Krujë, drejtori Albert Malaj thotë se ka një muaj që ka marrë detyrën dhe së shpejti do të vinte një tjetër njësi tregtare. Sipas tij, procedurat për zëvendësimin e asaj të mëparshmes kanë nisur në periudhën që kishte marrë detyrën. “Jam në dijeni të problemit, tani ne po bëjmë zëvendësimin e njësisë së mëparshme me një tjetër. Po bëjmë gati ambientin dhe për pak ditë do të jetë gati. I kemi kërkuar të plotësojë të gjitha rregullat”, thotë drejtori. Ai pranon të ketë pasur një problem të tillë dhe se mund të ketë ardhur edhe ngaqë transportin e këtyre mallrave nga njësia tek i dënuari e bënin të burgosurit, të cilët mund të kenë abuzuar. “Ju lutem mos më pyesni për më përpara”, mbyll bisedën drejtori.
Burimi: Top Channel