E ftuar në “Mos i fol shoferit” me Rudina Dembacajn, Duma foli gjatë për familjen dhe si e shikon marrëdhënien e bukurisë me suksesin.
Grida Duma dhe bashkëshorti Ilir Shqina janë prindër të një djali, Darienit, 12 vjeç. Ajo tregoi se për momentin nuk po mendon të ketë një fëmijë tjetër dhe le të themi se, as Darieni nuk kërkon të ketë një motër apo një vëlla.
“Është egoist, na thotë: “Ç’ju duhet?”, tregoi me humor Grida për të birin.
Gjatë këtyre viteve, Grida Duma është ngritur shpejt në sferën politike, duke u kthyer në një prej fytyrave më të njohura në debatet politike dhe së fundmi, u zgjodh nga Basha si pjesë e listës së deputetëve për Tiranën. E ngacmuar nga Dembacaj nëse zgjedhja për të mos patur një fëmijë tjetër ka të bëjë me formën trupore, Grida shpjegoi se s’ka të bëjë me këtë.
“Përpara lindjes së Darienit kam pasur luhatje shumë më të mëdha peshe se tani.”
Ajo mendon se të kesh një fëmijë është përgjegjësi shumë e madhe dhe duhet menduar mirë. Thotë se vetë ka punuar që në moshë të re dhe nuk do që fëmijët e saj të duhet t’ia nisin nga zero si ajo.
“Kam nisur të punoj që në moshën 19-vjeçare me përkthime, ndërsa ndiqja fakultetin. Më dukej e arsyeshme të kontribuoja edhe unë për të mbajtur veten time, për të paguar edhe studimet.”
“Nuk kam dashur asnjëherë që fëmija im t’ia nisë nga zero. Me këtë nuk nënkuptoj se duhet t’i ketë gjërat gati, madje jam nga ata prindër që besojnë se pas një minimumi nuk kemi më detyrime për fëmijën. Secili duhet të jetojë për veten e vet në mënyrë që të jetë shembull i mirë për fëmijën. Diçka duhet t’u lëmë.”
Gjithashtu, Grida Duma foli për ndikimin që ka bukuria në karrierë, duke thënë se pavarësisht të gjithave, në fund të ditës është vullneti ai që përcakton gjithçka.
“Është plotësisht e padrejtë të të pengojnë sepse je e bukur, ashtu siç është e padrejtë që disa njerëz janë të bekuar nga Zoti që të jenë pak më të pashëm se të tjerët, se s’është ndonjë meritë e jona. Këtë përpiqem që ta kuptojë çdokush që mund të më dëgjojë. S’mund të nisemi me idenë që, meqë edhe merr 10-a, edhe je i zgjuar, edhe je i bukur, duhet të të presin me duartrokitje. Historia e botës tregon se fitojnë ata që përpiqen. Unë jam për individin e fortë, qoftë ai burrë, qoftë grua.”
Megjithatë, mendon se bukuria edhe mund të të pengojë, duke qenë se bie më shumë në sy dhe rrjedhimisht, je më i ekspozuar ndaj publikut.
“Mund të jetë edhe penguese. Sa më shumë të spikasësh, aq më shumë vëmendje tërheq, edhe për mirë, por mund të kthehet në një sfidë.”