Je e lidhur me një burrë të martuar? Është ok! Nuk të gjykoj. Mund të isha edhe unë në vendin tënd. Dhe po të isha aktualisht e pamartuar, do të thoja: “Ndoshta edhe mund të jem.”
Në asnjë mënyrë nuk po i hap dyert “imoralitetit”, siç përcaktohet në standartet e shoqërisë marrëdhënia jashtë-martesore. Por dyshoj se njerëzit e njohin matematikën në dashuri. Duke hequr mënjanë rastet ekstreme të tipit: “Do dalë me këtë të martuarin se ka lekë” apo “Më pëlqen të futem në mes të një çifti, që të marr vëmendjen kryesore”, pjesa tjetër e marrëdhënies jashtë-martesore jetojnë rastin klasik të dashurisë. Kush e ka pasur gjykimin e kthjellët në dashuri, atëherë s’ka dashuruar.
E nis me një takim të rastësishëm. Ai të thotë diçka që të tingëllon ndryshe nga çfarë ke dëgjuar më parë. Apo mënyra se si të sheh. Apo çfarë të shkruan në sms. Ti je e qartë në fillim, je e qartë se asgjë s’do të ndodhë dhe se e gjitha është një budallallëk. Por përse të mos ia kthesh sms-në. Fundja është një sms, dreqi e mori. Askush s’ka për ta ditur. Pastaj “e kap veten” duke pritur me padurim përgjigjen. Por s’ka gjë. Se je ende në zonën e sigurtë: “Atë të largësisë fizike.” Derisa nis e të bëhet e padurueshme kjo gjendje largësie. Dhe sa më e padurueshme bëhet, aq më I fortë bëhet tundimi për t’i vënë shkelmin moralit e ndërgjegjes e për t’i shkuar deri në fund! Të paktën vetëm një herë. Ose dy herë. Thjesht sa për seks. Por seksi bëhet aq i bukur, sa e quan më pas “dashuri”
Në këtë vend ku të gjithë dinë gjithçka për të gjithë, ose duan të dinë, sekreti është një erotizëm më vete. Të shtyn të mendosh se me siguri ju i përkisni njëri-tjetrit, se keni një botë tuajën që askush nuk e kupton përveç disa këngëtarëve që “qajnë” për dashuritë e pamundura. Romanticiteti që shoqëron një marrëdhënie jashtë-martesore është shpesh më i fortë se ai i një marrëdhënieje normale. Ju jeni dy kundër botës dhe kjo ju lidh më shumë. Jeni takuar “vonë”, por i përkisnit njëri-tjetrit në jetën e kaluar. E ndjej që ju po thoni: “Po është e vërtetë!” Dhe është absolutisht e vërtetë! Mos u shqetësoni. As mos u ndjeni të vetmuar, se keni plot mikesha e miq të përfshirë në sekretet e tyre. Ja pra, nuk shpëtove dot! Ti je në një marrëdhënie me një burrë të martuar. Tani, nëse kërkon ta vazhdosh këtë marrëdhënie e lumtur, më lejo të të japë disa këshilla.
1. Fillimisht, duhet të pranosh që ai është i martuar me një grua. Jo me një kafshë shtëpiake, as me një orendi që ka ngelur sipër televizorit që nga 1990-a. Përveç ndonjë rasti të jashtëzakonshëm, nuk ka ndodhur që atë e kanë tërhequr zvarrë deri tek shtëpia e gruas dhe e kanë shtrirë në krevat afër saj. Ai ka zgjedhur të martohet me të. Edhe nëse të është shprehur se “Ka qënë i ri dhe i pavetëdijshëm për martesën” kujtohu pak: “Ka qënë në moshën e Gjinos së Marigosë?” Nëse jo, atëherë më beso: Ai e dinte çfarë po bënte. Ai ka dashur dhe ka martuar një grua dhe ka zgjedhur të krijojë një familje me të. Ajo është familja e tij.
2. Pra gruaja Ekziston! Prano gjithashtu që ai fle me gruan. Mund të ketë ndodhur në marrëdhënien tënde që ti je habitur e acaruar kur ke marrë vesh se ai ka bërë dashuri me të. Ose ndodh që ti t’i besosh kur ai thotë: “Jemi bërë si dy të huaj në shtëpi” apo “Unë as e kam prekur që kur të kam njohur.”
Po të kesh minimumin e inteligjencës (dhe dyshoj që një grua të ketë minimum inteligjence), do e kuptosh që është fizikisht e pamundur. Sepse e di ç’do të thotë kjo? Do të thotë që ai të gatuajë vetë, të lajë vetë, të shtrihet në një dhomë tjetër dhe mundësisht të trokasë kur të hyjë në kuzhinë. E nëse ka fëmijë, të bisedojë vetëm për ta: A hëngrën? Pagesën e shkollës kur do ta bëjmë? Çfarë thanë në takim me prindër? Dhe pastaj të futet në dhomën e tij. Kjo edhe ndodh. Kur çifti është I divorcuar.
Por i dashuri yt nuk është. Dhe kam përshtypjen se nuk pret të mbarojë raundi I lavatriçes së gruas për të futur rrobat e veta, apo të ndaj frigoriferin përgjysëm, me etiketë tek qesja e mishit si në komunizëm. Burrat në përgjithësi nuk e bëjnë. Pranoje që ai vjen në shtëpi, zhvishet, shpesh hedh rrobat shkujdesur mbi karrige, ha drekën që I përgatit gruaja dhe flet për çështjet e ditës, ndajnë ndonjë informacion mbi fisin apo ndonjë blerje të re që do të bëjnë në shtëpi, luajnë e qeshin me kalamajtë dhe në fund, flenë bashkë. E nëse nuk kanë kaluar moshën 70-vjeç, edhe bëjnë dashuri. Dakord, që të mos mërzitesh, po i them “thjesht seks”. Sepse dashuri bën vetëm me ty.
3. Prano që nëse do të kërkoje fëmijë, ai edhe mund ta refuzonte. Absolutisht ka meshkuj që do të viheshin në sedër “e do t’u bënin dhuratë” të dashurave një fëmijë, por pjesa më e madhe e meshkujve me një ndërgjegje normale, e llogarisin që është shumë e vështirë të krijojnë familje paralele, jo vetëm sepse u duhet të balancojnë dy jetë që ndoshta nuk kanë shanse të “takohen” në asnjë pikë me njëra-tjetrën, por edhe se fëmijëve të parë do t’u duhet t’i shpjegohet që dashuria do të ndahej me një fëmijë tjetër të paligjshëm, fryt i tradhëtisë ndaj nënës së tyre.
4. Prano që shpesh, ato që bën me ty, mund t’i ketë bërë edhe me gruan e tij. Atëherë kur ajo dhe ai nuk kishte pergjegjësi të mëdha familjare; ajo dhe ai nuk vinin të lodhur nga puna e e gjenin një shtëpi me fatura kredie e lodra kalamajsh.
Atëherë kur ishin si ti dhe ai. Atëherë kur ajo kishte kohë të lirë dhe vëmendje vetëm tek ai e vishej sensuale dhe flirtonte duke bërë rolin e “të vështirës”. Pranoje që mund të ketë qënë edhe kështu.
5. Që të jetosh e lumtur me një burrë të martuar, duhet të pranosh që ti je me orar. Se ai do të kthehet në shtëpi. Dhe të dielave do të jetë me ta. Edhe për pushime. Edhe për festa. Edhe telefonin do ta ngre pa orar sa here gruaja ta marr, kurse për ty, do të ketë një emër tjetër, një celular tjetër, madje ndodh ta mbajë edhe në kroskotin e makinës përgjatë gjithë natës deri në agim. Prano që kur familja e tij të ketë urgjencë ai do zhduket nga çarçafët, si ato magjitë e cirkut. Por nëse ndodh që ti të kesh një urgjencë, e vetmuar në apartamentin tënd, ai mund ta ketë të pamundur të të ndihmojë, sepse është në shtëpi dhe i kanë mbaruar justifikimet e rradhës.
6. Prano të jetosh me një gënjeshtar. Sepse ai gënjen çdo ditë. I duhet gënjeshtra për të ujitur një marrëdhënie të fshehtë. Nëse s’do të dinte të gënjente, do të ishte përballur me kohë me të vërtetën dhe do të kishte gjetur një zgjidhje. Por, përderisa gënjen, atëherë ka frikë nga zgjidhja. E pra, është edhe gënjeshtar edhe frikacak. Po ta them, në rast se ti beson absolutisht tek një mashkull i sinqertë dhe burrë.
7. Ka diçka që s’shkon në këshillat e mia, do të thoni ju. Sepse ai ju do. Ai ju thotë se do të çmendje po t’ju shihte me të tjerë. Ai ju do për vete! Patjetër që po! Çdokush do çmendej nëse do t’i duhej ta ndante dike që donte me të tjerë! Quhet E-G-O. Ai nuk do të donte që ju të shihnit njerëz të tjerë paralelisht, ashtu siç nuk do të donte që gruaja e tij të ndahej me të, të bashkëjetonte me një burrë tjetër e të rriste fëmijët me të. Madje t’ju them diçka: Mendimi i dytë është më i tmerrshëm në mendjen e tij se fakti që ti mund të pish tek Folie e një mbrëmje të bësh dashuri me “Benin”. Beni është tangent. Beni mund të qëndrojë aty edhe për kohë të gjatë, mjafton që të mos prishë oraret e tua. Beni mund të jetë edhe bashkëshorti yt një ditë dhe ai të vazhdojë të të dërgojë sms e të të takoj në hotelin e preferuar.
Kurse “i huaji” që hyn në jetën e gruas, ai që del të dielave me të dhe fëmijët e tij, ai lloj mashkulli e tmerron në thelb. “I huaji” është vazhdimësi, është ndikim I drejpërdrejtë në “tokën që ai ka pluguar.” I huaji i merr territorin dhe mbjell lule të tjera për fëmijët e tij. Ky është mankthi që ai s’jua thotë kurrë. Për aq kohë sa nuk ndodh gjë.
8. Që të jetosh e lumtur, duhet të kuptosh edhe pjesën e dytë të një sherri që mund të bëhet për ty mes atij dhe gruas. Pjesa e parë është ajo që ai të rrëfen. Pjesa e tretë është “S’folëm më atë natë”. Kurse pjesa e dytë (refreni), është ajo që ai lë pa përmendur. Faktin që gjatë një sherri ai betohet se s’është e vërtetë (Dhe ti bëhesh papritur inekzistente). Ai mund t’i thotë të shoqes: “Ishte thjesht një shkarje momenti (Dhe ti je bëhesh një “Shkarkesë” spermatozoidesh) ose e pranon që të ka, por vazhdon: “Nuk dua të të humbasë”. (Dhe ti bëhesh zgjedhja B).
9. Që të jetosh e lumtur me një burrë të martuar, prano, se nëse ai nuk e ka ndarë të shoqen brenda vitit të parë, shanset janë që s’ka për ta ndarë ndonjëherë. Dhe jo sepse “Janë fëmijët në mes”, “Se kështu e do tradita”, “Se bëhet keq plaka dhe e kam të sëmurë”, “Se gruaja s’ka punë e lekë”, por sepse ai nuk do. Sepse ai ka frikë. Sepse ai gjatë gjithë kohës, gjykon veten që është në këtë marrëdhënie, por të gjykon edhe ty “me sytë e botës” që pranon një marrëveshje të tillë. Dhe në moralin e tij të çoroditur, ti, dashnorja e paligjshme, s’mund të jesh adapte për familje. Shtrati I tij martesor ka vend vetëm për një njeri. Ndërsa krevatet e moteleve, apo të ndonjë apartamenti “incognito”, mund të ndërrohen disa herë.
10. Dhe e fundit: Mendoje veten në një nga ato varkat e Titanikut. Ka vend vetëm për dy dhe një mundësi: Të shpëtojë njëra prej jush, ti apo gruaja e tij. Kë do të shpëtonte ai? Natyrisht që ty do të të mbushte me lotë e fjalë dashurie, do të të thoshte se ka besim se do ja dalësh vetë mbanë. Pastaj do të të puthte derisa ti të zhdukeshe në oqean. Por nuk do të linte kurrsesi fëmijët jetimë. Edhe nëse nuk do të kishte fëmijë, historia ka treguar që “dashnoret” sado të rëndësishme në jetën e një burri, në fund janë sakrifikuar. Edhe pa dëshirën e tij, por me trysninë e shoqërisë, që nuk do ta konceptonte kurrë, madje do ta quante krim makabër, nëse gruaja nuk do të ngjitej në atë varkë. Kurse zhdukjen e dashnores, edhe mund të mos ta përmendte ndonjëherë.
Idealja do të ishte që ai të zhytej vetë, e t’ju linte të dyjave të lundronit bashkë drejt shpëtimit…Ideale për një skenar filmi, se në realitet…ai që pati frikë që në fillim, do të ketë frikë edhe në fund.
Mos më urre që të fola kështu. Më beso, që të kuptoj. Nuk dua të bëhem si lexueset e “Letrës së të Hënës” që të shkulin flokët virtualisht si ato gratë Malenës. Nëse ti ndihesh mirë dhe pranon gjithçka çfarë thashë më sipër, vazhdo! Vetëm mos harro një gjë, që e ke nisur marrëdhënien nga pozicione të pabarabarta. Ai është zgjedhja e parë për dy gra, ndërsa ti je zgjedhja e dyte për një. Sa mirë do të ishte të kishe provuar të ishe “e vetmja” për dikë, e nëse s’të pëlqente, të ktheheshe prapë në pozicionin fillestar. E atëherë të më thoje: “Ja ke futur kot!”