Ermal Fejzullahu nuk kalon aq kohë sa do të donte me fëmijët. Nga martesa 9-vjeçare me Arjanën, Ermali është tashmë baba i tre fëmijëve: Buna, Arti dhe Era.
Por edhe ata ia ndjejnë shumë mungesën, madje e shprehin hapur mërzinë e tyre që nuk e kanë babain pranë. Aq më shumë vajza e madhe, Buna, e cila i nxorri “sekretet” babait të saj duke treguar se ai kalon më shumë kohë jashtë, nëpër koncerte por edhe me shokët.
“Mërzitem kur shkon kund, kur del.”, tha ajo në emisionin “Prive”.
“Kur mërzitesh më shumë?”, e pyeti Ermali.
“Kur shkon të këndosh.”
“Dhe ku shkoj unë më shpesh?”
“Del me shokët.”, u përgjigj ajo.
Megjithatë, Ermal Fejzullahu e ndjen shpesh nevojën për të kaluar më shumë kohë me fëmijët e tij.
“Punën e kam shumë të ngarkuar dhe jam shpesh larg shtëpisë. Në kohën e lirë kam dëshirë të rri sa më shumë me fëmijët.”
Shumicën e kohës ata e kalojnë me mamin Arjana, e cila u përkushtohet plotësisht vogëlushëve të saj.
“Mami kujdeset më shumë për ne, babi shkon të këndojë ndonjëherë.”, u ankua përsëri Buna.
Sidoqoftë, duke e parë si sillet me fëmijët dhe sa të lidhur duken ata me babain e tyre, është e qartë se sado e paktë të jetë koha që kalojnë bashkë, Ermali i llaston pa i lënë asnjë tekë pa plotësuar. Ata treguan se shpesh babai i çon të blejnë lodra.
Të dyja vajzat treguan se duan të bëhen artiste: Buna e ka ndarë mendjen se do të bëhet këngëtare si babai dhe si gjyshi i saj, Sabri Fejzullahu.